LAJMI I FUNDIT:

David Lynch, për bukurinë në errësirë

David Lynch, për bukurinë në errësirë

Angelo Badalamenti e krijoi peizazhin zanor që shoqëron vizionin e regjisorit David Lynch. Kompozitori vdiq në dhjetor 2022 dhe Lynch tek tash e dha një intervistë për emisionin Sound of CinemaRadio 3BBC-së. Intervistën që Matthew Sweet e ka bërë me regjisorin e famshëm [që u transmetua më 27 maj 2023], Telegrafi e sjell si më poshtë.

David Lynch: Angelo, ai mund të bëjë gjithçka, mund ta shkruajë çdo lloj muzike. I studioi të gjitha gjërat klasike, por ka bërë xhingla për një kohë të gjatë kështu që, gjithçka mund të bëjë. Sekreti për Angelon është se nëse ti di se çfarë dëshiron, këtë duhet ta nxirrni nga ai. Është aty, tek ai, por duhet ta nxirrni.


Matthew Sweet: E takove për herë të parë në xhirimet e filmit Blue Velvet. A mund ta përshkruash se si të bëri për vete? Ishte “dashuri” në shikim të parë?

DL: Në një farë mënyre, po. Uilmingtoni i Karolinës së Veriut ishte vendi ku punonim. Doja të merrja një grup lokal, jo një grup të mirë, thjesht një grup vendas, të zellshëm, për ta përcjellë Isabella Rosselinin kur e këndon Blue Velvet. U munduam gjatë dhe asgjë nuk ndodhi. Duhet falënderuar Fred Caruson, sepse ai më tha: “David. Nuk po funksionon, më lejo ta telefonoj shokun tim Angelo”, por ai e thërriste Andy atëherë. Angelo, i cili në ditët e para njihej si Andy Bedale – qoftë i bekuar shpirti i tij – me siguri nuk duhej ta bënte këtë, por e bëri dhe Fredi tha: “Andy do të vijë dhe do ta rregullojë këtë punë”. Unë i thashë, “mirë pra, sille Angelon”. Dhe, të nesërmen në mëngjes, punoi me Isabellan në hollin e hotelit të saj, që kishte një piano që rrinte aty, dhe erdhi në drekë dhe e interpretoi për mua në shtëpinë Bomont të Blue Velvet-it. I thashë, Angelo, mund ta lëmë në film kështu siç është! Është fantastike!

Tekstet nisën t’i thonë diçka trurit muzikor të Angelos dhe kjo ndjesi del nga teksti. Për shkak se ai mund të bëjë gjithçka, unë mund t’i them gjërat dhe ai do të fillojë të luajë me to. Dhe, nëse nuk më pëlqente, do të thosha diçka më ndryshe dhe ai do ta ndryshonte!

MS: I ke shkruar vargjet për Mysteries of LoveBlue Velvet, dhe mund të them se Angelo të donte, sepse e cekte në intervista se David Lynch m’i dha këto tekste dhe ato nuk u rimuan, nuk kishin grepa, çfarë duhet të bëj me këtë!

DL: Angelo në një farë mënyre është shkollë e vjetër – kështu që e ngatërrova, se ai i pëlqente tekstet që rimonin, i pëlqente forma, por lehtësisht mund ta thyente atë formë nëse e detyroje. Dhe, qoftë i bekuar shpirti i tij, ai djalë gjithçka mund të bëjë! Një gjë tjetër, Fred Caruso tha: “Ti gjithmonë po i shkruan këto gjëra të vogla në copëza letre, pse nuk i dërgon diçka Angelos?” Unë i thashë: “Fred, vetëm pak”! Gjithsesi, një gjë çoi te tjetra dhe e bëri Mysteries of Love. Dhe, pastaj i thashë, “mirë Angelo – dua që t’i bësh notat e kësaj skene”. Dhe, e dëgjoja Shostakovichin në A-minor gjatë gjithë kohës, duke shkruar për këtë, dhe ai tha “në rregull” dhe u largua. Dhe, pastaj filluam të punojmë së bashku, për shumë kohë pas kësaj.

MS: A mund të dëgjojmë për atë që ndodhi kur ishit bashkë në dhomë, se ka diçka paksa alkimike në këtë. Mënyra se si e kam dëgjuar ta përshkruajë ishte se, e shihje një ndjenjë, një ëndërr ose një vizion dhe ai është pranë teje duke e përkthyer në muzikë. Çfarë do t’i kishe thënë kur e përshkruaje atë që doje si temë kryesore për Twin Peaks-in?

DL: Epo, tema kryesore e Twin Peaks-it është Falling. Dhe, Falling ishte një gjë që Angelo dhe unë e shkruam dhe Julee Cruise e këndoi. E kemi shkruar që më parë, kur Twin Peaks ishte vetëm një ëndërr, vetëm në fillime, dhe ju thashë, ej, kjo gjë do të jetë tema e këtij seriali. Dhe, ata më shihnin si të çmendur?

MS: E përshkruan se jeni në dhomë …

DL: Funksiononte gjithmonë kështu me Angelon dhe mua; unë e di gjendjen shpirtërore të një gjëje dhe ndjesinë e një gjëje. Kështu, ulur me Angelon, afër tij në një stol ose gjithmonë pranë tij, i them: “Angelo duhet të jetë një ndjenjë të tillë”. Dhe, ai i mbyllte sytë dhe luante diçka, dhe pastaj unë i them “jo, duhet të jetë më e ulët, ose më e ngadaltë, ose më shumë mister atje”, dhe pastaj ai luante diçka tjetër. Dhe, pastaj, “jo, kjo ende është shumë e shpejtë, nuk është mjaft e errët, nuk është mjaft e rëndë dhe me parandjenjë”. Dhe, më pas ai fillon të luajë diçka, dhe gjithçka bie mbi të, dhe unë them se “është e bukur, Angelo”, ndërsa përpiqem t’i nxjerr nga mendja gjërat e ardhshme. Por, për shkak se ai e kapi gjënë e parë, në botën e muzikës është logjike që këto gjëra të tjera do të pasojnë, dhe ai e di këtë dhe ja ku janë dhe i nxjerr në pah, dhe ja ku është – nuk ka dy mënyra për këtë.

MS: Ndjej se pothuajse po arrini diçka, së bashku. Ato notat mbi piano në temën e Laura Palmerit … Ku shkonit bashkë, ti dhe ai në atë muzikë?

DL: Epo Angelo shkon te yjet, me siguri. Ai kap një gjë dhe unë jam atje si vëllai i tij duke e mbushur ajrin me këtë liri dhe energji për ta mbërthyer. Është kaq delikate … fazat e hershme janë kaq delikate dhe thjesht duhet të jenë të sigurta dhe të mbushura me mundësitë që Angelo ta gjejë atë. Pastaj, kur e kap është kaq e pabesueshme, kaq e pabesueshme.

MS: Ka trishtim dhe një ndjenjë mëkati në shumë prej muzikave tuaja. Angelo tha që ti ia nxore anën e errët. Çfarë donte të thoshte me këtë?

DL: E nxora në pah Angelon e vërtetë, që është dashuria. Ndjenja që ai mund të marrë është ndjenjë zemre, krejt zemër, dashuri e thellë – dashuri e thellë, e thellë. Edhe në të ashtuquajturat gjërat e errëta, ka një bukuri. Mund të jetë parandjenjë, por ka edhe diçka tjetër që është më e madhe. Është e vërteta.

MS: Le të flasim për Lost Highway, një film që më dha makthe. Është shembull i mirë sesi muzika shpreh natyrën e personazheve, sepse personazhi i Bill Pullmanit është saksofonist dhe ai e luan këtë pjesë të çmendur dhe vajtuese në temën e quajtur Red Bats with Teeth. E deshe atë notë të çrregullt, çmendurinë e saj?

DL: Mendoj se emri i tij është Bob, i këtij saksofonistit, dhe ai është një saksofonist i mrekullueshëm. Besoj se ishim në studion e Capital Records dhe Bob ishte atje, duke interpretuar. I thash: “Bob” – dhe kjo ishte si gjatë gjithë filmit Lost Highway, se si rridhte biseda – “Bob, po shkoj të fle me sasinë e energjisë që po shpenzon. Shoki, po më fut në gjumë”. Dhe, pastaj, duke qeshur interpretonte më fort, me më shumë fuqi. I thoja, “Bob, unë flas për gjumë, në fakt shkova të fle pas kësaj të fundit, ndale burrë”! Pra, atëherë, shumë shpejt Bobi bëhet absolutisht i çmendur, i çmendur dhe vjen me këtë gjë. Ai vërtet e donte atë. Angelo ishte aty, por më shumë i takonte Bobit ta gjente atë gjë tek ai.

MS: Mulholland Drive, filmi yt i errët Hollivudit … Ti dhe Angelo jeni që të dy kompozitorë, pse …?

DL: Përsëri jam duke punuar me Angelon dhe ndonjëherë – nuk kam për qëllim ta mashtroj Angelon ose diçka të tillë, por them diçka si, “luaje Shostakovichin”, kështu që Angelo nis të luajë. Pastaj them, “luaje Wagnerin, Angelo”. Dhe, pastaj ai fillon ta luajë Wagnerin, dhe diku atje janë këto nota që fluturojnë dhe unë them: “Angelo, çfarë është ajo gjë atje?”, dhe pastaj Angelo e interpreton, i hapen sytë, dhe e luan përsëri dhe përsëri dhe e gjen këtë gjë apo atë gjë. Pastaj i kishim dy gjëra që ishin mjaft të mira, por nuk u ndien si të përfunduara dhe thashë: “Angelo, pse nuk i luajmë të dy ato bashkë?”, ndërsa sytë e tij zgjerohen dhe mendon dhe i bën bashkë dhe kjo është tema e Mulholland Drive. I bëri disa gjëra të bukura për atë film. I gjejmë së bashku, sepse në botën e muzikës ekziston një gjë që quhet sens i përbashkët. Nuk mund t’ia dorëzosh muzikën dikujt. Mund të jenë në një shtëpi tjetër, në një shtet tjetër, në një vend tjetër. E shohin filmin të papërfunduar dhe më pas nuk mund të presësh që ata ta shkruajnë një gjë që e fut në prizë e që do të funksionojë. Një herë e në një kohë ndoshta, por duhet të kalojë nga një person, dhe ai është regjisori. Nuk është gjë e egos, është mënyra se si të gjithë bëhen bashkë. Nuk mund të lejosh që skenografi të dizajnojë, dhe personi muzikor ta projektojë muzikën dhe editori ta bëjë montazhin. Është thjesht qesharake, janë aty për t’ju ndihmuar. Regjisori i merr vendimet përfundimtare për të gjitha këto gjëra dhe flet me njerëzit dhe i çon para idetë që ju përpiqeni t’i përktheni në kinema.

MS: Angelo ishte mësues shkolle, para se të bëhej kompozitor. Ishte arsimtar i muzikës dhe i anglishtes. Çfarë të mësoi?

DL: Angelo më solli në botën e muzikës, e hapi një botë të tërë për mua. I bija trumbetës në shkollën fillore dhe më duhej ta lija në shkollë të mesme, sepse për ta interpretuar trumbetën në shkollë duhej të ishe pjesë e grupit marshues dhe të shkoje në shkollë në gjashtë të mëngjesit e të ushtroje marshimin, për të shkuar pastaj në ndonjë lojë të ragbit!

MS: Nuk të pëlqeu kjo?

DL: Ishte e tmerrshme, kështu që u largova! Thashë, “po talleni me mua, nuk zgjohem në pesë të mëngjesit”, kështu që Angelo më solli në botën e muzikës dhe e hapi këtë botë që ishte kaq e pabesueshme, për çfarë unë dhe Angelo flisnim. Jetonte në Nju-Xhersi e unë jetoj në Los Anxhelos, dhe flisnim rregullisht në telefon, qëkur e takova. Ishim si vëllezër; thjesht e dua Angelon, thjesht e dua. Dhe, kur ai iki, kur shkoi në anën tjetër, më preku shumë – kanë vdekur kaq shumë njerëz me të cilët kam punuar, më mungon secili prej tyre dhe thjesht nuk e kuptoj pse njerëzit duhet të vdesin. Por, Angelo, vërtet më preku. Nuk mund ta telefonoj Angelon më në telefon, nuk mund ta dëgjoj më zërin e tij, nuk mund punoj më me të. E gjithë kjo muzikë që është në të, nuk do të dalë më. Është e tmerrshme.

MS: E vura re se gjatë gjithë kësaj bisede, e ke përmendur në kohën e tashme.

DL: Duhet ta mbani gjallë Angelon. Besoj se jeta është një vazhdimësi, dhe se askush nuk vdesë me të vërtetë, se ata thjesht e lëshojnë trupin fizik dhe ne të gjithë do të takohemi përsëri, siç thotë kënga. Është e trishtueshme, por nuk është shkatërruese nëse e mendon kështu. Përndryshe, nuk e kuptoj se si dikush mundet, pasi ta shohë dikën të vdesë, se ata thjesht po zhduken përgjithmonë dhe se kjo është ajo që ne të gjithë jemi të detyruar ta bëjmë. Më vjen keq, por thjesht nuk ka kuptim, është një vazhdimësi, dhe të gjithë do të jemi mirë në fund të tregimit.

MS: A është ai në muzikën që e kompozon tash? Trego: nëse e dëgjoj muzikën që e ke kompozuar vetë, si Inland Empire, a mund ta dëgjoj ndikimin e tij?

DL: Mundesh. Ka disa gjëra që më pëlqejnë, që Angelos i kanë pëlqyer dhe që i ka interpretuar, dhe nëse do të dalin ndonjëherë, dikush do të thotë se Angelo i ka shkruar, se ka disa gjëra, por në të vërtetë gjëja numër një që Angelo mund ta bëjë është bukuria dhe dashuria. Ai mund të ta copëtojë zemrën, mund të të bëjë të qash si një foshnjë, thjesht tërhiqi telat e zemrës si Angelo, se ai është një shpirt i bukur dhe kaq i talentuar.

MS: Dua të bëj diçka sociale, në mendjen tonë; dua që ti dhe Angelo të dilni së bashku për drekë.

DL: Angelo është italian, kështu që do pasta, shpageta dhe qofte, ky është Angelo, kur e quan salcën si lëng mishi. E ndërlidhi Angelon me ushqimin e mirë italian.

MS: Cila është darka më e mirë që ke pasur me të? Dilnit së bashku, ndaj a mund të mbash mend një natë vërtet të mirë së bashku?

DL: Pasi The Straight Story u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë, Angelo dhe unë, dhe Harry Dean me një grup njerëzish, shkuam në një bar të imët të hotelit Carlton. Ishim duke pirë pak verë me apetizer, kur Harry Dean papritmas tha diçka për një ëndërr. Një ëndërr që kishte për lepurushët me çokollatë. Kështu që unë dhe Angelo qeshëm, dhe më pas Harry Dean tha një fjali tjetër, dhe kjo na dha një të qeshur tjetër, edhe më të madhe se e para. Dhe, pastaj Harry Dean tha një gjë të tretë dhe kjo na bëri të qeshnim edhe më shumë, dhe më pas Harry Dean tha një gjë të katërt dhe Angelo dhe unë e pamë veten duke qeshur akoma më shumë. E, Harry Dean i tha 17 gjëra atë natë! Pra, unë dhe Angelo gati sa nuk vdiqëm! Nuk mund të qeshnim më. Ishte e dhimbshme, gjithë lotët e të qeshurave ishin zhdukur dhe thjesht po vdisnim! Dhe, flisnim për këtë. Asnjë komedian nuk i është afruar kësaj, sipas nesh. Si e bëri Harry Dean Stanton këtë? Gjithashtu, Angelo dhe unë flisnim për Martin Luther Kingun si poet, i cili e kishte këtë mënyrë të të folurit që ishte si muzika, që u ndërtua si muzika, përherë, dhe më pas kjo ndjenjë kozmike vjen gjithnjë e më shumë derisa të doni të qani, sepse është kaq e bukur dhe kaq e thellë, e për këtë ne flisnim.

MS: E kupton se ende flet me të?

DL: Unë gjatë gjithë kohës flas me Angelon.

MS: Mund të të pyes se çfarë i thua? A mund të pyes se çfarë i kërkon?

DL: Thjesht, flas me të si, i flas për motin, ose Angelo ti e interpreton kaq bukur këtë gjë, sa herë i dëgjoj gjërat e tij të vjetra. Kam ende një mori gjërash për të folur dhe ai është ende gjallë për mua. /Telegrafi/