LAJMI I FUNDIT:

Seria kult “Twin Peaks”: Si lindi detektivi më i pazakontë televiziv?

Seria kult “Twin Peaks”: Si lindi detektivi më i pazakontë televiziv?
Aktori Kyle MacLachlan në rolin e detektivit Dale Cooper në serinë “Twin Peaks”

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 8 prill 1990, shikuesit e [serisë televizive] Twin Peaks u njohën me agjentin e shkëlqyeshëm, por ekscentrik të FBI-së, Dale Cooper – që interpretohej nga Kyle MacLachlan, i cili e fitoi një [çmim] Emmy për këtë performancë.


Me kurtuazinë e pandryshueshme; me metodat e pazakonta – por, të frikshme hetimore; me dashurinë obsesive për byrekun me qershi dhe kafenë “për dreq të mirë”; me zakonin e tij për të regjistruar mesazhet në diktafon për sekretaren që nuk shihet, Diane, agjenti Cooper shumë shpejt u shndërrua në një nga detektivët më të dashur televiziv të dekadës.

Skenaristi Mark Frost tha për Late Show të BBC-së se, një pjesë e frymëzimit, për personazhin, ishte bashkëkrijuesi dhe regjisori i serisë, David Lynch.

David Lynch, për bukurinë në errësirë
Lexo po ashtu David Lynch, për bukurinë në errësirë

“Në njëfarë mase, atë personazh u përpoqa ta bazoja te Davidi”, tha Frost. “Shumëçka nga gjërat e çuditshme dhe vëmendja e tij për detajet – të cilat janë gjërat të cilat Davidi i ka me bollëk – dolën në sipërfaqe me atë personazh. Mendoj se interesimi i tij për obsesionet e njerëzve dhe personazhet që janë të fiksuar pas një gjëje, janë mjaft të zakonshme me gjëra e tjera që ai i ka bërë”.

Seria rrëqethëse, kinematografike dhe shpeshherë konfuze Twin Peaks, nuk ngjante me asgjë tjetër në televizionet e asaj kohe. Ngjarja e vendosur në qytetin piktoresk që mban titullin e serisë, e përcjell agjentin Dale Cooper teksa përpiqet të ndihmojë policinë lokale në hetimin e vrasjes së nxënëses së shkollës së mesme Laura Palmer – e cila interpretohej nga Sheryl Lee. Teksa Cooperi e kërkon vrasësin, dalëngadalë zbulohet sfondi i errët i qytetit që zbërthen kriminalitetin, traumat e varrosura dhe fenomenet e mbinatyrshme.

Frost më parë ishte skenarist për serinë televizive të NBC-së, Hill Street Blues. Ajo seri, me atë trupë të aktorëve, me punën e shpejtë të kamerës së dorës dhe ndërthurjen e historive rreth policisë së mbingarkuar në një zonë të brendshme të qytetit, rezultoi si risi kur u transmetua për herë të parë. Frost dhe Lynch donin të bënin diçka po aq komplekse me Twin Peaks-in, duke përmbysur pritshmëritë e shikuesve.

“Derisa në fillim të dekadës Hill Street-i [Blues] e kishte transformuar idenë e serive për policët, patëm mundësinë të bënim diçka të tillë me Twin Peaks-in. Mendoj se konvencionet e zhanrit ishin zhvilluar e nuk kishin stanguar në vitet e fundit, ndërsa seritë që kishin elementët kryesorë të atij zhanri ishin bërë të lodhshëm. Dhe, mund të ishte një mënyrë për të futur ca ide të reja dhe një qasje më të freskët ndaj telenovelave të natës – dhe, kështu disi lindi Twin Peaks-i”, tha Frost.

Lynch, i cili atëherë ishte i mirënjohur si regjisor filmi, i pa mundësitë e rrëfimit të formës së gjatë. “Gjëja e mirë e televizionit është se e keni mundësinë të bëni histori të vazhdueshme, dhe kjo është shumë interesante për mua”, tha Lynch për Late Show të BBC-së. “Kjo ishte arsyeja kryesore për ta bërë, ideja se mund ta përjetoni këtë botë, t’i njihni këto personazhe dhe t’i thurni këto probleme përgjatë javëve”.

Seria sfidoi kategorizimin, pjesërisht me procedurat policore, pjesërisht me melodramën misteriozen, me elementet e horrorit, surrealizmit dhe komedisë. Lynchi, si regjisor, solli estetikë të habitshme vizuale, duke ia dhënë shfaqjes një cilësi ëndërrimtare, gjë që ndihmohej nga tema atmosferike muzikore e Angelo Badalamentit.

E gjithë natyra s’është asgjë tjetër veçse një teatër magjik
Lexo po ashtu E gjithë natyra s’është asgjë tjetër veçse një teatër magjik

Ashtu si protagonisti Cooper, Lynch ishte jokonvencional. Brenda një skene të vetme, seria shpeshherë kalonte nga e përditshmja në diçka krejtësisht e çuditshme, me arketipet e personazheve si rinia e trazuar e motoçiklistëve apo biznesmenët e korruptuar të cilët rezultonin shumë më të çuditshëm dhe më të paqartë sesa pritej.

Tendenca e Lynchit për të skena më të gjata sesa do të priste shikuesi, sillnin pamje të bollshme – me një ndjesi trishtimi – të mjediseve të njohura amerikane të qyteteve të vogla, si darka, shkolla e mesme ose shtëpia në periferi.

“Një nga gjërat që vërtet bën me dije për veprën e Davidit”, tha Frost, “është aftësia e tij për të kapërcyer konvencionin narrativ të ngjarjes. Shumë shpesh, në film dhe në televizion, njerëzit përdorin një emocion jo për të përcjell një emocion, por për të përcjell një komplot. Ata thonë se ka pikëllim dhe ne e kuptojmë këtë, ndaj le të vazhdojmë, por ajo në të cilën Davidi me të vërtet shkëlqen është se qëndron në atë emocion dhe e lejon të bëhet sa më real që të jetë e mundur, e kjo shumë njerëzve i duket e pakëndshme. Kjo është arsyeja se pse, për mua, stili i Davidit është në të vërtetë shumë bindës dhe shumë realist”.

Pavarësisht se fillimisht u shfaq për vetëm dy sezone, para se të anulohej, Twin Peaks-i kishte ndikim të jashtëzakonshëm në shfaqjet televizive që pasuan. Jehona e natyrës së saj surreale, realitetet alternative, personazhet idiosinkratike dhe përdorimi i sekuencave të ëndrrave mund të shihen në gjithçka tjetër, që nga The X-Files, Lost dhe Fargo e deri te The OA, The Leftovers dhe The Sopranos.

E frymëzoi një legjion të adhuruesve të përkushtuar, besnikëria e të cilëve bëri që të rikthehej fillimisht si film më 1992, Twin Peaks: Fire Walk With Me, dhe më pas në një seri të tretë në vitin 2017 që do ta përmbyll popullaritetin e tij.

Dhe, në qendër të tij qëndron agjenti Dale Cooper, me gjithë entuziazmin dhe ekscentricitetin e vet, që është reflektim i vetë David Lynchit.

Siç tha Kyle MacLachlan për The Guardian në vitin 2020: “Shtova shumë tipare të Davidit në rol, qofshin këto vokalizime apo fraza të veçanta që thotë Davidi. Në të vërtetë, Dale Cooper është Davidi, jo unë”. /Telegrafi/