Mbretëresha Victoria kishte 42 nipër e mbesa të cilët ishin të shpërndarë në të gjithë Evropën dhe të ngulitur në shumë nga monarkitë e kontinentit. Kjo do të thoshte se Lufta e Parë Botërore në fund, ishte një çështje familjare.
Siç e dinë shumë njerëz që kanë studiuar pemën e tyre familjare, sa më shumë të këqyrni pemën tuaj familjare, aq më shumë surpriza ka të ngjarë të zbuloni. Mund të vini re lidhje befasuese midis degëve të largëta të pemës suaj dhe të mësoni mënyrat e papritura se si individët – ndoshta me prejardhje të ndryshme dhe që jetonin në vende të ndryshme – ndanin të njëjtën linjë gjaku.
Një shembull dramatik i kësaj që po themi, është Familja Mbretërore dhe plejada e çuditshme e lidhjeve pas Luftës së Parë Botërore. Britania mund të ishte përfshirë nga ethe të zjarrta kundër Gjermanisë, me Rudyard Kipling që paralajmëronte se ‘Huni është te porta’, por ajo që harrohet shpesh është se monarku britanik në atë kohë, George V, ishte kushëriri i parë i kajzerit Wilhelm II i Gjermanisë. Që të dy ishin nipër të mbretëreshës Victoria.
Babai i Georgeit V, Edwardi VII, ishte djali i madh i Victorias. Ai ishte bërë mbret pas vdekjes së nënës së tij në vitin 1901, duke sunduar vetëm për nëntë vite derisa edhe vetë vdiq në vitin 1910 kur George V mori detyrën. Nëna e Georgeit, meqë ra fjala, ishte Alexandra e Danimarkës – një fakt domethënës të cilit do t’i rikthehemi.
Kajzeri gjerman, ndërkohë, ishte nipi i mbretëreshës Victoria nga vajza e saj e quajtur gjithashtu Victoria, e cila ishte martuar me Frederickun III të Gjermanisë. Në fakt, lidhjet e Wilhelmit me familjen mbretërore britanike ishin shumë më tepër se një çështje gjenetike. Që fëmijë, ai ishte veshur me veshjet e malësisë për martesën e dajës së tij Bertie (i njohur ndryshe si Edward VII) me Alexandran e Danimarkës. Kur ishte adoleshent, atij iu dha Urdhri i Garterit nga Mbretëresha Victoria, madje ai do të ishte i pranishëm edhe në shtratin e saj të vdekjes.
Shumë kronistë të kësaj periudhe janë magjepsur nga marrëdhënia e vështirë e Wilhelmit me lidhjet e tij britanike, veçanërisht duke vënë në dukje armiqësinë e tij ndaj dajës Bertie – të cilin Wilhelmi e quante “pallua i vjetër” dhe madje “një Satana”. Sipas fjalëve të historianit David Fromkin, “ana gjysmëgjermane e tij ishte në luftë me anën gjysmëangleze”. Në të vërtetë, ambiciet militariste të Kajzerit në skenën evropiane mund të jenë nxitur pjesërisht nga ajo që Miranda Carter, autore e Tre perandorët: tre kushërinjtë, tre perandoritë dhe rruga drejt Luftës së Parë Botërore e quan “prekshmëria e tij adoleshente dhe dëshira pothuajse edipale për të mundur britanikët”.
Akteri i tretë mbretëror në Luftën e Parë Botërore, Cari Nikolai II i Rusisë, kishte gjithashtu një interes shumë personal në ngjarjet. Ai ishte një tjetër kushëri i parë i Georgeit V, nëna e të cilit, Alexandra e Danimarkës, ishte motra e nënës së Carit, Dagmar e Danimarkës. Përveçse ishin të lidhur ngushtë, Georgei V dhe Nikolai II ngjanin çuditërisht shumë dhe kishin krijuar një miqësi të fortë në vitet e tyre të rinisë. Lidhjet e Carit me mbretërit britanikë u forcuan më tej kur ai u martua me mbesën e preferuar të Mbretëreshës Victoria, princeshën Alix të Heses (e cila do të vdiste së bashku me të dhe fëmijët, kur familja e Carit u masakrua nga revolucionarët komunistë në vitin 1918).
Sa i përket Wilhelmit dhe Nikolait – ata ishin gjithashtu të lidhur, duke qenë kushërinj të largët nëpër shtëpitë mbretërore ruse dhe prusiane. Ata komunikuan me telegrame dhe letra përpara Luftës së Parë Botërore, duke e quajtur njëri-tjetrin “Uilli” dhe “Niki” dhe dukeshin gjithnjë e më të shqetësuar për gjasat e konfliktit midis kombeve të tyre. “Që të shmangni një fatkeqësi të tillë siç është një luftë evropiane”, i shkroi Cari Kajzerit në vitin 1914, “unë ju lutem në emër të miqësisë sonë të vjetër që të bëni ç’të mundeni për të ndaluar aleatët tuaj të shkojnë shumë larg”.
Sigurisht, konflikti shpërtheu. Pak më shumë se një vit pas dasmës së vajzës së Kaizerit, princeshës Victoria Louise të Prusisë – një rast i shkëlqyer në të cilin George, Nikolai dhe Wilhelmi ishin së bashku për herë të fundit – kushërinjtë ishin në luftë, me Britaninë dhe Rusinë aleate kundër Gjermanisë.
Masakra e paprecedentë e Luftës së Madhe – e mekanizuar, brutale – hodhi poshtë idenë se lidhjet e ngushta familjare midis familjeve mbretërore do të parandalonin kombet të shkonin në gjakderdhje. Mbretëresha Victoria ishte konsideruar si gjyshja e Evropës dhe, siç shkruan historiani mbretëror, Theo Aronson, “vështirë se kishte një oborr kontinental që të mos mburrej me të paktën një nga marrëdhëniet e saj”. Por, asnjë nga këto nuk kishte vlerë, sepse aleancat e ndryshme të shteteve në fund do t’i dënonin të gjitha me luftë. /Burimi: Sky/Përktheu: bota.al/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAparati i parë digjital dhe shansi i humbur nga Kodak-u: Zbulimi që ndodhi... para kohe!
Pse librat më qesharakë janë edhe më seriozët?
Qyteza ku ende përdoret aramaishtja - gjuha të cilën e fliste Jezu Krishti! (Video)
PROMETEUT
Pikniku i guximshëm që ndihmoi në çlirimin e Evropës nga zgjedha sovjetike
POETI
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Gjeti i pari trupin e Adem Jasharit, rrëfimi i mjekut, Gërxhaliu: Ndjeva se ‘takova’ historinë, kisha emocione dhe e putha në ballë
Rohde: Nuk kërkohet që Kosova të ketë vendim final për Asociacionin
Tragjedi nga Athina: Lojtari i Kombëtares së Greqisë, ish lojtari i Sheffield United është gjetur i vdekur në pishinë
"Unë e Fatmiri shpëtuam, por u vra Kastriot Kelmendi me babë e vëlla" - vrasjet në Kosovë, Musliu: Ja si manipulon Serbia me dokumente false
Neymar, Trent dhe 9 lojtarë të tjerë që Barcelona mund t'i transferojë falas në vitin 2025
Fanella me të cilën Palmer realizoi rekord shitet për shifër rekorde në ankand