LAJMI I FUNDIT:

PROMETEUT

PROMETEUT
Bajroni me veshje shqiptare

Poezi nga: Bajroni (Lord Byron)
Përktheu: Kujtim Morina

Titanit! Për sytë e tij të pavdekshëm,
vuajtjet që s’kanë të sosur
në realitetin e vrerosur
që zotat s’është se s’i honepsin.
Ja shpërblimi për dhembshurinë
Një vuajtje e heshtur, pa mbarim
shkëmbi, orrli dhe vargonjtë
që njerëzit krenarë ta ulin kokën,
agonia që ata nuk e tregojnë,
vuajtja nga e cila duan të shpëtojnë
që flet veçse në vetminë e saj
pastaj bëhet xheloz a mos nga lart
dikush po dëgjon dhe s’po ofshan
derisa zëri i tij të humbasë.


Titanit! i cili u gjet në një ndeshje
mes ndrydhjes dhe vendosmërisë
që e torturonte por s’e vriste
dhe Zotit të paepur,
tiranisë shurdhe të orëprerjes
principit sundues të urrejtjes
që për qejfin e saj krijon
gjërat që pastaj vetë i asgjëson,
duke iu refuzuar edhe vdekjen si lehtësim:
amëshimi që i dhurohet të mëshirshmit
ishte yti – ti i ke qëndruar fort atij.

E gjitha çfarë Hedhësi i Bubullimave mori prej teje
nuk ishte veçse kërcënimi që iu kthye mbrapsht,
mundime për ty pa fund e pa anë
fati ta solli: ta kishe parashikuar atëhere
Por a nuk do ta lehtësoje atë vetë, të tregoje
dhe në heshtjen tënde erdhi dënimi i tij,
në shpirtin e tij, një pendim pa dobi,
frika e tmerrshme ishte fshehur aq thellë
saqë në dorën e tij edhe vetëtimat trembeshin.

Krimi yt hyjnor ishte që u tregove i mirë
duke dhënë me shembullin tënd
më pak zvetënimin njerëzor
sesa forcën e njeriut me mendjen e tij,
por i çorientuar siç ishe atje lart,
ende me energjinë dhe durimin,
me qëndresën dhe refuzimin
e frymës tënde të padepërtueshme
të cilën toka as qielli s’mund ta lëkundnin
vjen një mësim i fortë dhe i trashëgueshëm:
ti je një dëshmi dhe një simbol
për të vdekshmit e fatit dhe të forcës;
si ti, njeriu është deri diku hyjnor
një rrjedhë e turbullt nga një burim i pastër:
dhe njeriu nganjëherë mund të parashikojë
fatin e trishtueshëm që i bie mbi kokë,
zvetënimin dhe rezistencën,
trishtimin e të mbeturit vetëm,
të cilës fryma e tij mund t’i kundërvihet
për t’i përballuar të gjitha rreziqet,
një vullnet i fortë, një ndjeshmëri e thellë
që madje në tortura mund të zbulojë
reagimin e përqendruar që do të ketë,
triumfal kur guxon të sfidojë
dhe të kthejë përmbys një fitore.