LAJMI I FUNDIT:

David Gilmour dhe Polly Samson për vdekjen, drogën, jetën martesore dhe grupin Pink Floyd

David Gilmour dhe Polly Samson për vdekjen, drogën, jetën martesore dhe grupin Pink Floyd
Partnerët në rima: Polly Samson dhe David Gilmour

Kitaristi David Gilmour dhe gruaja e tij, shkrimtarja Polly Samson, flasin me gazetarin e gazetës The Independent, Geordie Greig, për bashkëpunimin e tyre në albumin e ri, për sekretin e dashurisë së tyre, për frikën nga vdekja dhe përse nuk do të ketë kurrë ribashkim të grupit Floyd së bashku me Roger Watersin.
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

“Gjatë izolimit, u fiksova nga mendimi se Davidi mund të vdesë dhe të më lërë vetëm – ishte ndjesi e padurueshme, e dhimbshme,” thotë Polly Samson, 62 vjeçe, teksa flet për David Gilmourin, 78 vjeç – kitaristin e grupit Pink Floyd, legjendën e rokut dhe bashkëshortin e saj për 30 vjet.

Agonia dhe ekstaza përplasen në Luck and Strange, albumin e tij të parë solo pas nëntë vjetësh, që doli këtë javë. Frika e saj parësore se ai ka për të vdekur para saj dhe se dashuria e tyre është e pandryshueshme, janë thelbi i albumit, një himn për një martesë të qëndrueshme në rokënrol. Tekstet e saj delikate dhe të sinqerta përshtaten pa probleme në krijimtarinë e tij, ndërsa partneriteti i tyre profesional shtrihet në më shumë se tre dekada – qëkur Samsoni nisi të shkruajë si për Gilmourin ashtu edhe për grupin Pink Floyd.


Teksa flasin, të dy në fakt rrinë pezull mbi ujë, në lumin e Temzës, në anijen Astoria – studion e Gilmourit.

Është gjë e rrallë që ata të qëndrojnë larg fermës së tyre në Suseks, ku u mbyllën pothuajse hermetikisht gjatë periudhës së koronavirusit dhe për një kohë të gjatë më pas. Kjo i shtyri të përqendroheshin. Nisën të shkruajnë, të kompozojnë, të këndojnë dhe përfundimisht të incizojnë – tekstet e saj poetike të shoqëruara nga zëri i tij që vajton melodinë.

“Duke menduar se si do të ndahemi / Do ta mbaj unë dorën tënde apo ti do të mbash timen?”

“Frika ime dërrmuese nga vdekja e Davidit ishte ajo për të cilën folëm pafundësisht, por kur pjesa tjetër e vendit u hap, ne nuk dolëm – mbetëm të mbyllur,” shpjegon ajo.

Në album është një incizim i djalit të tyre, Joe Gilmour, tani 29 vjeç, nga një kasetë kur ishte fëmijë, duke thënë: “Këndo baba”. Ky incizim u përdor ashtu si edhe një incizim nga një seancë që kitaristi kishte në shtëpinë e tij me tastieristin e grupit Pink Floyd, Rick Wright, pak para vdekjes së tij në vitin 2008. Aty është edhe vajza e çiftit, Romany, duke kënduar dhe duke luajtur në harpë. Djali i tyre Charlie, shkrimtar, ka shtuar disa vargje. Është një projekt familjar, nga fillimi deri në fund.

Bisedojmë për dashurinë e Samsonit për notin në ujë të ftohtë dhe për pikëpamjet e Davidit për politikën. “Keir Starmer duket si burrështetas, pavarësisht faktit se ai ishte përgjegjës i Prokurorisë Publike kur Charlie u burgos për sulmin në memorialin e luftës [gjatë një proteste studentore të vitit 2010]. Por, e kemi falur!”

Me mjekër të thinjur dhe bluzë të zezë, Gilmour më shumë dëgjon sesa flet. “Vdekshmëria është diçka për të cilën kam menduar shumë gjatë, qëkur isha 13 vjeç … Ndoshta në shumicën e këngëve që kam shkruar ndër vite, ajo është tema kryesore. Por, kur arrin moshën time, duhet të jesh realist dhe të kuptosh se pavdekësia nuk është më opsion,” thotë ai.

Gjatë izolimit në Suseks me disa nga fëmijët e tyre, ata krijuan një podkast disi të rastësishëm, Von Trapped (një referencë e zgjuar për filmin The Sound of Music), ku pothuajse gjithmonë këndonin dhe performonin. Ai u shndërrua në një hit viral, që buronte nga promovimi digjital i romanit të Samsonit, A Theatre for Dreamers – pasi koronavirusi ndaloi turneun për librin, duke mos i dhënë mundësinë të vizitonte asnjë librari. Koronavirusi për një kohë të gjatë ndryshoi stilin e tyre të jetesës. “Në disa mënyra, ende jemi si hobitët – që atëherë kemi qenë në jo më shumë se dy raste me 10 njerëz në një dhomë,” shton ai.

Gjatë drekës në kuzhinë, Gilmour instinktivisht rrëmben kitarën (pesë vjet më parë nxori në ankand më shumë se 120 kitara nga koleksioni i tij, të cilat u shitën për mbi 22 milionë dollarë – të gjitha për eko-bamirësi) dhe ngatërrohet me rregullimin, duke përdorur një thikë kuzhine për të rrotulluar një vidë, tehun e brisku t… për të arritur te tingulli i tij unik, i ngrohtë dhe monumental. “Duar prej dhjetë milionë dollarësh,” them unë. Kitara e tij e preferuar për koncertet e ardhshme këtë vjeshtë është ajo që ai e quan Black Cat Strat.

“Nuk është i kujdesshëm me ato duar në fermë, e ato janë bota e tij,” thotë Samsoni. “Duhet të shohësh se çfarë bën kur vjen nga pylli, ndonjëherë i prerë dhe i mavijosur.” Gilmour qesh dhe tregon se si një nga gishtat e tij kishte nevojë për ndërhyrje mjekësore.

Të dy janë ankoruar në jetën familjare – qentë, shëtitjet e gjata, fëmijët dhe nipërit e tyre – dhe duket se ende janë të dashuruar me njëri-tjetrin. Ata bëjnë shaka dhe debatojnë. Përfundojnë fjalitë e njëri-tjetrit. Epo, kryesisht ajo. Shikimet e tyre rrallëherë largohen nga njëri-tjetri. Intimiteti i tillë shpaloset në tekstet e këngëve.

“E dashur, mos e bëj çajin / Rri dhe dremit me mua / Nuk jam gati për lajmet / As të largohem nga kjo mbrojtje.”

Por, ndonëse merren me vdekjen, ata janë pozitivë, tërheqës, kureshtarë dhe me këmbë në tokë. E qeshura i karakterizon më shumë sesa fytyrat e mërrolura. Tekstet e Samsonit i bëjnë jehonë asaj që poeti Andrew Marvell shkroi në poezinë e tij të pavdekshme Për dashurinë e tij të ndrojtur (To His Coy Mistress): “Varri është një vend i veçantë dhe intim, / por mendoj se aty askush nuk çon dashuri” – por, ajo beson se dashuria gjithçka pushton.

Lidhja e tyre e dashurisë filloi në një festë në studion e vjetër të David Hockneyt në Noting Hill, kur miqtë i prezantuan ata më shumë se tri dekada më parë. Shumë shpejt lindi romanca mes kitaristit të grupit Pink Floyd dhe vajzës së një gruaje që ishte major në Ushtrinë e Kuqe të Maos. Gilmouri ishte 46 vjeç dhe ajo 30; djali i profesorëve të Kembrixhit, i magjepsur nga një nënë beqare (Samsoni kishte të birin Charlie, nga lidhja me poetin Heathcote Williams).

“Nuk mund të kujtoj shumë nga detajet e atij takimi të parë,” thotë Gilmour. “Mos u shqetëso, unë i mbaj mend,” shton Samsoni dhe e ngacmon: “Mund ta poshtëroj Davidin!” “Është një nga zanatet e saj të preferuara,” shton ai.

Janë të qarta kujtimet e saj për takimet e tyre të hershme: “Më kujtohet se pas disa darkave, në dhjetor 1990, ai tha: ‘Nesër shkoj për ski, a do të vish?’ I thashë: ‘Nuk kam biletë aeroplani!’ Ai tha: ‘Në rregull; unë jam piloti.’ ‘Çfarë do të thotë që ti je piloti?’ ‘Fluturoj me aeroplanin tim!’ ‘Ke aeroplan?’ ‘Po, i kam shtatë!’”

Më pas, ajo e ngacmon. “Por, në të vërtetë,” thotë me gjysmë shaka, “mendoj se në fillim donte që unë të vija për t’u kujdesur për fëmijët e tij, sepse më tha: ‘Dadoja më ka zhgënjyer, a do të doje të vije?’” Ai qesh me rrëfimin e saj. Dhe, kështu, ata kanë tre fëmijë së bashku (ai ka gjithsej tetë) dhe djali i saj Charlie është birësuar ligjërisht nga Gilmouri.

Gjithmonë ka qenë drithëruese fama dhe pasuria ekstreme e grupit Pink Floyd, duke i bërë të pasur të gjithë anëtarët. Dhënia e shumave të mëdha për bamirësi, ka qenë pjesë e identitetit të tij. Por, Samsoni hodhi një “bombë” vitin e kaluar, kur postoi në Twitter për ish-udhëheqësin e grupit, Roger Waters, i cili u largua nga Pink Floyd në vitin 1985. Ajo e akuzoi Watersin se ishte “antisemitik në rrënjën e tij të kalbur,” gjatë një debati në internet mbi Izraelin. Ajo gjithashtu pretendoi se ai ishte “apologjet i Putinit,” pasi Watersi, në një intervistë, tha se pushtimi rus i Ukrainës ishte “ndoshta pushtimi më i provokuar.” Në reagim, Watersi tha se ishte “i vetëdijshëm për komentet ndezëse dhe jashtëzakonisht të pasakta të bëra në lidhje me të në Twitter nga Polly Samson, të cilat ai i hodhi poshtë.”

Kjo rindezi luftën e katër dekadave midis floidianëve, e cila u përqendrua në përpjekjet e Watersit për të shuar grupin pas largimit të tij. Pyes nëse do të ketë ndonjëherë ribashkim, dhe përgjigja e Gilmour është një “jo” e qartë, nëse është fjala për përfshirje të Watersit. Sa i përket ribashkimit të pjesshëm me bateristin Nick Mason, kjo nuk përjashtohet plotësisht. Por, sot, ai është i fokusuar në albumin e tij. “Kurrë nuk jam kënaqur kaq shumë.” Ai solli muzikantë të rinj, një producent të ri, dhe është po aq i freskët dhe magjepsës sa gjithçka që ka bërë më parë. Çelësi për këtë ka qenë partneriteti me Samsonin.

Pyes për atë takimin e parë dhe se çfarë e preku Gilmourin në lidhje me Samsonin, në vitet 1980, kur ajo shkruante për The Sunday Times. Ai thotë: “Që në fillim ishte e dashur, e mrekullueshme dhe e artikuluar në mënyrë të frikshme. Kjo gjithmonë më ndihmon – artikulimi.” Gilmour është modest për zgjedhjen e kujdesshme, madje edhe hezituese të fjalëve, ndryshe nga Samsoni që është përrua me një rrjedhë të shpejtë të artikulimit – ndoshta nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se romanet dhe tekstet e saj janë të përcaktuara nga gjuha precize dhe bindëse.

Ajo vazhdon me kujtesën, duke treguar se shpesh rrinin ulur pranë njëri-tjetrit, bashkë me miqtë e tyre. “Davidi më kërkoi të shkoja me të në një ngjarje bamirësie, duke thënë: ‘Kam nevojë për dikë që të vijë me mua, se pastaj do rrethohem nga gratë!’ Mendova se donte që dikush të ishte si shoqëruesja e tij.” Gilmour shton: “Po, mirë de, disa nga fjalët e mia nuk ishin të duhura.” Samsoni vazhdon: “Besoj se ai tmerrohej nga refuzimi.” Ai qesh me ngacmimin e saj, ashtu si ajo.

Rokënroli ka pasur gjithmonë shumë viktima, dhe Samsoni dhe Gilmour besojnë se e shpëtuan njëri-tjetrin. Tekstet në Luck and Strange gërmojnë momentet më të errëta në jetën e kitaristit. “Definitivisht, e shpëtuam jetën e njëri-tjetrit,” thotë ajo. Kjo bëhet e qartë kur pyes për tekstin e këngës The Piper’s Call, me rreshtin paralajmërues: “Bëje gjithçka që të largohesh nga gjarpërinjtë.”

Kush janë gjarpërinjtë? “Tundimet,” thotë Samsoni.

Gilmour është më i saktë: “Ka të bëjë me tundimet në jetën që kam çuar.”

Jeta e tij si yll ka të bëjë me hedonizmin e viteve 1960, 1970 dhe 1980 – derisa u takua me Samsonin, kur ajo e ndryshoi atë në mënyrë dramatike. Por, a janë këto tekste një referencë për ndërmjetës? “Mund të jetë droga; mund të jetë çdo gjë. Ajo që dua është që njerëzit të mbërthejnë këngën, kështu që zbërthimi i secilit varg nuk është i dobishëm,” thotë ajo.

Pra, po flasim për drogën?

Gilmour: “Askush nuk e kalon rokënrolin pa …,” thotë dhe ndalon. Samsoni shton fjalën: “Kokainë!” Ai as nuk mohon, as nuk pranon.

Po për shqetësimet për shëndetin e tij?

“Epo, sigurisht që Polly merakosej,” thotë ai. “Ishte një kohë kur i lija gjërat të vazhdonin – pija shumë, përdorja shumë kokainë, të gjitha ato gjëra. Dhe kjo mbaroi kur ne [Polly dhe unë] filluam.”

Pra, Samsoni ishte shpëtimtarja e tij?

“Po … dhe nuk kam qenë pranë asnjërës prej këtyre gjërave për më shumë se 30 vjet,” thotë Gilmour. Ajo vazhdon: “E shpëtuam jetën e njëri-tjetrit.”

Gilmour: “Po kaloja një kohë të vështirë me grupin tim, me marrëdhëniet e mia, të gjitha ato gjëra. Në fillim të viteve tetëdhjetë, kalova një kohë vërtet torturuese; nuk e vura re se isha jashtë kontrollit … Nuk do të të quaj dhuratë, Polly, por diçka erdhi në jetën time që ishte e vërtetë dhe ajo nuk e duronte atë [drogën]. Më duhej vetëm një goditje e vogël, në mënyrë që ta lija pas vetes.” “Nuk mund të veproja ndryshe,” thotë Samsoni. “Isha nënë beqare. Për mua ishte e panegociueshme dhe këtë e kam bërë të qartë.”

Gilmouri i jep Samsonit meritën për transformimin e tij. “Nuk ka shumë gra që do të kishin forcën e Pollyt për t’u ballafaquar me këtë,” thotë ai. Ky ishte ultimatumi i saj. “Në të vërtetë ishte: ‘Nëse e bën sërish, unë iki’,” thotë Samsoni. “Do të përmend një incident si ilustrim, por që është mjaft qesharak. Në një darkë bamirësie në një nga ato hotelet e mëdha në Belgravi, Davidi u zhduk në mes të darkës, në tualet, me menaxherin e tij të atëhershëm, dhe kur u kthye e dija se çfarë kishte bërë – diçka që ai premtoi se nuk do ta bënte më. Thjesht i thashë: ‘Sapo more kokainë?’ Meqë ai nuk mundi të më gënjejë, kisha një gotë shampanjë në dorë dhe ia derdha në fytyrë. Por, ai u shmang. Mora Douglas Adamsin (autor), meqë isha aq e tmerruar nga ajo që kisha bërë, dhe dola … Vrapova poshtë Parkut Lejn, vërtet e mërzitur, dhe ai vraponte pas meje duke thënë: ‘Nuk do ta bëj më kurrë.’ Policia e pa këtë njeri që më ndiqte dhe më pyeti nëse po më shqetësonte. I thashë po, dhe ata shkuan ta arrestojnë, por më pas polici i tha: ‘Ti je Dave Gilmour?’ Në këtë moment, të dy filluam të qeshnim … Kjo disi e shpëtoi situatën.” Dhe, kjo ishte hera e fundit që ai përdori kokainën.

Po Gilmouri, që shpëtoi jetën e Samsonit? Menjëherë pasi nisën të takoheshin, ajo vuante nga një sëmundje, pothuajse në varfëri ekstreme dhe me një fëmijë të vogël për të cilin kujdesej vetë. E dëshpëruar, iu drejtua atij kur po shkonte drejt rrënimit emocional dhe fizik, dhe ai qëndroi me të. “U kujdes për mua dhe për Charlien, dhe me të vërtetë mendoj se ai ma shpëtoi jetën.”

Dhe pjesa tjetër është histori. Teksa kujdesej për të, ai regjistronte këngët për albumin e grupit Pink Floyd të vitit 1994, The Division Bell, dhe kthehej në shtëpi për të interpretuar disa prej këngëve. “Më pas unë mërmërisja … duke mos menduar se po shkruaja tekste; dhe ai i provonte këto gjëra, dhe unë thosha: ‘Kjo nuk është në rregull. Jo, jo, do ta rishkruaj për ty!’ Kështu filloi gjithçka.”

Teksa planifikojnë një turne të vogël botëror në vende të zgjedhura, ata do të jenë në rrugë përpara se të kthehen në jetën e tyre të mbyllur – hermetikisht së bashku. Por, Luck and Strange mund t’i zhbllokojë dhe çlirojë. “Na ka pëlqyer ky album dhe po planifikojmë tjetrin.” Jo më pritje nëntëvjeçare. Asnjë roman i bllokuar më nga koronavirusi.

Dhe, pyetja e fundit: çfarë do të ndryshonin te njëri-tjetri? Në unison, përgjigja është: “Asgjë!” /Telegrafi/