Nga: Rudolf Marku
Mora vesh nga një telefonatë e mikut tim poet, Aleksandër Shallvarit, i cili jeton prej shumë vitesh në Itali, ikjen nga kjo botë të Nard Bushatit. Aleksandri fliste nga Italia. Më tha, me zë dridhës, se është shuar Nard Bushati. Në fillim ky emër nuk po më kujtonte asgjë. Sikur ta ndjente harresën time, Aleksandri më thotë se ka qenë drejtor i Klubi të Rinisë e të Kulturës në Gjuhadol, Shkodër … Atëherë fleshat e kujtesës më çuan përnjëherë në vitin 1990, në qytetin e Shkodrës.
Së bashku me Padër Zef Pllumin dhe Aurel Plasarin (Padër Zefi ishte veshur me rroba të zakonshme civile, sepse nuk i lejohej të vishte as veladon e as të quhej françeskan), u takuam në Lidhjen e Shkrimtarëve, lart në tarracë. Ishte fund dhjetori.
– A e dini se më 30 dhjetor asht 50-vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës?
I thamë se e dinim.
– Atëherë duhet ba diçka me e kujtue këtë përvjetor – tha padër Zefi, me sytë që i shkëlqyen dhe më fort se zakonisht!
Kështu ndodhi që u nisëm për Shkodër, me një makinë shkatarraqe, shoferi i së cilës u ofrua të na ndihmonte: Padër Zef Pllumin, Aurel Plasarin, mua dhe dy të tjerë që menjëherë shprehen dëshirën të vinin dhe ata me ne – aktori i mirënjohur Ndrek Luca dhe përkthyesi Jorgo Bllaci.
– U bëmë pesë, sa heronjtë e Vigut – e ngacmoi Padër Zefin, Aureli
– Por, veç mos patshim fatin e tyne – ia kthej, i gatshëm, Padër Zefi.
Më të mbërritur në Shkodër, dolëm në rrugë për të zgjidhur një vështirësi, të cilën nuk e kishim menduar që më parë: të gjenim një sallë a një vend të përshtatshëm ku të flisnim. U kujtova se drejtor i Pallatit të Kulturës ishte një këngëtar i njohur, B. A., me të cilin kisha të njohje shoqërore, ngase ai kishte kënduar një këngë me tekstin tim (“Portreti”, kompozimi i Aleksandër Lalës, pasi këngëtari i parë i saj, Sherif Merdani, qe futur në burg). U takuam me A. B.-në, të cilit i thashë të na ndihmonte me sallën e Pallatit të Kulturës. I thashë se do të përkujtojmë 50-vjetorin e At Gjergj Fishtës. Bashkëbiseduesi im u skandalizua.
– Shiko – më thotë – Ke luajtur menç? Të kujtosh një reaksionar si Fishta dhe ku, në Pallatin e Punëtorëve?
– Jo në Pallatin e Punëtorëve, por në Kishën e Françeskanëve – ia ktheva.
U skandalizua dhe më tepër dhe u largua pa më përshëndetur. U kujtova se ish-profesori im i Historisë në gjimnaz, I. B., ishte zgjedhur kryetar i Bashkimeve Profesionale për Shkodrën.
E kujtoja si një njëri të ditur dhe mendjehapur. Shkova në zyrën e tij. Më priti miqësisht, derisa i thashë dhe atij se kërkonim një sallë për përkujtimin e At Gjergj Fishtës. Përnjëherë u ngrit në këmbë, u zbeh në fytyrë dhe më thotë:
– Nuk e kuptoj guximin tënd që të më bësh një kërkesë të tillë në zyrën time! Nuk paske ndryshuar hiç!
Puna e sallës po bëhej gati e pazgjidhshme, kur befas një miku im më thotë:
– Le t’i themi Nard Bushatit. Është kryetar i Klubit të Rinisë, këtu në Gjuhadol. Është një sallë e mrekullueshme që mund të zërë mbi 400 vetë; ish-Kuvendi i Motrave Stigmatine.
Isha i bindur që dhe Nard Bushati do të refuzonte. Njerëzit ishin ende të trembur dhe nuk iu vija faj që ishin të tillë. Sidoqoftë, le ta provojmë. Dikush hyri në ndërtesën e bukur dykatëshe për ta thirrur Nard Bushatin se e kërkojnë jashtë. Dhe, pas dy minutash, pashë një burrë shtatlartë, me një fytyrë jashtëzakonisht miqësore dhe të mirë, që buzëqeshte. Ah, thash me vete, më së fundi. Erdhi dhe më toku duart duke i shtrënguar fort. Ia thashë arsyen përse kisha kërkuar ta takoja. Dhe, ai, përnjëherë, krejt ndryshe nga këngëtari njohur dhe nga profesori i ditur, ai të cilin e takoja për herë të parë në jetën time, më tha:
– Gjëja më e lehtë në botë. Veç nuk e di a ka me të pëlqy salla!
Ky ishte takimi im me Nard Bushatin. Hymë brenda dhe pashë sallën e madhe, me llozha anësore si një teatër vjenez! Nuk mund të përfytyroje ambient më të përshtatshëm për të kremtuar 50-vjetorin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, për herë të parë që nga viti 1944.
Dhe, kurrë nuk mund ta harrojë mirësinë e pabujshme, fisnikërinë e paartikuluar të atij njeriu që e takoja për herë të parë. Salla, vendet e uljes, vendi nga ku do flisnim, fonija, ndriçimi – gjithçka u përgatit nga ai. Gjë që e morëm vesh më vonë, sepse ai nuk na tha asgjë. Ai takim u bë i mundur nga Nard Bushati – nga ky njeri që asnjëherë nuk e përmendi këtë fakt. Asnjëherë të vetme. Aq sa jam i bindur se dhe njerëzit që do shkruajnë sot për të, këtë gjest fisnik, kurajoz, antikonformist, nuk do ia përmend askush …. Dhe, është një ngjarje që do mbahet mend në Shkodër për një kohë të gjatë. Asnjë nga aktorët e mëvonshëm të politikës nuk kishte guxuar të vinte si spektator. Në rreshtin e parë mbaj mënd përkthyesin e madh, Gjon Shllakun, me zonjën e tij, Netën. Asnjë nga profesorët zyrtarë, asnjë krijues shkodran.
Në të kundërt, ca njerëz me integritet burrëror, Ded Kasneci, Zef Gjoni, Viktor Martini, Rrok Bardeli ishin mbledhur vetvetiu, pa u thënë kush, që të na mbronin nga ndonjë provokim i mundshëm. Dhe, salla e mbushur përplot dhe të paktën dhe 500 njerëz të tjerë që mbushnin oborrin e jashtëm dhe dëgjonin nga një altoparlant të montuar sipër një peme dhe që duartrokisnin ngase për herë të parë, që prej vitit 1944, dëgjonin emrin e At Fishtës të përmendej si Poeti Kombëtar i tyre. Dhe jehona e këtij takimi ka vazhduar më vonë, që nga një shkrim sharës botuar në “Zërin e Popullit” (gjë që na bënte aq shumë nder!), së bashku me një video të këtij aktiviteti i cili ka qarkulluar vite më radhë sidomos në ambientet e shqiptarëve të Amerikës.
Dhe, Nard Bushati, ikja e të cilit nga kjo botë u bë shkak për këtë shkrim, nuk erdh as pas mbarimit të përkujtimit. Dhe, as në ditët e vitet e mëvonshme. Nuk donte të merrte falënderimet tona. Ishte aq i mirë dhe aq modest, sa preferoi të fshihej në një anonimat që e lartëson sot e kësaj dite figurën e tij prej njeriu të mrekullueshëm! /Panorama/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje