LAJMI I FUNDIT:

Dyshimet për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut, flet pronari i biznesit të dëmtuar

Dyshimet për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut, flet pronari i biznesit të dëmtuar

Një zjarrvënie që dyshohet se u shkaktua nga persona të dyshimtë në dy kamionë në Mitrovicë të Veriut, ka shkaktuar dëme edhe në një biznes pranë zonës.

Menaxheri i lokalit “Elaa 1”, Gylshen Potoku ka thënë se nuk e di saktë se çfarë ka ndodhur, por si pasojë e shpërthimit lokali tij ka dëme me vlerë 25 mijë euro.

“Është një kosto e dëmit prej 25 mijë euro, si kompani neve na peshon, por sido që të jetë punën duhet me vazhdu. Më ka çuditë se jena këtu bukur shumë moti, kjo kompani ekziston 15 ose ma tepër vjet që funksionon veç në veri i distribuojmë mallrat në komunat e veriut. Për këtë arsye ka qenë befasi për neve se ka pasë situata ndoshta edhe ma të rënda edhe nuk kena pasë këso ndodhi”, tha menaxheri Potoku për Kallxo.com.


“Sipas fqinjëve këtu, që i kena afër, ata thanë se tri herë ka kërsit. Nuk po e dimë as na me çfarë materie ka ndodhë. Por rreth orës 12:30 fiks ata kanë intervenu meniher policia edhe zjarrfikësit. Qysh shihet edhe vetura e një profesorit serb, i komunitetit serb ka pësu për shkak të maunave. Kanë qenë dy mauna të parkume, janë të dyja të dëmtume totalisht, të papërdorura”, ka thënë Potoku.

Digjen dy kamionë në veri - zjarri përfshiu edhe një veturë që ishte afër tyre
Lexo po ashtu Digjen dy kamionë në veri - zjarri përfshiu edhe një veturë që ishte afër tyre

Ai shton se kanë bashkëpunim të mirë me komunitetin serb.

“Marrëdhëniet ose bashkëpunimi mes neve edhe tyre ka qenë shumë i mirë, s’po muj me thënë kurrgjë hiç, a ka qenë me motive politike apo me motive të tjera mbetet të shihet pas hetimeve të policisë, ende nuk po muj me thënë kurgjo. Nuk po më jepet me thënë që ka qenë motiv politik ose motiv nacional po gjithçka mundet me ndodhë”, përfundoi ai.

Persona të dyshimtë u kanë vënë zjarrin dy kamionëve dhe si pasojë është djegur edhe një veturë në rrugën “Mbreti Petri” në Mitrovicë të Veriut.

Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Dyshohet se persona të dyshimtë kanë vënë zjarr në dy kamiona (zjarri u është vënë mbi motor) që ishin të parkuar para magazinës së tyre. Një veturë poashtu është dëmtuar si pasojë e zjarrit”, ka deklaruar Elshani.

Sipas tij, në këtë rast nuk ka lëndime në njerëz. Ndërkohë, siç thotë ai, policia po punon në ndriçim e rastit i cili është cilësuar si zjarrvënie. Rasti ka ndodhur rreth orës 1:00 sot më 09.07.2024. /Kallxo.com/