LAJMI I FUNDIT:

Lirohet nga spitali i Massachusetts pacienti të cilit i është transplantuar veshka e modifikuar e derrit

Lirohet nga spitali i Massachusetts pacienti të cilit i është transplantuar veshka e modifikuar e derrit

Pacienti i parë të cilit i është transplantuar veshka nga një derr i modifikuar gjenetikisht është liruar nga spitali.

Për të realizuar transplantin, Richard “Rick” Slayman i është nënshtruar një operacioni katër orësh në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts (MGH) në Boston.


Dhe këtë vendim 62 vjeçari e ka ndërmarrë pasi vuan nga insuficienca renale në fazën e fundit, sëmundje kjo kronike ku veshkat nuk mund të funksionojnë më vetë.

“Ky moment, duke u larguar nga spitali, është ai që do të doja të vinte për shumë vite. Tani është një realitet dhe një nga momentet më të lumtura të jetës sime”, tha Slayman.

Ai falënderoi të gjithë stafin mjekësor të cilët janë përkujdesur për të para dhe pas transplantit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Jam i emocionuar të kaloj kohë me familjen, miqtë dhe të dashurit, i lirë nga dializa që ka ndikuar në cilësinë e jetës sime për shumë vite”, shtoi Slayman, duke i falënderuar të gjithë ata që kanë parë dhe dëgjuar historinë e tij.

Se ky operim ishte mjaft i rëndësishëm për spitalin dhe stafin mjekësor është deklaruar edhe drejtori i spitalit për transplantin e veshkave, Dr. Leonardo Riella.

Ndryshe, kirurgjia e suksesshme ka nxitur shpresat se transplantet nga kafshët te njerëzit, apo ksentransplantimi, mund të adresojë mungesën globale të organeve të donatorëve.

Bëhet e ditur se veshka që mori Slayman u modifikua nga kompania eGenesis me bazë në Massachusetts.

Organi është modifikuar gjenetikisht duke përdorur teknologjinë për të larguar gjenet e dëmshme të derrit dhe për të shtuar gjene të caktuara njerëzore. /Telegrafi/