LAJMI I FUNDIT:

Hapet fond për të ndihmuar vëllain dhe motrën e 18-vjeçarit që u rrah për vdekje në Podujevë

Hapet fond për të ndihmuar vëllain dhe motrën e 18-vjeçarit që u rrah për vdekje në Podujevë

Është hapur fond humanitar për të ndihmuar familjen e Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit që vdiq ditë më parë pasi u rrah brutalisht nga dy të mitur në Podujevë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i familjes, Tomë Gashi, i cili në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar edhe të dhënat e fondit për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë.


Tomë Gashi: Duhet të mendojmë vendosjen e dënimit me vdekje në Kosovë, e heqim atë një ditë para anëtarësimit në BE
Lexo po ashtu Tomë Gashi: Duhet të mendojmë vendosjen e dënimit me vdekje në Kosovë, e heqim atë një ditë para anëtarësimit në BE

“Fondi është hapur – ta ndihmojmë familjen e Lulzim Fejzullahut! Ne foto jane te dhënat e llogarisë/fondit te hapur ne emër te Gëzim Fejzullahut, vëllait te Lulit”.

Gashi tutje ka thënë se paratë që mblidhen destinohen vetëm për vëllain dhe motrën e 18-vjeçarit, të cilët siç ka njoftuar avokati, për arsye shëndetësore, nuk mund të punojnë.

Ndryshe, 18-vjeçari ka vdekur më 20 janar 2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas e ka ricilësuar në “Vrasje”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit”, thuhej në njoftimin e prokurorisë. /Telegrafi/