Në gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dëshmitari Predrag Dediq ka rrëfyer për zhdukjen e djalit të tij, Bobanit.
Dëshmitari përmendi komandantin e UÇK-së, Ismet Tarën, për të cilin tha se ishte i njoftuar për zhdukjen e djalit të tij dhe se ai vetë (Tara) i kishte thënë se e dinte edhe vendndodhjen e Bobanit.
“E tha vetë, nga ta dija unë. Ai tha: ‘E dimë ku është, që është më e rëndësishme që nesër paradite do të vijmë bashkë me djalin dhe Stefanin’. Fjalët e tij ishin këto”, tha dëshmitari i Prokurorisë duke iu përgjigjur gjyqtarit Christoph Barthe.
Në seancën e së enjtes, pyetjet kishin të bënin me raportin e nxjerrë nga seanca përgatitore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar më 13 shtator 2023 dhe deklaratat e dëshmitarit për takimet me Ismet Tarën dhe ushtarin gjerman të KFOR-it, të quajtur Stefan.
Dediq u pyet nëse i kujtohej që kishte thënë se pas rrëmbimit të djalit të tij ishte takuar me Ismet Tarën të nesërmen dhe se Tara i kishte thënë se paramilitarët i kishin marrë djalin dhe se nuk dinte ku ndodhej.
“E takova dhe shkova në drejtim të KFOR-it. Po shkoja te KFOR-i, ai më pyeti se pse po shkon aty tani dhe unë iu përgjigja: ‘Po më pyet, se ti the se do vije me djalin tim, ti nuk erdhe me djalin dhe ai më tha: “Tani nuk e di ku është”. Papritmas ai tha se nuk e di ku është. Nuk e di pse tha diçka të tillë”, shtoi dëshmitari Dediq.
Ai tutje ka deklaruar se Ismet Tarën nuk e ka parë që nga qershori i vitit 1999.
Gjyqtari Barthe e njoftoi dëshmitarin se Ismet Tara kishte dhënë deklarata për zhdukjen e djalit të tij dhe për atë.
“Nuk e di a e dini ju që z.Tara ka folur për ju, për zhdukjen e djalit tuaj në disa raste. Në këtë deklaratë, z.Tara për zhdukjen e djalit tuaj dhe për ju, z.Tara pretendon se nuk iu ka detyruar të largoheni nga banesa, por në të vërtetë iu ka ndihmuar pasi që ju ishit në rrezik, duke qenë familja e vetme serbe që jetonit në atë pjesë të Rahovecit në atë kohë dhe ai është krenar që ju ka shpëtuar jetën se kishin mundur të ndodhin gjëra të tjera”, tha gjyqtari Barthe.
Gjatë dëshmisë së tij Dediq pretendoi se shqiptarët e kanë kërcënuar dhe i kanë bërë shantazh për ta detyruar të shesë banesën e tij.
“E plaçkitën e vodhën çdo gjë. Erdhën dhe kërkuan t’ua shisja dhe unë ua shita për 8 mijë marka. Shqiptarët që erdhën dhe më kërkuan t’ua shisja më bënë shantazh. Më thanë në qoftë se e shet sot ta blejmë për 8 mijë marka, nesër do ta marrim për 5 mijë marka, kështu që unë e shita për 8 mijë marka atë ditë përmes një shqiptari tjetër. Personit që mundësoi shitjen i dhashë 500 marka”, tha Dediq.
Ndërkaq, gjyqtari Christoph Barthe vërejti kontradiktat në dëshminë e Dediqit në lidhje me deklaratat e Ismet Tarës.
Barthe përmendi se Ismet Tara kishte deklaruar se Dediqi dhe bashkëshortja e tij nuk i kishin thënë atij se Bobani ishte rrëmbyer nga UÇK-ja, por kishin thënë se kishte shkuar në qytet dhe s’ishte kthyer më.
Dediq reagoi duke thënë se djali i tij ishte zhdukur në prani të nënës së tij.
“Sikurse ju kam thënë, ai u zhduk në praninë e nënës së tij, ata u larguan bashkë. Si ka mundësi që ata lanë nënën vetëm atje dhe morën vetëm djalin”.
Gjithashtu, gjyqtari Barthe theksoi se Ismet Tara pretendonte se Dediqi nuk ishte mbajtur në stacionin e Policisë dhe më pas ishte liruar nga ndërhyrjet e KFOR-it, por dëshmitari mohoi këtë.
“Ajo që është e vërtetë është që unë shkova vetë në stacionin e Policisë për t’u interesuar dhe atje më mbyllën. Ishte e vërtetë që kam qenë në burg, më burgosën atje, më mbajtën atje”- pohoi dëshmitari.
Gjyqtari Barthe bëri të ditur se Ismet Tara pretendonte se Dediqi dhe bashkëshortja e tij ishin takuar 10-15 herë pas zhdukjes së Bobanit në prani të ndërkombëtarëve, dhe pohoi se disa prej këtyre takimeve ishin zhvilluar në stacionin e Policisë. Megjithatë, Dediq e mohoi këtë duke deklaruar se janë takuar vetëm 3-4 herë.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, pyeti Dediqin për shprehjen ”paramilitarë”. Dediq shpjegoi se nuk ishin një ushtri e rregullt, por vetë Ismet Tara i kishte quajtur “paramilitarë” ata persona që kishin veshur uniforma dhe thoshin se ishin ushtri.
Ai pretendoi se këta “paramilitar” ishin shqiptarë.
“Nuk ishte ushtri tamam, ishin thjesht persona që kishin veshur vetë uniforma edhe thonin që ishin ushtri. Për mua nuk kishte rëndësi, a ishin ushtri apo paramilitarë. Po Tara më tha, këta janë paramilitarët me këto uniforma”-deklaroi dëshmitari Dediq.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. /Kallxo.com/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëMe inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Vogel: Për sa kohë BE-ja dhe SHBA-ja e 'ledhatojnë Vuçiqin', Kosova do të jetë në rrezik
Sarajeva e para, Prishtina qyteti 15-të me ajrin më të ndotur në botë
Del duarsh protesta në Tiranë, Adriatik Lapaj përplaset me "Lëvizjen Bashkë" të Arlind Qorrit
Hoxha skeptik për formimin e qeverisë nga Albin Kurti pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, i duhet koalicioni
Ekspertët e sigurisë: Shtimi i forcave ndërkombëtare, reagim ndaj destabilizimit të mundshëm nga Serbia
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Gjesti habit me deklaratën: Nëse kam aq shumë fansa, atëherë po ia fus gjumit dhe po e fitoj Big Brother-in
Pas Lojërave Olimpike, hakohen edhe faqet e Bloomberg në Facebook dhe Instagram - publikohet fotografia e Gjestit
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Real Madridi po ia rrëmben Barcelonës top shënjestrën nga dora
Trump deklaroi se Spanja është pjesë e BRICS, reagon qeveria spanjolle
Përfundon dueli i nëntë golave: Nga turpërimi, kalon në ngadhënjim - çfarë Barcelone!