Që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe të përfshirët e tjerë të dyshuar në sulmin në Banjskë – ashtu siç bëjnë thirrje autoritetet e Kosovës – organet e drejtësisë duhet t’i kalojnë disa procedura, por edhe atëherë “gjasat janë të vogla”.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, do të mund të dorëzohej nëse Serbia do ta njihte Kosovën si shtet sovran dhe do të kishte marrëveshje ekstradimi me të.
Meqë ky nuk është rasti, fletarrestimi ndërkombëtar duhet të lëshohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.
Radoiçiq u lirua të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua, nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. Atij iu ndalua, po ashtu, shkuarja në Kosovë.
Javën e kaluar, autoritetet e Kosovës e bënë përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Radoiçiq e pranoi përgjegjësinë përmes avokatit të tij në Beograd.
Autoritetet e Kosovës thanë se prapa tij qëndron udhëheqja shtetërore serbe, e cila synoi “aneksimin e veriut të Kosovës”, por Serbia mohoi se ka gisht.
“Gjëja e parë që ne e duam, është që [shteti serb] t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe terroristët e tjerë Republikës së Kosovës, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, më 3 tetor.
Procedurat që duhet t’i ndjekë Kosova
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se fletarrestimi për Radoiçiqin do të duhej të iniciohej nga prokuroria përkatëse në Kosovë, të miratohej nga gjykata dhe të përcillej në Ministrinë e Drejtësisë.
“Nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës do të dërgohej në Zyrën Ndërlidhëse të UNMIK-ut, e cila e vendos pastaj në databazën e Interpol-it si ‘Red notice’ [njoftim i kuq]”, shpjegon Miftaraj.
‘Njoftimi i kuq’ i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë, qoftë edhe pas shumë vitesh.
Njoftimi i kuq publikohet nga organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, me kërkesë të një vendi anëtar.
Meqë Kosova nuk është anëtare e këtij mekanizmi, ajo e bën këtë përmes UNMIK-ut që nga viti 2003.
REL pyeti UNMIK-un se si do të veprojë në rast se merr kërkesë nga autoritetet e Kosovës për fletarrestim kundër Radoiçiqit, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.
Miftaraj shpjegon se, paralelisht me fletarrestimin në Interpol, bëhet edhe kërkesa për arrestim të përkohshëm në pritje të ekstradimit, që do t’i dërgohej Serbisë.
“Kërkesa e dytë iniciohet nga prokuroria e Kosovës, miratohet nga gjykata dhe dërgohet në Ministrinë e Drejtësisë, e cila e përcjell te Ministria e Drejtësisë e Serbisë”, thotë Miftaraj.
Që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë do të duhej t’i nënshtrohej ndonjë presioni të madh nga komuniteti ndërkombëtar, shton Miftaraj – përndryshe “gjasat janë të vogla”, sipas tij.
“IKD-ja kërkon vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë për t’i ndaluar praktikat që janë në kundërshtim me vlerat e sundimit të ligjit. Pra, kriminelët bëjnë krime në Kosovë dhe gjejnë strehim në Serbi”, thotë Miftaraj.
REL ka pyetur edhe Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, nëse do të ndërmjetësojë mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me rastin Radoiçiq, por nuk mori përgjigje.
Ky mision e ka në mandat të vetin që “ta lehtësojë shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”.
BE-ja tha vetëm se Kosova ka mandat për ta hetuar sulmin në Banjskë dhe se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë me të – pa kushte.
Pyetjes së REL-it nëse do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për këtë rast, nuk iu përgjigj as Ministria e Brendshme e Serbisë.
“Do ta kërkojmë dorëzimin e Radoiçiqit dhe të tjerëve”
Duke folur për CNN-in, presidentja e Kosovës, Osmani, tha se Serbia duhet t’i dorëzojë të gjithë “terroristët” që morën pjesë në sulmin në Banjskë.
“Serbia nuk ka histori të mirë për vënien e drejtësisë në vend. Nuk ka asnjë rast kur kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnje, janë vënë para drejtësisë”, tha Osmani.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator se janë“mbi 80 terroristë” të përfshirë në hetimet që po bëhen për sulmin në Banjskë.
Numri më i madh i tyre dyshohet se shkoi në Serbi.
Sveçla tha se autoritetet përgjegjëse do të kërkojnë dorëzimin e Radoiçiqit dhe “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha më 2 tetor se Serbiaka refuzuar deri më tash çfarëdo bashkëpunimi me Kosovën dhe se ndërhyrja ndërkombëtare do të jetë e domosdoshme.
Marrëveshja mes dy vendeve
Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, e cila është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2013.
Në bazë të saj, dy vendet mund të shkëmbejnë kërkesa gjyqësore përmes përfaqësuesve të BE-së. Por, bashkëpunimi ligjor është i dobët dhe, deri më tash, nuk ka pasur ekstradime.
Monitoruesit e gjykatave nxjerrin në pah shtyrje të vazhdueshme të procedurave penale në Kosovë, për shkak të, siç thonë, mungesës së bashkëpunimit nga Serbia, sidomos kur bëhet fjalë për vepra që lidhen me krime lufte ose raste që përfshijnë individë të profilit të lartë.
Serbia është “parajsë” për individët që kryejnë vepra kriminale në Kosovë, sepse ajo refuzon të bashkëpunojë rreth ndjekjes së tyre penale, përfundon Miftaraj. /rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
E përcolli deri tek shkallët, mjeku i QKUK-së plot emocion rrëfen takimin me Thaçin

Planet për flotë ajrore, mbështetja e SHBA-së për tranzicionin e FSK-së në Ushtri të Kosovës

Vizita e Thaçit te babai i sëmurë, kritikohet qasja e Gjykatës Speciale

Edi Rama reagon pas vizitës së Thaçit në Kosovë: "Burrë"

Momenti kur sigurimi i Speciales ia tërheq vërejtjen mjekut pas diskutimit me Thaçin

Vizita e Thaçit në QKUK nën masa të rrepta sigurie, Hamza kritikon Specialen: Pamje e panevojshme dhe e padrejtë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

"Shfrytëzimi që kanë dashur të bëjnë në kurriz të dhimbjes time" - operimi që iu premtua në BBVK 3 nuk u realizua, Anisa Veseli përfundon në polici?

"Po jam në kontakt me Eglin", Livia thyen heshtjen për gjendjen e Eglit pas daljes nga shtëpia e Big Brother VIP Albania 4

Notat e lojtarëve: Atletico Madrid 1-0 Real Madrid, dështon Vinicius

Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Real Madridi eliminon Atleticon përmes penalltive, në çerekfinale takohet me Arsenalin

'Heroi i vërtetë' i PSG-së përballë Liverpoolit qëndronte pas Alisson Becker