LAJMI I FUNDIT:

Studentët në Maqedoni ankohen për akomodimin në konvikte

Studentët në Maqedoni ankohen për akomodimin në konvikte

Mbi 800 ankesa janë pranuar nga Konvikti studentor shtetëror – Shkup (KSSH) lidhur me vendosjen në konvikte. Rreth 200 nga ankesat për transferim nga një konvikt në tjetrin, përkatësisht për transferim në konviktin e studentëve “Goce Dellçev”, 200 të tjera nga konvikti “Pellagonia” për lirim nga pagesa e qirasë dhe ushqimit në konvikt dhe të tjerat janë nga konvikti “Stiv Naumov”.

“Sot i kemi dorëzuar ankesa në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), tani nga aty duhet të vendosin se cilat kundërshtime do t’i pranojnë dhe cilat do t’i refuzojnë. Me shumë mundësi, ata studentë që kërkojnë të transferohen në ‘Goce Dellçev’ do të refuzohen sepse aty është i plotësuar i gjithë kapaciteti dhe nuk ka vende të lira”, thotë Viktor Velevski, drejtor i KSSH-së.

Nga ana tjetër studentët në konviktin “Pellagonia” ankohen se po të njëjtit vitet e kaluara banimin e kanë pasur pa pagesë, ndërsa sivjet duhet të paguajnë për banim.


“Tre vite kemi qëndruar në të njëjtin konvikt, me të dhënat e njëjta e kam pasur pa pagesë deri vitin e kaluar. Këtë vit 80% e studentëve ankohen sepse për kushtet që posedon konvikti nuk mund të shpenzojmë aq shumë. Kemi dorëzuar ankesë deri te MASH-i mirëpo po presim përgjigje, deri të hënën MASH-i tha që të gjithë studentët do të informohen në lidhje me banimin”, deklaroi S.M, studente e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Edhe pse redaksia e gazetës Koha tentoi të kontaktoj me MASH-in, deri në publikimin e lajmit nuk kishte përgjigje. Afati për paraqitjen e ankesave ishte pesë ditë pas shpalljes së rezultateve, e cila u bë më 6 shtator, mirëpo autoritetet nuk e realizuan premtimin se do të digjitalizoheshin evidencat e studentëve me regjistrimin në konvikt, ndaj qiramarrësit në konvikte prisnin të dorëzonin dokumentacionin e nevojshëm dhe të zhvendoseshin në dhoma. Çmimet e akomodimit këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar. Nëse një student në “Goce Dellçev” vitin e kaluar ka paguar 3645 denarë, tani paguan 3945 denarë në muaj.

Ndërkaq në “Goce Dellçev” ka 1176 vende, tani janë plotësuar 960. Vendet e tjera MASH-i i ka lënë të lira për studentët e vitit të parë./Koha.mk/