LAJMI I FUNDIT:

Mospajtime ndërmjet Kosovës dhe BE-së për heqjen e masave

Mospajtime ndërmjet Kosovës dhe BE-së për heqjen e masave

Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të Bashkimit Evropian(BE), por thekson se Aneksi për zbatimin e saj duhet të zbatohet “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.

Kështu e komenton Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, qëndrimin e BE-së se, për heqjen e masave ndëshkuese – krahas hapave të mëtejshëm drejt shtensionimit të situatës në veri – është “me rëndësi thelbësore” zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe Aneksit të zbatimit të tij.

“Kjo përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë]”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.


Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së, është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj, palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, marrëveshja ra në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.

Pse u vendosën masa ndëshkuese ndaj Kosovës?

Në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan. Me atë rast u plagosën rëndë dhe lehtë rreth 90 ushtarë të KFOR-it, si dhe dhjetëra serbë që morën pjesë në përleshje.

BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 10 korrik, në Bratisllavë arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri.

Përveç hapave konkretë që kanë të bëjnë me tërheqjen e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE-ja theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu.

Qeveria e Kosovës: Masa të padrejta, zbatim me radhë dhe i balancuar i marrëveshjes

Qeveria e Kosovës thekson se pika e parë e marrëveshjes për shtensionim, e cila ka të bëjë me reduktimin e forcave policore, tashmë është përmbushur dhe shton se deri më tani, 50 për qind e policëve janë tërhequr nga dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit.

Qeveria thekson se është bërë një vlerësim i sigurisë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in (misionin e BE-së për sundimin e ligjit), siç parashikohet në pikën e dytë të marrëveshjes, dhe se është duke vazhduar përgatitja e udhëzimit administrativ, në bazë të të cilit do të hapet rruga për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Në të njëjtën kohë, në terren ne kemi një situatë të shtensionuar në shkallë të konsiderueshme. Siguria është më e mirë. Situata është më e qetë. Janë bërë rreth dy muaj prej kur është shënuar incidenti i fundit i dhunshëm”, thonë nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e konsideron të padrejtë vazhdimin e masave nga BE-ja, Kryeziu: Presim që të largohen sa më parë
Lexo po ashtu Qeveria e konsideron të padrejtë vazhdimin e masave nga BE-ja, Kryeziu: Presim që të largohen sa më parë

Megjithatë, ata shtojnë se Kosova është e vetëdijshme për përshkallëzimin e ri potencial që mund të shkaktohet nga Serbia duke “nxitur urrejtje dhe agresivitet”.

Prandaj, siç thuhet në përgjigjen për REL-in, Qeveria e Kosovës beson se masat ndëshkuese të BE-së ishin dhe janë të padrejta, “veçanërisht pas progresit në zbatimin e marrëveshjes për shtensionim dhe përmirësimit të situatës në terren”.

Lidhur me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj, Qeveria e Kosovës thekson se Prishtina zyrtare është gjithmonë “e gatshme, konstruktive dhe e përkushtuar” për ta zbatuar marrëveshjen “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.

“Ndërkaq, në anën tjetër, duhet gjithmonë të theksohet refuzimi publik i njëpasnjëshëm i Serbisë për t’i zbatuar ato, bashkë me shkeljet e vazhdueshme, pa asnjë vërejtje apo pasojë nga BE-ja”, thotë Qeveria e Kosovës.

Marrëveshja për normalizim ndërmjet dy palëve dhe Aneksi për zbatimin e saj, ndër të tjera, parashohin që Kosova t’u sigurojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë një “nivel të caktuar të vetëmenaxhimit”.

Zyrtarë ndërkombëtarë, disa herë kanë thënë se kjo pikë e marrëveshjes ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshja për Asociacionin u arrit në vitin 2013 dhe ajo duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.

BE-ja edhe më tej e shqetësuar

Në përgjigjen për REL-in, Peter Stano thekson se BE-ja është ende e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës dhe përkujton se është bërë e qartë se do të merren masa, nëse situata nuk shtensionohet.

Ai shton se BE-ja mirëpret vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të reduktuar praninë e policisë, por se janë të nevojshëm hapa të mëtejmë për uljen e tensioneve.

“Për t’i dhënë fund krizës aktuale, do të duhej sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë, me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thotë Stano.

BE pret hapa të tjerë nga Qeveria për t'ia hequr masat Kosovës
Lexo po ashtu BE pret hapa të tjerë nga Qeveria për t'ia hequr masat Kosovës

BE-ja ka njoftuar disa herë se do të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, nëse ajo nuk bashkëpunon lidhur me shtensionimin e situatës.

Megjithatë, në përfundim, Stano thekson rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pritjet e Kosovës nuk janë realiste”

Demush Shasha nga Instituti Kosovar për Politika Evropiane, vlerëson se pritjet e Qeverisë për tërheqjen e masave ndëshkuese nga ana e BE-së, nuk janë reale, gjegjësisht, se hapat e parë drejt shtensionimit janë vetëm nisje në atë drejtim.

Ai konsideron se BE-ja pret që Kosova, pas shtensionimit të situatës në veri, të fillojë zbatimin konkret të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për shtensionim në veri nuk mjafton për të anuluar masat e BE-së, veçanërisht nëse kemi parasysh se BE-ja është e kujdesshme për shkak të skepticizmit që ekziston në Prishtinë ndaj dialogut”, thotë Shasha.
Sipas tij, Bashkimi Evropian pret që Qeveria e Albin Kurtit të bëjë një “korrigjim strategjik” në raport me dialogun.

“Nuk duhet të jetë vetëm manovër e përkohshme politike rreth fillimit të zbatimit të kërkesës për shtensionim të situatës në veri”, thotë njohësi i politikës evropiane, Shasha.

Shtensionimi i situatës në veri dhe kthimi në dialog janë kërkesa edhe të shteteve perëndimore ndaj Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë, më 16 gusht, tha se kërkesat e vendit të tij ndaj Qeverisë së Kosovës nuk kanë të bëjnë me presion.

Ai shtoi se Kosova ka të drejtë të marrë vendime në mënyrë të pavarur, por sipas tij, është e dëshirueshme që Kosova t’i pranojë këshillat dhe sugjerimet kur bëhet fjalë për shmangien e tensioneve.

Në këtë kontekst, ai tha se nga Kosova kërkohet “ta zbatojë menjëherë Marrëveshjen e Ohrit dhe t’i avancojë negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Hovenier, gjithashtu, shprehu qëndrimin se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta “kushtëzojë” BE-në lidhur me heqjen e masave, por duhet të punojë për shtendosjen e marrëdhënieve, pa ndërmarrë hapa që mund të çojnë në përshkallëzim të ri. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Në rastin

Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit

Drejtësi
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit

Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit

Lajme
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Lajme
Kalo në kategori