LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi i Shqipërisë i hap rrugën arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj

Kuvendi i Shqipërisë i hap rrugën arrestimit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 117 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, ish-ministri i Financave, njëherazi edhe ish-zëvendëskryeministri i vendit.

Nga të gjithë deputetët e pranishëm në seancë vetëm tre prej tyre zgjodhën të abstenonin në lidhje me kërkesën e organit të akuzës.

Kuvendi i Shqipërisë vendos sot për arrestimin e tij, reagon Ahmetaj
Lexo po ashtu Kuvendi i Shqipërisë vendos sot për arrestimin e tij, reagon Ahmetaj

Tashmë ish-zëvendëkryeministri Ahmetaj është zyrtarisht pa imunitet dhe SPAK mund të vijojë procedurën për arrestimin e tij.


Ahmetaj aktualisht nuk ndodhet brenda territorit të vendit dhe nuk dihet ende vendndodhja e tij.

Gjatë seancës së posaçme ku u lexuan dhe raportet e Komisionit të Mandateve, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi ftoi SPAK-un që t’i shkonte deri në fund hetimit për çështjen e inceneratorëve, teksa ftoi Ahmetajn të bashkëpunojë me drejtësinë.

“Ish-zëvendëskryeministri i vendit, krahu i djathtë i Edi Ramës, njeriu i tij më i besuar, rrezikon jo më pak se 15 vite burg, jo vetëm për korrupsion, jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe për pastrim parash përmes transaksioneve kriminale me dy bosët e inceneratorëve. Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë edhe koka e kësaj afere, i cili është Edi Rama. Pa ndihmën e kryeministrit askush nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës. E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, tha Bardhi.

Ndërkohë nga ana e mazhorancës, foli deputeti Arben Pëllumbi, i cili i kërkoi opozitës të ndalë akuzat dhe të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj, teksa shtoi se emri i kryeministrit, ndryshe nga sa pretendon opozita, nuk rezulton në asnjë fjalë të kërkesës së SPAK.

“Edhe sot që duhet të ndiqnim procedurë, Bardhi mbajti një qëndrim politik, larg raportit që lexoi. Ne nuk jemi gjykatë dhe prokurorë, nuk mund të japim mendime personale. Kemi një raport të SPAK që duhet të ndeshet në Gjykatë me kolegun tonë dhe është ajo që jep vendimin. Deri në atë kohë të gjithë duhet të njohim prezumimin e pafajësisë. Bardhi përmendi shumë emra, shumë kolegë dhe përmendi kryeministrin, emri i të cilit nuk rezulton askund në raportin e SPAK”, tha Pëllumbi.

Kujtojmë se, më herët gjatë ditës së sotme, Ahmetaj reagoi me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale ku dha një mesazh për qytetarët, votuesit që i besuan, deputetët e mazhorancës e të opozitës, por edhe për reformën në drejtësi.

Ahmetaj shkruan se kush qeveris e punon nuk është perfekt e për këtë kërkon një ndjesë publike. /Telegrafi/