LAJMI I FUNDIT:

Bujar Osmani: Bullgaria nuk mund të vendosë kushte të reja

Bujar Osmani: Bullgaria nuk mund të vendosë kushte të reja

Bullgaria nuk mund të vendosë kushte të reja, sepse korniza e negociatave është e mbyllur. Ajo nuk mund të hapet as me kërkesë të opozitës sonë, as me kërkesë të opozitës bullgare, tha sot shefi i diplomacisë Bujar Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencë për shtyp në ditën e parë të edicionit të tretë të forumit të Prespës për dialog, në lidhje me pjesën e rezolutës gjermane, në të cilën bëhet thirrje që Bullgaria të përmbahet nga vendosja e kushteve të reja për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Ta mbyllim temën, se nesër ndonjë qeveri bullgare të thotë se kemi një kusht të ri. Nuk ka asnjë kusht të ri. Kuadri i negociatave është mbyllur. Janë tre udhëzime në kuadrin e negociatave. Në një nga udhërrëfyesit, ekziston një Plan Veprimi për minoritetet, kjo është e vetmja kërkesë, e cila përfshihet në standardet për hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Ai Plan Veprimi nuk i referohet vetëm komunitetit bullgar, por të gjitha komuniteteve në vend. Sigurisht që këtu do të duhet të plotësohen të gjitha ato kushte për të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim etni”e, theksoi Osmani.

Ai përkujtoi se në Kornizën negociuese janë edhe Marrëveshja e Prespës edhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë në pjesën e përgjithshme, ku vlerësohen marrëdhëniet e mira fqinjësore, ndërsa jo në pjesën e udhërrëfyesve.


Osmani shpreson të forcojë dialogun me Bullgarinë dhe se marrëdhëniet do të jenë konstruktive.

“Shpresojmë se do të ndërtojmë marrëdhënie, në të cilat vullneti i mirë do të udhëheqë procesin, në të cilat do të krijojmë mirëkuptim për njëri-tjetrin, respekt për njëri-tjetrin dhe që të dyja palët të mos jenë me kalkulator në dorë dhe të vlerësojnë se kush çfarë ka bërë nga marrëveshjet. Shpresoj në një marrëdhënie të tillë me Bullgarinë”, tha Osmani.

Shefi i diplomacisë deklaroi gjithashtu se ai dhe ministrja e re bullgare e Punëve të Jashtme Maria Gabriel janë pajtuar që shumë shpejt të kenë një takim në Shkup ose Sofje.