LAJMI I FUNDIT:

Digjen edhe tri vetura në veri të vendit, Vela: Strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese

Digjen edhe tri vetura në veri të vendit, Vela: Strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese

Djegia e vetura me targa RKS në veri të vendit është duke vazhduar, kjo pasi edhe tri të tjera janë djegur mëngjesin e së shtunës në Komunën e Leposaviqit.

Lajmin për djegien e tri veturave në Leposaviq e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Po sot rreth orës 04:00 të mëngjesit janë djegur tri vetura në Leposaviq”, ka thënë Hoti.


E pas djegies së tri veturave mëngjesin e së shtunës sërish ka reaguar Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani.

Vela përmes një postimi në rrjetin social në Twitter ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë janë duke përdor taktika kriminale dhe terrorizuese.

“Tri makina të tjera janë djegur në Leposaviq. Të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës, strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piroman i Vuçiqit do të dështojë”, ka shkruar Vela në Twitter.

Ndryshe, gjatë dy ditëve të fundit janë djegur edhe pesë vetura tjera me targa RKS në veri të vendit, dy më 30 mars dhe tri tjera me 31 mars. Djegia e veturave në veri ka ngjallur reagime të shumta si nga zyrtarët vendorë, po ashtu edhe ndërkombëtarë, duke i quajtur akte frikacake dhe kriminale. /Telegrafi/