LAJMI I FUNDIT:

Nga lindja e vajzës te ofertat e refuzuara, lëndimet dhe pasojat e COVID-it, viti 2022 me ulje ngritje për Bytyqin: 2023 është viti im, dua transferimin e madh dhe Evropianin me Kosovën

Nga lindja e vajzës te ofertat e refuzuara, lëndimet dhe pasojat e COVID-it, viti 2022 me ulje ngritje për Bytyqin: 2023 është viti im, dua transferimin e madh dhe Evropianin me Kosovën

Viti 2022 nuk do të harrohet kurrë nga Zymer Bytyqi, jo vetëm për aspektin profesional, por edhe atë personal.

Gjatë vitit që lamë pas, Bytyqi ka marrë epitetin ‘baba’, pasi në jetë së bashku me bashkëshorten e tij Florianën sollën një engjull të vogël të quajtur Inara.

Edhe në aspektin profesional ka qenë një vit i mbarë për Bytyqin edhe pse me dy fytyra, ku pjesa e parë e vitit ishte shumë më e mirë, pasi në të dytën vuajti edhe nga disa lëndime.


Ai pati një verë aspak të qetë dhe shumë të nxehtë, pasi ishte vërshuar nga ofertat, por që në fund transferimi i dështoi pasi Konya kërkonte shumë për ta lënë të lirë.

Në një intervistë për Telegrafin, Bytyqi flet për gjithë vitin 2022, formën e mirë, lëndimet, pasojat që i la infektimi me Covid, ofertat që kishte në verë, lindjen e vajzës si dhe ndeshjet me Kosovën.

“Ka qenë një vit shumë interesant, me ulje ngritje, lëndime e gjithçka tjetër përjetova gjatë këtij vitit”, u shpreh fillimisht Bytyqi për Telegrafin.

Periudha nga janari deri në qershor ishte e shkëlqyer për Bytyqin i cili shënonte e asistonte vazhdimisht, teksa u bë ndër sulmuesit anësorë më të mirë në elitën e futbollit turk.

Në 19 ndeshje ai shënoi shtatë gola dhe dhuroi pesë asistime, duke bërë që edhe vlera e tij të rritet në pesë milionë euro.

“Ishte një periudhë fantastike, ku shënoja vazhdimisht e asistoja, por edhe me klubin arritëm sukses të madh pasi në fund e përfunduam në pozitën e tretë që është një sukses i madh për Konyasporin”, tha Bytyqi.

“Kam punuar jashtëzakonisht shumë dhe mundi u shpërblye me gola e asistime, por edhe me rritjen e çmimit në tregun e transferimeve”, tha Bytyqi.

Ofertat e shumta, Konya kërkonte shumë dhe transferimet e dështuara

Vera për Bytyqin ishte jashtëzakonisht e nxehtë dhe shumë e ngjeshur, pasi ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar.

Telegrafi ka mësuar se për Bytyqin kishte oferta nga Serie A, Championshipi anglez, Eredivise, Bundesliga gjermane, Ligue 1 e Francës, por edhe nga top klubet belge dhe ato turke.

Vet sulmuesi anësorë e pranon se kishte pasur shumë oferta në tavolinë dhe gjatë asaj periudhe nuk e dinte se ku do ta ketë të ardhmen e tij.

“Afati kalimtar veror erdhi pas një sezoni të jashtëzakonshëm që kisha bërë, më i miri në karrierë pas atij me Vikingin. Vërtetë kisha shumë oferta dhe nuk e dija se cilën ta zgjedhja më parë”.

“Ka pasur oferta nga Ligue 1, Serie A, Bundesliga, Championship, Eredivise e Superliga e Belgjikës ku skuadra si Clermont, Lecce, Anderlecht, Standard Liege, Feyenoord e PSV Eindhoven kishin shprehur interesim”.

“Interesime e oferta kishte të shumta, por nuk ndodhi asgjë, pasi edhe Konya refuzonte të më shiste por edhe për tu kompletuar një transferim duhet shumë kohë”, deklaroi Bytyqi.

Dhurata më më e mira në jetë erdhi në shtator

Për çdo çift dhurata më e bukur padyshim që është ardhja në jetë e një fëmije.

E Zymeri së bashku me bashkëshorten e tij sollën në jetë një engjull që e pagëzuan me emrin Inara më 28 shtator të vitit 2022.

View this post on Instagram

A post shared by Zymer Bytyqi (@zymerbytyqi7)

“Ardhja e Inaras në jetë padyshim që ka qenë dhurata më e mirë në jetë që kam marrë. Ka qenë një moment special si për mua ashtu edhe për Florianën”.

“Inara na ka ndryshuar tërësisht jetën pasi është fëmija i parë dhe jemi shumë të lumtur me të, pasi e ka mbushur shtëpinë tonë edhe më shumë gëzim dhe lumturi”, deklaroi Bytyqi për Telegrafin.

Floriana dhe Zymer Bytyqi

Lëndimet dhe pasojat që i la COVID gjatë vitit 2022

Pas një fillimi shumë të mirë të vitit, pjesa e dytë ishte më e rëndë për Bytyqin, pasi pati disa lëndime, por edhe u infektua me Covid-19.

Pasi e kaloi covidin, Bytyqi mbeti me disa pasoja pasi nuk ndihej mirë për një kohë.

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua. U infektova me covid në ndeshjet evropiane dhe nuk ndihesha aspak mirë. Kam pasur edhe disa probleme shëndetësore më vonë, por fatmirësisht së fundmi janë larguar të gjitha”, vazhdoi tutje Bytyqi.

“Kisha edhe disa probleme me lëndime që më kanë ndalur hovin, mirëpo tani jam shumë mirë dhe i gatshëm për një vit të ri të mbarë”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Synimet për vitin 2023, transferimi i madh apo qëndrimi te Konayspor?

Zymer Bytyqi është futur në gjashtë muajt e fundit të kontratës me klubin turk Konyaspor, ku është pjesë e saj që dy vite.

Nga tani ai mund të bisedoj me klubet tjera, ku interesimi për të nuk mungon nga shumë klube evropiane.

Mirëpo e ardhmja e tij vazhdon të jetë e paqartë, nëse do të vazhdoj kontratën me Konyasporin apo do të transferohet në ndonjë kampionat edhe më të madh.

“Unë jam në bisedime me Konyasporin për një kontratë të re. Natyrisht kam kaluar momente të paharrueshme në këtë klub dhe ndihem shumë mirë si unë ashtu edhe familja ime”.

“Gjithsesi me këtë punë po merret menaxheri im Jim Solbakken dhe unë jam i qetë”.

Transferimi në një kampionat më të madh mbetet një opsion dhe këtë e pranon edhe Bytyqi.

“Secili futbollist dëshiron të luaj në top pesë kampionatet evropiane. Natyrisht që edhe unë do të doja në të ardhmen të luaja në ndonjërin nga pesë kampionatet, por mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, pasi për momentin jam i fokusuar vetëm te Konya”, u shpreh Bytyqi.

Goli i parë me Kosovën në vitin 2022, tani kërkon kualifikimin në Evropian

Zymer Bytyqi është bashkuar me Përfaqësuesen e Kosovës në qershor të vitit 2021, derisa ai tani është bërë një nga futbollistët më të rëndësishëm për Dardanët.

Por në vitin 2022 erdhi edhe goli i parë me fanellën e Kosovës për sulmuesin anësorë.

Ai fillimisht ka asistuar në fitoren 5-0 ndaj Burkina Fasos në Prishtinë, derisa në qershor shënoi në fitoren 3-2 ndaj Irlandës së Veriut.

“Sa herë veshi fanellën e Kosovës më jep emocion të papërshkruar. Është vërtetë krenari e madhe që i shërbej vendit tim dhe këtë do ta bëj gjithmonë me dëshirën dhe përkushtimin më të madh”, thotë Bytyqi për Telegrafin.

“Goli i shënuar para tifozëve tanë në Prishtinë përballë Irlandës së Veriut vërtet më ka bërë të lumtur. Ishte një moment i gjatë që e kam pritur dhe edhe më i lumtur që erdhi”, u shpreh Bytyqi.

Kosova gjatë këtij viti do t’i zhvilloj kualifikimet për Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’, derisa janë në grup me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorran, teksa anësori kosovar thotë se do të japin gjithçka për ta bërë ëndrrën realitet.

“Kualifikimi në një ngjarje të madhe si Kampionati Evropian padyshim se është një ëndërr për gjithë popullin shqiptar. Ne si futbollistë ëndërrojmë të luajmë në një ngjarje të tillë”.

“Sigurisht që të gjithë futbollistët jo vetëm unë do të japim maksimumin për ta bërë ëndrrën realitet dhe ta dërgojmë Kosovën në Kampionatin Evropian”, tha Bytyqi.

Ai e di se një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë, por as jo e pamundur.

“Kemi një grup interesant, nuk është më i lehti, por as më i forti. Zvicra mbetet kundërshtar i fortë, por që jemi përballur me ta dhe e dimi forcën e tyre”.

“Sigurisht që të gjithë kundërshtarët do të tentojnë fitore, por ne jemi të bindur se mund të tentojmë kualifikimin në Kampionatin Evropian”, thotë Bytyqi.

Vëllai i tij agjent i suksesshëm i futbollistëve

Zymeri është futbollist, por vëllai i tij i vogli dhe i vetmi është Ardoni, që edhe ai është pjesë e botës së futbollit.

Ardoni punon së bashku me agjentin e Zymerit, Jim Solbakken dhe tani ka disa futbollistë nën menaxhimin e tij.

E për vëllanë e vogël i lumtur është Zymeri, pasi thotë se ai ka pasion futbollin dhe beson se do të ketë suksese të mëdha në profesionin e tij.

“Ari është një njeri që e ka pasion futbollin, por edhe e njeh jashtëzakonisht mirë. Unë nuk marrë asnjë vendim pa u konsultuar me të dhe vërtetë jam i lumtur që e kam vëlla”.

Zymer dhe Ardon Bytyqi

“Për mua si një futbollist profesionist është një plus i madh që vëllai im është agjent dhe bashkëpunëtorë i agjentit tim Jim Solbakken”.

“Duke parë vullnetin, pasionin dhe vendosmërinë e tij, jam i bindur se do të ketë një karrierë shumë të madhe si agjent futbollistësh”, u shpreh Zymer Bytyqi për Telegrafin.

26-vjeçari thotë për vëllanë e tij se duke pasur afër një agjent të madh si Jim Solbakken do të mësojë shumë.

“Jim është një agjent jashtëzakonisht i madh dhe një njeri i mirë. Unë e kam agjent nga mosha 15-vjeçare dhe më ka ndihmuar shumë. Gjithsesi mendoj se edhe Ardoni do të mësojë shumë nga Jim”, u shpreh Zymer Bytyqi. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Ligat tjera
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

As nuk deshën të dëgjonin për Pogban - vjen refuzimi i parë nga një klub i madh në Evropë

La Liga
Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez

Zyrtare: Guardiola i qëndron besnik Man Cityt, vazhdon kontratën me kampionët anglez

Premier League
Haaland merr ofertën më të madhe ndonjëherë, por ka vetëm një “frenim”

Haaland merr ofertën më të madhe ndonjëherë, por ka vetëm një “frenim”

Premier League

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori