LAJMI I FUNDIT:

Kosova në dokumentet britanike të Luftës së Dytë Botërore: Shqiptarët, të përcaktuar për t’i mbrojtur tokat e veta

Kosova në dokumentet britanike të Luftës së Dytë Botërore: Shqiptarët, të përcaktuar për t’i mbrojtur tokat e veta
Ilustrim

Nga: Haqif Mulliqi

Pothuaj në çdo dokumentet të cilin gjatë Luftës së Dytë Botërore e përdoronte Ministria e Jashtme Britanisë si dhe Ministria e Luftës, Kosova dhe Dibra (me të cilin emër përfshiheshin territoret shqiptare të Maqedonisë) paraqiten si territore të banuara në mënyrë dominante me shqiptarë dhe së kufijtë prezentë pak a shumë janë në raport me kufijtë etnik. Sipas britanikëve, e tërë ajo që mund të thuhej në lidhje me këta kufij është element i fortë etnografik dhe përcaktimi po ashtu i fortë i shqiptarëve, jo vetëm për të ushtruar influencë brenda këtyre kufijve, por edhe për t’i mbrojtur toka. Çështja e Kosovës ishte e rëndësisë vitale për shqiptarët.

Por, është edhe një shkrim mjaft interesant që zë vend në dosjet britanike të Foreign Office-it. Është fjala për shkrimin publicistik të autorit Beqir Hagi, në të cilin bëhet një përpjekje mjaft interesante për ta argumentuar faktin se e kujt në fakt është Kosova – e shqiptarëve apo e serbëve:


Me këtë rast do të sjellim vetëm disa prej pjesë të këtij artikulli interesant.

“Të gjithë historianët janë pajtuar se sllavët kanë ardhur në Ballkan në vitin 550, pas erës sonë”, e nis artikullin e tij Hagi, për të shtuar se në vitin 640 pas erës sonë, perandori bizantin Herakliu ftoi serbët dhe kroatët që të vendosen në Ballkan. Ata vepruan ashtu dhe pushtuan territoret të cilat sot njihen si Serbia Veriore, Bosnja, Hercegovina, Sllavonia, Mali i Zi Verior, vende të cilat ua morën shqiptarëve më dhunë.

Nga viti 100, shton ky, e deri më 1169, serbët luftuan kundër bullgarëve. Më 1169 serbët formuan një mbretëri të vogël, mbretëri kjo e cila, arriti kulmin e saj si fuqi më 1331 duke përfshirë brenda vetes një pjesë të madhe të Shqipërisë, nën qeverisjen e Car Dushanit.

Më 1258, kur kjo perandori u shpërbë, guvernatori i Zetës formoi shtetin e pavarur shqiptar (1365-1421, me Shkodrën kryeqytet). Guvernatori i Zetës veten e quajti Balsha I. Edhe pse Balsha vetë ishte norman, ai shtetin e tij e quajti Shqipëri meqë ky vend, thotë artikullshkruesi, ishte i banuar nga shqiptarët. Ky shtet përfshinte Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe Shqipërinë Veriore (Kosovën).

Me ardhjen e turqve u zhvillua Beteja e Kosovës (1389), një betejë ndërmjet turqve, në njërën anë dhe serbëve dhe shqiptarëve në anën tjetër. Serbët e sotëm kërkojnë Kosovën për shkak të betejës së famshme të vitit 1389, duke u përpjekur që kështu ta argumentojnë se në atë kohë Kosova ka qenë e banuar nga serbët. Mirëpo, shton artikullshkruesi, nuk ekziston asnjë dokument i vetëm që argumenton se Kosova ka qenë plotësisht e boshatisur kur sllavët kanë arritur në afërsi të saj. Bile, shton ky autor, është e logjikshme që të konstatohet se ky territor ka qenë gjithmonë i banuar nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur këtu shumë, shumë më parë se serbët. “Pra, vetëm pse serbët luftuan në territorin e Kosovës më 1389, nuk dëshmohet se Kosova tani u takon atyre”, shkruan Beqir Hagi, për të vazhduar me një komparacion mjaft interesant se “sikur fushat e Belgjikës dhe të Francës ku Velingtoni mposhti Napolonin, t’i takonin Anglisë”.

Në veri të Kosovës, shton ky autor, popullata ka qenë më e rrallë, ndaj dhe serbët depërtuan më lehtë. Por, në vetë Kosovën, sipas tij, nuk ngjau kështu. Më 1879, rreth 100 mijë shqiptarë nga Kurshumlia dhe Vranja migruan kah jugu, ngase këto vise Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Serbisë. Është e vërtetë se serbët e nënshtruan Kosovën për disa qindra vjet, por ata kurrë nuk ia dolën që ta asimilojnë popullatën. “Ndaj dhe të thuash se Kosova i takon Serbisë, është njëlloj sikur të thuhet se Kalasi i takon Anglisë!”, konstaton Beqir Hagi.

Është interesante mendojmë pjesa kur në shkrimin e tij mjaft të thellë dhe voluminoz, Beqir Hagi sjell dhe ca sentenca mbi atë se çfarë kanë thënë të tjerë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e saj.

Lordi E. Fitzmaurice, përfaqësues britanik, në Trakinë Lindore, në një dokument adresuar te Foreign Office e Britanisë së Madhe, e që mban datën e 26 majit 1889, ndër të tjerat do të shkruaj: “Territori i quajtur Shqipëri shtrihet nga Shkodra, deri tek Janina dhe në lindje duke përfshirë pjesët e e Prishtinës dhe të Manastirit. Shqiptarët janë shumicë në lindje të Prishtinës drejt Vranjës, siç dëshmojnë hartat e Kiepertit dhe Stanfordit. Vilajeti i Kosovës, me një përjashtim (pjesa e serbëve në lindje të Mitrovicës), është i gjithi shqiptar”, shkruan për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, Lordi E. Fitzmaurice.

Zotëri Alvarez, i konsullatës britanike në Stamboll, nënshkruan një raport në lidhje me popullatën shqiptare në territoret etnike. Dokumenti mban datën e 27 gushtit 1880 dhe ndër të tjerat thotë: “… Racat që banojnë këtë territor, gjegjësisht pjesën më të madhe të vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, si dhe të Serbisë së ‘Vjetër’, janë shqiptarët dhe serbët, nga të cilët shqiptarët janë shumë më tepër.”

Një argument më shumë: kur armata austro-hungareze nën Dukën e Rrollshtajnit u mundën nga turqit, serbët të cilët deri atëherë jetonin në Kosovë, migruan në Banat dhe kështu Kosova mbeti vetëm me shqiptarë. (Shih “Ngritja e Mbretërisë”, fq 16, shkruar nga Sixe)

Ekziston gjithashtu edhe një elegji, të cilën e përmend edhe Beqir Hagi në artikullin e tij, sipas së cilit tregohet për shqiptarët në një fshat të Drenicës të cilët u masakruan në xhami derisa ishin mbledhur për të kryer një rit fetar. Kjo ngjarje, sipas artikullshkruesit, ka ndodhur më 1924.

Nga ana tjetër, Beqir Hagi, në artikullin e tij përmend edhe Aqif Blytën, mbrojtësin e Tregut të Ri (Novi Pazarit), duke bërë përshkrimin në faza të ndryshme të betejës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në këtë pjesë të Shqipërisë.

Rreth Mitrovicës, shkruan B. Hagi duke përshkruar gjendjen e Luftës së Dytë Botërore, kufijtë kalojnë nëpër vargamelet e Rogozhinës, duke lënë në Shqipëri 32 fshatra të Komunës së Kolashinit dhe gjashtë të tjera rrëzë malit Crni Vërh. “Italianët”, vazhdon ku autor, “duke qenë të ndikuar nga serbët dhe malazezët asnjëherë nuk caktuan kufitarë shqiptar në këtë vijë të kufirit, kështu që çetnikët kalonin lirisht në këtë anë duke rrezikuar Tutinin, Rozhajën, Mitrovicën dhe Novi Pazarin.

“Sulmi i parë ndaj Novi Pazarit”, shkruan tutje Aqif Blyta, “më 1941 erdhi pikërisht nga kjo pjesë e kufirit, gjegjësisht nga Rogozhini dhe Kolashini, derisa sulmet tjera erdhën nga Kopaoniku, Golijasi dhe Rashka. Kjo gjendje vazhdonte ndërsa shqiptarët ne kësaj ane ishin në rrezik të vazhdueshëm”, thotë Blyta.

Më 5 shkurt të vitit 1944, në fshatrat e Dragoçevës, të Hotit, të Bellancës dhe të Gurbetiqit, janë vënë re banda të përqendruara çetnikësh serbo-malazez. Natën e 6 shkurtit të vitit 1944, u sulmua fshati Jezgroviqi i Komunës së Ribariqit, në nënprefekturën e Tutinit. Komandanti i garnizonit të Tutinit u nis drejt Ribariqit. Ndërkohë, Aqif Blyta i Novi Pazarit, në marrëveshje me nënprefektin e Tutinit, Mulla Jakup Kambinin, thërret të gjithë burrat e Tërnavës, të Vojkoviqit dhe të Novi Pazarit që të marrin armët. Këta, së bashku me ndihmën që u erdhi nga Tutini i përballuan për një kohë sulmet që u vinin nga armiku.

Ndërkohë, shkruan Beqir Hagi, mbrojtësit e kësaj pjesë të Shqipërisë Etnike, nëpërmjet prefektit të Mitrovicës, Ibrahim Lutfiut, e njoftuan Pejën dhe Lidhjen e Prizrenit për këto beteja. Ndërsa, nga ana tjetër, çetnikëve u kishin ardhur në ndihmë forca serbe që komandoheshin nga Millan Nediqi. Trupat e ardhura serbe, në ndihmë çetnikëve, ishin të mëdha dhe përfshinin në vete rreth 1 200 efektivë ushtarakë. Mirëpo, derisa sulmet e çetnikëve po vazhdonin, vullnetarëve shqiptarë u arritën ndihma në efektiv prej afro 10 mijë luftëtarësh: 4 000 nga Drenica, 800 nga Peja, 700 nga Oragjaci, 3 000 nga Tutini dhe 1 000 nga Novi Pazari. Kështu, forcat vullnetare shqiptare jo që i përballuan sulmet e çetnikëve dhe të nediqeviqëve, por edhe kundërsulmuan duke marr kështu nën kontroll të plotë fshatrat e Dragoçevës, Gurbetiqit, të Hotit si dhe 32 fshatra të komunës së Kolashinit, duke pastruar këto territore plotësisht nga çetnikët.

Në të gjitha këto beteja u shquan: Qazim Komoni, Shaban Polluzha, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica etj. /Telegrafi/

 

 

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

Fjala+
Politika dhe gjuha angleze

Politika dhe gjuha angleze

Analiza
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kalo në kategori