LAJMI I FUNDIT:

The Byrds, muzika dhe moda: Në çdo aspekt ishim krijues!

The Byrds, muzika dhe moda: Në çdo aspekt ishim krijues!

Nga: Jim Farber / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Grupet i zgjedhin anëtarët për shumë arsye, por ju mendoni se aftësia për të interpretuar në instrumente është në krye të listës. Nuk shkoi kështu në verën e vitit 1964, kur The Byrds, një nga grupet më me ndikim të rokut, po përbënin formacionin e tyre. Me katër anëtarë shumë të talentuar në vendet e caktuara, mungonte vetëm një tupanxhi. Fati erdhi kur panë Michael Clarke-in duke shëtitur pranë Klubit të Trubadurëve në Los Anxhelos. “Nuk na interesonte nëse mund të luante në tupana apo jo”, kujton Roger McGuinn, duke qeshur. “Dukej si dy nga Rolling Stones-at, i paketuar në një”!

Konkretisht, Clarke mburrej me balluket e dendura të Brian Jones-it dhe me buzët e harlisura të Mick Jagger-it, për të mos përmendur fizikun e hollë të të gjithë rokerëve klasikë të asaj kohe. Është fakt i thjeshtë se një nga grupet më të rëndësishme dhe më të respektuara të muzikës, do t’i vlerësonte tiparet që përfundimisht vërtetojnë fuqinë e pamjes, stilit dhe modës në muzikën popullore. Derisa kjo mund të jetë e qartë në botën e popit bashkëkohor, elementët e tillë pranoheshin shumë më rrallë në botën e rokënrolit të viteve 1960, kur mantra ishte se “gjithçka ka të bëjë me muzikën, o ti njeri”.


Megjithatë, siç e bëri të qartë McGuinn, “kur je në një grup, dëshiron të krijosh mistikën. Stili vizual ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për këtë”, tha ai.

Një libër i mrekullueshëm i dominuar nga fotot, i titulluar “The Byrds, 1964-67”, synon të vërtetojë se gjatë asaj epoke ata kishin pothuajse po aq rezonancë në fushën e stilit sa edhe në tingull. Historia me të drejtë i regjistron si grupin që me kthesa marramendëse u bë pioniere e folk-rokut – duke elektrizuar këngët e Dylan-it, si “Mr Tambourine Man”, dhe të Pete Seeger-it, “Turn! Turn! Turn!” – duke ndihmuar në krijimin e rokut psikodelik dhe të raga-rokut me këngët si “Eight Miles High” dhe “So You Wanna Be a Rock’n’Roll Star”, dhe që vendosi një trend në rokun vendor me albumin kryesor “Sweetheart of the Rodeo”. Përmes intervistave me tre anëtarët themelues që janë gjallë – McGuinn, Chris Hillman dhe David Crosby – libri përmban shumë detaje argëtuese rreth zhvillimit të atyre tingujve, si dhe marrëdhëniet e vështira ndërpersonale të grupit gjatë rrugëtimit. Por, fotot tregojnë histori më ndryshe, meqë flasin për prirjen për modë, si dhe për fuqinë e bukurisë mashkullore. “Tom Petty tha një herë: ‘The Byrds ishin grup i bukur’”, kujton Hillman duke qeshur. “Ai tha: ‘Kishin flokë dhe rroba të shkëlqyera’, dhe ne po këtë e bënim”!

Ky aspekt nuk u anashkalua nga revistat e adoleshentëve në mesin e viteve 1960, të cilat i shfaqnin ata me pompozitet dhe diçitura entuziazmuese. “Në ato kohë, para se të bombardoheshim vazhdimisht nga imazhet vizuale përmes mediave sociale, u desh prania e një grupi si The Byrds – në revistat e tinejxherëve dhe në televizionet amerikane – për të hapur një portë të re për veshjen”, thotë Holly George-Warren. i cili shkroi librin “Rock in Fashion”, bashkë me stilistin John Varvatos. “The Byrds ishte grupi që solli freskinë angleze, që u prezantua nga Beatles dhe Rolling Stones në Amerikë”.

Në fakt, kur The Byrds zgjodhën veshjet e tyre fillestare, modeli i tyre ishte i Katërshes së Mrekullueshme (Beatles). Në këtë mënyrë, ata adoptuan një pamje uniforme, duke i veshur anëtarët me këmisha me jakë dhe kostume të zeza të ngushta të zbukuruara me kadife. Por, pamja nuk zgjati shumë dhe anëtarët nuk e favorizuan më. “Nuk na pëlqeu konformiteti”, thotë Hillman.

Nuk është çudi që u ndien mirë kur kostumet e tyre u vodhën në një klub në të cilin luajtën një natë. Sipas Hillman-it, fajtorë ishin anëtarët e grupit të Little Richard-it. “Kur Roger McGuinn i tha John Lennon-it për këtë”, kujton Hillman, “Lennon tha: ‘Do të doja të na kishin vjedhur neve kostumet’”!

Në fakt, kostumet e grupit Beatles ishin pamja e dytë e adoptuar nga Byrds. Në ditët e tyre të formimit, kur ata njiheshin ende si Jet Set, anëtarët fillestarë mbanin këmisha të bardha, që bënin të dukeshin si djemtë e korit. “Kishim punuar me grupe folku dhe ata kishin atë pamje”, tha McGuinn. “Grupet si Kingston Trio filluan atë stil kolegjial dhe ne shkuam pas kësaj. Gradualisht, u bëmë më bohemë.”

“Ata nisën të adoptonin pamje shumë individualiste”, thotë George-Warren. “Ajo që keni parë në atë periudhë ishte tregues i hershëm i asaj që më vonë do të bëhet ‘pamje e kundërkulturës’”.

Një nga zgjedhjet më të dukshme dhe më të imituara të stilit të hershëm, ishte përdorimi i syzeve të vogla drejtkëndëshe dhe me tela nga McGuinn, një aksesor që mund të blihet me çmim të lirë në çdo farmaci. McGuinn i bëri ato të duken të dallueshme, duke i mbuluar me lente të kaltra tërheqëse. Ai u frymëzua nga syzet e rrumbullakëta të kaltra të mbajtura nga këngëtari i “Lovin’ Spoonful”, John Sebastian, të cilin McGuinn e kishte takuar në ditët e tij të shkëlqimit, në skenën folklorike të Grinuiq Vilixhit. “Thashë, ‘uau, janë nuanca tërheqëse’!”, kujton McGuinn. “Ai tha, ‘provoji, shiko dritat e rrugës dhe lëviz kokën përreth. Duken me të vërtetë tërheqëse!’ Kështu që i vendosa xhamat e kaltër. Nuk do t’i mbaja ato gjatë gjithë kohës, por më pas një producent televiziv në Angli më tha: ‘Të gjithë kanë nevojë për një dredhi’”.

“Një yll pop nuk do ta kishte atë lloj efekti me syze, që nga Buddy Holly dhe Roy Orbison”, tha George-Warren. “Më vonë, e pamë John Lennon-in me syzet e gjyshes”.

Libri përmban imazhe të djemve në audiencë që mbanin ato syze, fillimisht në klubin “Ciro’s”, në Sanset Strip, ku The Byrds krijoi një audiencë dhe një skenë. Klubi, i cili ishte pajisur me skenat e vjetra të stilit të Vegasit, kishte qenë i madh në vitet 1940, kur audienca shkonte për aktet e Tony Bennett-it dhe Sinatra-s. Nga vitet 1960 kishte rënë në kohë të vështira. Prenotuesit e ringjallën duke e rezervuar grupin The Byrds. “E mbushëm atë vend, njeri”, thotë David Crosby. “Ishte plot me njerëz dhe kishte një rresht poshtë bllokut për të hyrë brenda. Të gjithë e vunë re këtë, gjë që vërtet na ndihmoi”.

The Byrds tërhoqën më tej vëmendjen me shoqet e tyre që vepronin si valltare në “Ciro’s”, një tipar që ata e mbartin më vonë në rrugëtime. Në të njëjtën kohë, sjellja e anëtarëve të grupit mbeti e veçantë. “Si interpretues, The Byrds ishin të përmbajtur”, tha Hillman. “Nuk ishim një grup spektakli që lëvizte dhe buzëqeshte”.

Për ta ruajtur atë imazh, Hillman u përball me një sfidë. Për shkak se donte të përshtatej me djemtë tjerë, punoi shumë për t’i rregulluar flokët e tij natyrale me kaçurrela. “I lava dhe vendosa një xhel për t’i rregulluar”, tha ai. “Shkoi huq gjithë ai mund se në një moment, kur arritëm në mesperëndim, gjatë verës kur ka vërtetë lagështirë, flokët e mi ‘ziheshin’ si kaçube”.

I frymëzuar nga kaçurrelat e Dylan-it, Hillman më në fund i la flokët e tij ashtu. Kjo u shoqërua me lëvizjen e anëtarëve për të adoptuar rroba më të pazakonta. Pamja e tyre ndryshoi po aq shpejt sa edhe muzika e tyre. Nuk është çudi që McGuinn i krahasoi me “një revistë” të krijuar për të pasqyruar botën gjithnjë në ndryshim. Crosby i prezantoi stilet më të çuditshme në grup, me kapelat në fokus. Në fillim të vitit 1967, bëri një paraqitje duke rimodeluar një fedora borsalino klasike. “Pashë borsalinon në dyqan dhe më pëlqeu ngjyra”, tha ai. “Vendosa të shtyp pjesën e sipërme të saj, për ta bërë të duket si kapele kauboji dhe kjo vërtetë funksionoi”.

Gjashtë muaj më vonë, mbajti një kapele të stilit ushanka për t’iu përshtatur këmishës ruse që kishte zgjedhur për një fotosesion. Në lëvizjen e tij më teatrale, kishte veshur një pelerinë lëkure. “Nëse doni të shihni diçka vërtet budallaqe, provoni të ngasni motoçikletën me pelerinë”, tha Crosby duke qeshur.

“David dukej si një lloj superheroi hipik që kalëronte nëpër kodrat e Hollivudit”, tha McGuinn.

Ndërkohë, vetë McGuinn favorizonte xhaketat dhe kravatat konservatore, por shkëlqente me ngjyra psikodelike. “Shkova në shkollën përgatitore ku duhej të mbanim kravatë për çdo ditë”, tha ai. “Kështu që ajo pamje ishte normale për mua.”

McGuinn bëri një paraqitje tjetër me mjekër si të dhisë, një pamje që kishte qenë me rëndësi për bitnikët në vitet 1950, por që doli nga moda në mesin e viteve ’60, përpara se McGuinn të ndihmonte në ringjalljen e saj. Ndodhi rastësisht. Një ditë, duke u rruar, “shkova bam dhe u lëndova”, tha McGuinn. “Patëm një shfaqje televizive javën tjetër, kështu që e rrita mjekrën për ta fshehur mavijosjen”.

The Byrds patën ndikim të fortë vizual edhe në kopertinat e albumeve. Fotografi Barry Feinstein përdori një lente peshku për të shkrepur imazhin për debutimin e tyre në vitin 1965. Ishte një nga përdorimet e para të një teknike që më vonë u bë klishe psikodelike.

Anëtari i grupit që kamera e donte më shumë ishte Gene Clark, këngëtar i talentuar i cili ishte gjithashtu kompozitori më produktiv i grupit në ditët e para. Clark ishte i pashëm si për Hollivud dhe, siç e bën të qartë një foto e djemve me rroba banje, ishte krejtësisht i zhvilluar. “U rrit në një fermë në Kansas, dhe u bë ashtu”, tha Hillman. “Djali nuk shkoi kurrë në palestër, por dukej ashtu. Kur perdja hapej, çdo e re në publik do të përqendrohej pikërisht tek ai”.

Fatkeqësisht, Clark kishte probleme me shëndetin mendor dhe gjithashtu zhvilloi një frikë nga fluturimi, gjë që bëri që të largohej dy herë nga grupi. “Ai thjesht mbaroi”,  tha McGuinn. (Clark vdiq nga problemet e lidhura me alkoolin, në moshën 46-vjeçare, ashtu si Michael Clarke në moshën 47-vjeçare.)

Megjithëse grupi vazhdoi të humbiste anëtarët në vitet e tyre të hershme, ata vazhduan të rriteshin muzikalisht. Albumi i tyre i vitit 1968, “The Notorious Byrd Brothers”, i cili u finalizua pasi nga grupi u larguan anëtarët Crosby dhe Clark, ishte triumf krijimtarie që i zhvendosi ata në një drejtim më të thjeshtë – si nga ana zanore ashtu edhe nga ana vizuale. Stili i muzikantëve zgjati gjatë tri viteve që mbulon libri. Kur Hillman u largua nga grupi në 1969, për të ndihmuar në formimin e “Flying Burrito Brothers”, me një ish-Byrds tjetër, Gram Parsons-in, ata u bënë rokerët e parë që kishin “kostume nudie”, një stil i bërë i famshëm nga yjet e vendit, si Hank Williams dhe Porter Wagoner. Krijuar nga Nudie Cohn, këto veshje paraqisnin diamante të rreme të përpunuara dhe qëndisje të dendura me imazhe të zgjedhura nga blerësi. Veshja e Parsonspit përmbante gjethe marihuanë. Pallonjtë gjigantë me të cilët mburret Hillman.

Zgjedhja e imazheve nga Hillman nënvizoi një nga aspektet më revolucionare të stilit rok në vitet 1960. Ashtu si pallonjtë në botën ajrore, kultura rok u përqendrua te meshkujt si objekte seksi dhe jo te femrat, një ndryshim që ishte po aq subversiv në vitet 1960 sa vetë muzika. “Ishte për shikim të grave – dhe burrave, megjithëse ata kurrë nuk do të donin ta pranonin këtë”, thotë George-Warren. “Pretenduan se pamja nuk kishte rëndësi. Është marrëzi”.

Përtej zgjerimit të lentave seksuale, epoka pa po ashtu ndryshime edhe në klasën e njerëzve të përfshirë në rok. “Përpara grupeve, si The Byrds, muzikantët e rokënrolit nuk kishin ardhur kurrë nga klasa e mesme e lartë”, tha Danny Fields, i cili redaktoi revistën për adoleshencë, “Datebook”, në vitet 1960 dhe që vazhdoi të zbulonte Iggy Pop-in dhe të menaxhonte grupin Ramones. “Ata ishin ose si Elvisi nga jugu, ose si fëmijë italianë të klasës punëtore që këndonin du-uop në verilindje, ose të zinj. The Byrds ishin ndër grupet e para me të cilat fëmijët e bardhë të klasës së mesme vërtet mund të lidheshin. I adhuruam, sepse ishin grupi i parë i lezetshëm amerikan që bënte muzikë të bukur dhe kishte hite. Dhe, ishin tërheqës”!

Pavarësisht gjithë joshjes vizuale dhe thellësisë muzikore të grupit, McGuinn tha se përvoja e shikimit të librit ishte “pak të trishtueshme, sepse gjithçka u shkatërrua në fund”.

Por, Hillman e sheh anën më pozitive. “Njerëzit që as nuk ishin gjallë në atë kohë, tani mund t’i shikojnë këto foto dhe të kenë një perspektivë të re për grupin dhe se sa të ndryshëm ishim ne”, tha ai. “Në çdo aspekt ishim krijues”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
PARAJA

PARAJA

Poezi
Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave

Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave

Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Kulture
PORTRETI

PORTRETI

Poezi
DIGJITALE

DIGJITALE

Poezi
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori