LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Më ka marr malli për opozitën, do t’u dërgoj ftesa për takim

Kurti: Më ka marr malli për opozitën, do t’u dërgoj ftesa për takim
Arkiv

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të mbajtur sot pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur për një sërë çështjesh, përfshirë këtu dialogun me Serbinë dhe raportet e tij me partitë opozitare.

Ai ka thënë se nuk është takuar me opozitën që nga koha kur Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim.


“Është e vërtetë që unë nuk e kam takuar opozitën prej se kuvendi ka shkuar në pushim veror. Dhe nuk besoj që duhet të kthehemi nga pushimet që takohemi edhe unë besoj dhe shpresoj që do takohemi më herët. E pash dje që përveç meje edhe zotërinë Gabriell Escobar e kishte marrë malli për opozitën, edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Do ta pyes sot zotëri Escobar në takim se si ka kaluar në takim me opozitën, si e kemi opozitën. Dhe pa dyshim që unë besoj që për një çështje kaq madhore, si është sovraniteti i Kosovës, reciprociteti me Serbinë, dialogu në Bruksel kemi pozitë dhe opozitë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti gjithashtu konfirmoi që do t’u dërgoj ftesa liderëve të opozitës për tu takuar.

“Mund ta konfirmoj që do të ketë ftesë për takim me liderët opozitarë në një kohë të përshtatshme edhe për ata në muajin gusht”, tha Kurti. /Telegrafi/