LAJMI I FUNDIT:

HARMONIA

HARMONIA
Ilustrim

Nga: Santiago Andres
Përktheu: Bajram Karabolli

Pyeta orakullin e kohës dhe më foli për demonët historikë, për punën e paguar keq dhe për djersën e derdhur kot. Pyeta magjistarin e deteve dhe ai më foli për baticat e përsëritura, për muzgje të kredhura në mjegullën e rrëmujës. Më foli gjithashtu për ujët dhe kripën që do të lanin kujtesën. Pyeta perënditë e krijimit, të cilat, të rehatuara në cakun e tyre, qenë kredhur në gjumin e harmonisë. Ato më folën për diej që shkëlqejnë në vetmi, për yje që nuk shndrisin më, për cirqe endacakë, për rrugë … Më folën për rrugë, por përgjigje nuk më dhanë.

Së fundi, pyeta shpendin e dijetarëve dhe ai … ai vetëm fshiu lotët e veta me një shami pyetjesh, pastaj e shtrydhi. Nuk qenë pika uji ato që binin nga shamia e qëndisur … Ato qenë pika shprese.


Unë, i pakënaqur me përgjigjen, u zhyta të notoj në atë shami dhe u mbyta.

Askush nuk më dëgjoi, kur kërkoja ndihmë.