Nga: James Forsyth / The Spectator
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Kur forcat ruse marshuan për herë të parë në Ukrainë, shumica menduan se do të largohet presidenti Zelensky. Boris Johnsoni tha se Britania mund ta mirëpresë qeverinë ukrainase të ekzilit. Amerikanët ofruan ta largonin Zelenskyn nga Kievi, për ta mbrojtur nga skuadrat e vdekjes që Moska i kishte dërguar për ta vrarë ose kapur. Zelensky, me guximin dhe dhuntinë që karakterizon udhëheqjen e tij në luftë, u përgjigj: “Kam nevojë për municion, jo për udhëtim”. Epo, ukrainasit tani e kanë municionin – dhe pas tre muajve, lufta duket krejt më ndryshe nga ajo që shumëkush parashikonte më 24 shkurt.
Po, rusët e kanë marrë Mariupolin, duke e hapur rrugën për korridorin tokësor nga Donbasi në Krime, të cilin e aneksuan në vitin 2014. Por, pasi e fituan betejën për Kievin, ukrainasit po i largojnë rusët nga Kharkivi dhe po i sulmojnë forcat e Putinit në lindje.
Me vërshimin e armëve perëndimore në Ukrainë (dhjetë aeroplanë me ndihma ushtarake mbërritën në fillim të kësaj jave në Ukrainë), tani është një shans për të shkuar në ofensivë. Në rrugë janë 40 miliardë dollarë të ndihmës amerikane. Kjo shumë është më e madhe se gjithë buxheti i mbrojtjes australiane. Kjo do të thotë se Ukraina mund të synojë të rimarrë territorin, në vend që thjesht ta pengojë përparimin rus.
Kjo kthesë e ngjarjeve ngre disa pyetje. Cilat duhet të jenë synimet e luftës së Ukrainës? A duhet të përpiqen t’i shtyjnë rusët përsëri atje ku ishin para pushtimit, apo të vazhdojnë të luftojnë, të rezistojnë për Krimenë dhe të përpiqen t’i zhbëjnë të gjitha humbjet që kanë pësuar që nga viti 2014? A duhet të jetë gati Zelensky për të biseduar me Putinin, pavarësisht krimeve të tmerrshme të kryera nga forcat ruse? Dhe, a duhet t’i ofrohet Putinit një lloj daljeje për ta shpëtuar fytyrën?
Vendimi i Putinit për ta nisur një pushtim në shkallë të plotë dhe trimëria me të cilën ukrainasit rezistuan, Perëndimin veçse e kanë bashkuar. Pushtimi e nxori NATO-n nga plogështia dhe aleanca po zgjerohet; qëllimi i saj është i qartë. G7 ka krijuar rol të ri, si mjet për koordinimin e sanksioneve mes ShBA-së, BE-së, ekonomive tjera perëndimore dhe demokracive të Azisë Lindore.
Ditët e fundit, ky front i bashkuar është plasaritur paksa. Macroni ka thënë se Putini nuk duhet të poshtërohet, ndërsa Zelensky i ka thënë televizionit italian se “nuk do ta ndihmojmë Putinin ta shpëtojë fytyrën, duke paguar me territorin tonë”. Parisi ka mohuar se kjo është ajo që ka sugjeruar presidenti francez, por është e qartë se po mendon si të ndërtojë ekuilibra të rinj të sigurisë në Evropë ku faktor prapë është Rusia.
Në të njëjtën kohë, firmat e BE-së po lejohen të paguajnë me rubla për gazin rus – diçka që Komisioni, i cili ishte më i ashpër se disa nga vendet anëtare, fillimisht la të kuptohet se kjo është kundër regjimit të sanksioneve. Në Qeverinë britanike, figurat me ndikim ankohen për “rrëshqitje në aspektin e sanksioneve”. Një ministër i kabinetit britanik thotë se BE-ja “nuk do ta ndërpresë kurrë” gazin rus. Volkswageni po bën thirrje për kthim në biznesin e zakonshëm me Rusinë, bile sa më shpejt të jetë kjo e mundur. Pra, ndarja më e madhe në BE është mes shteteve më të ashpra të prira nga polakët dhe baltikët, dhe francezëve e gjermanëve.
Negociatat reale për t’i dhënë fund luftës mbeten perspektivë e largët. Të gjitha bisedimet që janë zhvilluar kanë qenë veç sa për sy e faqe. “Rusët nuk janë askund afër tryezës së negociatave”, thotë një burim britanik. Kapja e Mariupolit ia hap Putinit mundësinë për t’ia mohuar Ukrainës lirinë e lundrimit në Detin e Zi – gjë që do ta bënte më të vështirë aktivitetin e saj ekonomik, si shtet. Rusia do të jetë e hapur për negociata vetëm nëse me kundërsulmin ukrainas e humb korridorin tokësor të fituar së fundmi.
Por, është me rëndësi që Ministria e Jashtme britanike tani e ka një ekip për negociata, ekip ky që po koordinohet me aleatët dhe po përgatitet për atë që mund të ndodhë në afat të mesëm. Bisedimet e paqes nuk përjashtohen. Një burim diplomatik në këtë mënyrë e përshkruan qëndrimin britanik: “Të jesh i ashpër me Rusinë dhe ta vendosësh Ukrainën në pozitën më të fortë negociuese”.
Janë disa copëza drejt kësaj. Prioriteti i parë është ruajtja e presionit të sanksioneve ndaj Rusisë, të cilin Londra do të donte ta intensifikonte me një embargo të plotë të naftës dhe të gazit. E dyta është të vazhdohet me furnizimin e Ukrainës me armatimet që mundësojmë ndryshimin e fakteve në terren.
“Po i ndihmojmë të vijnë në tryezën e bisedimeve në pozicionin më fortë. Se çfarë bëjnë ata me atë forcë, kjo varet nga ata”, thotë një burim qeveritar, i cili vazhdon: “Ukrainasit nuk do të bëjnë asgjë pa Mbretërinë e Bashkuar dhe pa ShBA-në në dhomën e bisedimeve”.
Mësimet nxirren nga bisedimet e paqes pas vitit 2014, të ashtuquajturat “Minsk II”, kur rusët vuajtën pak për agresionin e tyre dhe francezët e gjermanët e morën drejtimin për marrëveshjen e paqes. “Nëse kjo ndodhë përsëri, do të ishte një fatkeqësi”, thotë një ministër i qeverisë. “Nuk mund ta lejojmë Putinin që të riarmatoset dhe të kthehet.” Britanikët favorizojnë armëpushim, por vetëm nëse rusët tërhiqen – të paktën aty ku ishin para pushtimit të shkurtit. Armëpushimi veç sa për t’i mundësuar negociatat, për Londrën i gabuar. “Forcat e Zelenskyt e kanë një momentum përpara; ai nuk do të ndalet tani”. Është hedhur poshtë gjithashtu ideja për t’ia lejuar Putinit disa lëshime territoriale: “Amerika dhe Britania nuk janë për këtë”.
Pyetja më e vështirë është se çfarë duhet bërë për Krimenë. Rusët e aneksuan territorin në vitin 2014 dhe e kanë përfshirë në shtet, por bota perëndimore nuk e njeh këtë rivizatim të dhunshëm të kufijve ndërkombëtarë. Disa në institucionin e sigurisë mendojnë se Zelensky duhet të vazhdojë të luftojë për ta nxjerrë Rusinë nga Krimea: jo sepse qëllimi është realist, por sepse do ta rrënonte Rusinë dhe do t’i ndalonte ata të rimëkëmbeshin dhe të riarmatoseshin. Por, realisht, nëse Ukraina do t’i përdorte pajisjet perëndimore për të kaluar në Krime dhe për ta rimarrë territorin që Rusia tani pretendon se është pjesë e vendit, rreziku i përshkallëzimit do të ishte i qartë.
Tash për tash, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, sipas fjalëve të një të besuari të Johnsonit, është e pajtimit të “marrë udhëzime” nga Zelensky. (Ka disa pëshpëritje në qeveri se nga dëshira e tyre për t’i parë rusët të mundur, ekziston rreziku që polakët t’ia diktojnë Kievit qëllimet e luftës.) Një tjetër figurë e lartë britanike thotë: “Nuk mund të jesh më ukrainas se ukrainasit”, dhe mendohet se Zelensky është i përgatitur të negociojë për Krimenë, edhe nëse anëtarët tjerë të qeverisë së tij mbajnë qëndrim më të ashpër.
Në Londër besojnë se nëse ukrainasit mund ta marrin kontrollin e kalimit në ujë nga Ukraina në Krime, duke rimarrë kanalin verior të Krimesë, kjo do ta detyronte Putinin të ulej në tryezën e bisedimeve. Ky është pozicion më delikat sesa sugjerimi i disa ministrave se Rusia duhet të shtyhet me forcë nga Krimea, nëse kjo është e nevojshme.
Putinit i pëlqen të lë kaos pas pushtimit: të ashtuquajturat “konflikte të ngrira”, të cilat nuk mbarojnë kurrë, që do t’ia japin atij prapë një arsye për t’i rifilluar armiqësitë, sa herë që kjo i përshtatet. Plani i tij fillestar për Ukrainën ishte ta krijonte një pretekst për pushtimin, duke inskenuar provokimin në dy republikat e vetëshpallura në Donbas. Ky plan u pengua nga inteligjenca perëndimore, e që paralajmëroi për pushtimin. Qëllimi i tij tani do të jetë ta pushtojë Ukrainën lindore dhe të shkaktojë përherë trazira.
Pra, janë vendimtare aftësitë e ardhshme ushtarake të Ukrainës. Realisht, vendi nuk do të bashkohet me NATO-n – shtetet me mosmarrëveshje të pazgjidhura territoriale nuk lejohen të bashkohen me aleancën dhe shumë anëtarë mendojnë se pranimi i Ukrainës do të ishte provokues për Rusinë. (Megjithatë, vlen të theksohet se disa figura me ndikim në qeverinë ukrainase, privatisht janë kritikë ndaj Zelenskyt se pse pranoi që anëtarësimi në NATO nuk është realist.)
Ajo që dëshiron Britania është që ushtria e Kievit të ndërtohet sipas standardeve të NATO-s, kështu që Rusia nuk mund të shpresojë se do të fitojë ndonjë konflikt me mjete konvencionale (d.m.th. jo-bërthamore). Siç thotë një burim që e ka diskutuar këtë çështje me Johnsonin: “Po ua japim mjetet për ta mbrojtur veten – kjo është e ardhmja për Ukrainën. Do të sigurohemi që të jenë të pajisur me inteligjencë, me armë dhe stërvitje, në mënyrë që të jenë të pathyeshëm”. Polonia dhe shtetet baltike e kanë po këtë qëllim.
Pastaj vjen pyetja se si do të duken marrëdhëniet me Putinin, pas Ukrainës. Gatishmëria e Macronit për të mbajtur linja të drejtpërdrejta komunikimi me Presidentin rus, nuk është diçka që Londra është gati ta bëjë. “Pamja e kujtdo që negocion me Putinin, pavarësisht asaj që bën, sado të ndershme të jenë motivet, është e rëndë për stomakun,”, thotë një aleat i kryeministrit. Pikëpamja e Kryeministrisë është se “është vërtet e vështirë të paramendohet rikthimi në diçka që ngjanë në marrëdhënieje normale me të”.
Sanksionet ndaj Rusisë janë të paprecedentë: një ekonomi e G20-ës po shkëputet nga ekonomia botërore. Por, në mënyrë të pashmangshme po u shkaktojnë dhimbje edhe vendeve që i kanë vënë sanksionet. Nëse arrihet një marrëveshje paqeje, do të ketë presion për t’i hequr ato. Megjithatë, pikëpamja e qeverisë britanike është se heqja e shpejtë e sanksioneve është e gabuar: “Në vend se t’i heqim sanksionet dhe të jetojmë të lumtur përgjithmonë, do të dëshironim t’i përdorim si levë për t’i siguruar reparacionet”, thotë ky burim. Kështu që britanikët favorizojnë heqjen e tyre vetëm pjesërisht, me opsionin e rikthimit posa të vërehen sinjalet e ndonjë agresioni rus. Ideja është se kjo do ta ndihmonte parandalimin e çdo revanshizmi të ardhshëm rus.
Privatisht, figura të larta në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar këmbëngulin se marrëdhëniet me Rusinë nuk duhet kurrë më të jenë të njëjta. Ata pohojnë se duhet t’i jepet fundi varësisë së Gjermanisë dhe të vendeve tjera evropiane nga gazi rus, si dhe të vihet në pikëpyetje lejimi i serishëm i eksportimit – në Rusi – të pjesëve kruciale të teknologjisë. Siç ka thënë sekretari i mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, nëse doni ta ndaloni Rusinë të mos jetë më në gjendje ta bëjë këtë lloj gjëje, pse do t’ia dërgoni asaj gjërat që i nevojiten për prodhim të avancuar?
Kur Ronald Reagani më 1977 u pyet se cila ishte politika e tij për Luftën e Ftohtë, ai u përgjigj: “Ne fitojmë, ata humbin”. Reagan kishte të drejtë; por, betejat rrallëherë përfundojnë kaq thjesht. Sado që është moralisht e drejtë që Putini dhe udhëheqja ruse të gjykohen për krime lufte, kjo nuk do të ndodhë. Në vend të kësaj, Perëndimi duhet të fokusohet te dërgimin i Zelenskyt në dhomën e negociatave, në pozicionin më të fortë të mundshëm. Nëse Ukraina zmbraps pushtimin e Putinit dhe nëse pas kësaj vazhdon të jetë e pajisur për ta bërë zmbrapsur përsëri, ky do të ishte rezultati më i mirë i mirë i luftës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDrenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë