LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore miraton fond prej 81.3 milionë dollarësh për reformimin e sektorit të ujit në Shqipëri

Banka Botërore miraton fond prej 81.3 milionë dollarësh për reformimin e sektorit të ujit në Shqipëri

Banka Botërore ka njoftuar se bordi i saj i drejtorëve ka miratuar një hua prej 75 milionë dollarësh dhe një grant prej 6.3 milionë dollarësh për të financuar reformimin e sektorit të ujit në Shqipëri.  

Sipas një njoftimi për shtyp të Bankës Botërore, huaja është pjesë e Programit Kombëtar prej 135 milionë dollarësh për Modernizimin e Sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri që bashkë-financohet nga qeveria e Shqipërisë.


Ndërsa, granti financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe do të menaxhohet nga Banka Botërore.

Programi synon përmirësimin e aktivitetit dhe gjendjes financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve si dhe ofrimin e shërbimeve të përmirësuara të furnizimit me ujë në Shqipëri, shton banka.

“Shqipërisë nuk i mungojnë burimet e bollshme ujore për t’i ofruar ujë të pijshëm, të freskët dhe të sigurt gjithë popullsisë. Vitet e fundit, Shqipëria ka hartuar një kuadër rregullator të plotë për ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe ka bërë ndryshime në organizimet institucionale për përmirësimin e ofrimit të shërbimit”, ka theksuar banka.

Megjithatë, Banka Botërore konstaton se shumica e shoqërive të ujësjellësit në Shqipëri vijojnë të kenë performancë të ulët si teknike, ashtu edhe financiare.

“Kjo ndikon cilësinë e shërbimit për popullsinë dhe bizneset, si dhe pamundëson ofrimin e shërbimeve aty ku mungojnë, veçanërisht për personat më të cenueshëm në zonat periferike dhe rurale të vendit”, sqaron banka.

Sipas Bankës Botërore, rreth 20 për qind e popullsisë rurale në Shqipëri nuk mbulohet nga rrjeti i tubacioneve të ujësjellsave.

“Shumica e shoqërive të ujësjellësave varen thuajse tërësisht nga fondet e qeverisë qendrore. 37 nga 58 shoqëritë bashkiake të ujësjellësit varen nga mbështetja buxhetore. Sektori i Ujësjellës-Kanalizimeve (UK) ka nevojë për reformim lidhur me modelet e menaxhimit dhe organizimit që do të mundësojnë arritjen e synimeve kombëtare”, thekson banka.

“Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnimizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Banka Botërore do të mbështesë sektorin përmes një instrumenti novator financimi të quajtur Program për Rezultate. Kjo do të thotë që në vend që të sigurohen financime për infrastrukturën, të përqendrohemi në mbështetjen e reformës institucionale, ose siç e themi në mënyrë jozyrtare ‘në vend që të rregullojmë tubat, të rregullojmë institucionet që duhet të rregullojnë tubat’”, ka shtuar Salinas.

Banka sqaron me tej se programi për Shërbimet e UK-së do të ndihmojë në transformimin e thellë të sektorit për përballimin e sfidave strukturore.

“Kjo do të forcojë planifikimin dhe programimin e investimeve, si në nivel vendor ashtu edhe qendror në sektorin e UK-së, duke mundësuar shtrirjen e investimeve publike në zonat gjysmëurbane dhe rurale. Në kuadër të këtyre reformave, shoqëritë e ujësjellësit priten të përmirësojnë performancën e tyre, duke u mbështetur më pak nga fondet publike,” ka shtuar banka.

“Përdorimi efikas i fondeve publike do t’u sjellë përfitime jo vetëm familjeve individuale, por do të përmirësojë edhe ekonominë. Shërbimet më të besueshme dhe me cilësi më të lartë për familjet dhe bizneset do të kenë ndikim pozitiv në industrinë e turizmit, hapjen e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë, si dhe në zvogëlimin e hendekut midis zonave urbane dhe rurale”, thekson Banka Botërore.

“Projekti i sapoaprovuar përdor instrumentin e financimit Program-për-Rezultate që lidh drejtpërsëdrejti disbursimin e huasë me arritjen e rezultateve specifike të programit. Ndërsa Granti do të sigurojë financim për asistencën teknike, ngritjen e kapaciteteve në institucionet qendrore të sektorit, për zbatimin, monitorimin, si dhe për vlerësimin e rezultateve të programit”, nënvijëzon banka.

Programi është hartuar dhe do të zbatohet bashkërisht me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve (AKUM), si dhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori