LAJMI I FUNDIT:

Çifti ukrainas kalon ditën e parë të martesës duke mbledhur armë: Po mbrojmë vendin tonë

Çifti ukrainas kalon ditën e parë të martesës duke mbledhur armë: Po mbrojmë vendin tonë

Dy shtetas ukrainas, Yaryna Arieva dhe Sviatoslav Fursin, u martuan vetëm pak orë pasi Rusia filloi pushtimin e vendit të tyre.

Siç raporton CNN, përcjell Telegrafi ata e kaluan ditën e parë të martesës duke mbledhur pushkët dhe duke u përgatitur për të mbrojtur shtetin e tyre, Ukrainën.

Çifti, Arieva dhe Fursin kishin planifikuar të bëjnë dasmën në qershor, por që vendosen të martohen tani pasi nuk ndiheshin të sigurt për të ardhmen e tyre.


Arieva dhe Fursin kanë nënshkruar të dy me Forcat e Mbrojtjes Territoriale, një degë e forcave të armatosura të Ukrainës që përbëhet kryesisht nga vullnetarë. Pasi u armatosën, çifti u drejtuan për në zyrën e partisë së tyre politike, Solidariteti Evropian.

“Për momentin, ne jemi këtu dhe po bëjmë gjithçka që mundemi. Kështu që ka shumë punë për të bërë, por megjithatë, shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull”, deklaroi Arieva.

Ndryshe, pas kërcënimeve disamujore se do të fillojë pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin të enjten urdhëroi operacionet ushtarake në këtë shtet evropian.

Dy ditë më parë, Putin nënshkroi dekretin ku njeh shtete dy rajonet separatiste, ndërsa 48 orë pas këtij veprimi që u dënua ashpër nga Perëndimi, u dha urdhri edhe për operacionet ushtarake në Ukrainë.

Në anën tjetër, autoritetet e sigurisë në Ukrainë kanë bërë thirrje për mobilizim, pasi që prej orëve të para të mëngjesit të së enjtes granatimet dhe sulmet ajrore nga ana e Rusisë nuk kanë të ndalur.

Deri më tani dhjetëra civilë kanë humbur jetën, kurse autoritetet ukrainase kanë njoftuar se edhe trupat ruse kanë pësuar humbje të mëdha si në njerëz ashtu dhe në makineri. /Telegrafi/