LAJMI I FUNDIT:

Ka shpresë për liberalizimin e vizave gjatë Presidencës franceze të BE-së

Ka shpresë për liberalizimin e vizave gjatë Presidencës franceze të BE-së

Skeptikja më e madhe për heqjen e vizave për Kosovën ka marrë drejtimin e Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm.

Përmirësimet në funksionimin e zonës Shengen dhe mbrojtja e kufijve të Evropës janë vendosur si prioritete të presidencës franceze të BE-së.


Pavarësisht kësaj, profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, pret lëvizje pozitive në drejtim të liberalizimit të vizave.

“Ka indikacione që mund të ketë zhvillime pozitive sepse Franca është vend që njihët për marrje të vendimeve të mëdha, por kjo nuk duhet të ndikojë që institucionet e Kosovës ta vazhdojnë komoditetin pasi tash e ca kohë qëndrojnë vetëm në pozicion vajtues”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Afrim Hoti.

Në programin 76 faqesh të Presidencës së Këshillit të BE-së, Ballkani Perëndimor përmendet pesë herë, përcjell Telegrafi.

Pjesë e tij është edhe paralajmërimi për organizimin e një konference në rajon gjatë qershorit, kurse për kapitullin e integrimit flitet për përkushtimin që BE-ja ka për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Hoti shpreson që Kosova dhe rajoni të jenë më shumë në vëmendje në presidencën franceze.

“Me ardhjen e Francës në krye të presidencës  pres intensifikim të politikës së jashtme të BE-së në përgjithësi në veçanti ndaj Ballkanit Perëndimor që ka mbetur si pjesë e pa integruar”, deklaroi Hoti.

Në Francë do të ketë edhe zgjedhje parlamentare dhe presidenciale gjatë muajve prill e maj./Telegrafi/