Nga: Klajd Kapinova
Intelektuali i shquar Qazim Mulleti ishte një politikan shqiptar, nacionalist dhe kryetar bashkie i Tiranës nga viti 1939 deri në vitin 1940 dhe prefekt i saj nga 1942-1944. Ai bënte pjesë në njësinë e vullnetarëve shqiptarë në luftë kundër ushtrisë serbe më 1919-1920.
Qazim Mulleti lindi më 20 dhjetor të vitit 1893 në lagjen ‘Sulejman Pasha’ (Mulleti), në Tiranë, asokohe si pjesë e Perandorisë Osmane. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe më pas kreu studimet në Galatasaraj Mekteb-i Sultanisi në Stamboll, me medaljen e artë.
Ishte poliglot. Qazimi njihte shumë mirë tetë gjuhë të huaja, si: turqishten, arabishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, latinishten, greqishten dhe serbokroatishten.
Mulleti ishte i dhënë pas sporteve të kalërimit, patinazhit në akull dhe mbledhjes apo koleksionit të suvenirëve, në shtëpinë e tij. Qazimi la një kat bosh në shtëpinë e tij, me qëllimin e krijimit të një mini muzeu me sende të ndryshme historike.
Më 28 nëntor të vitit 1912, së bashku me shumë studentë të tjerë shqiptarë të asaj kohe, mori pjesë në ngritjen e flamurit shqiptar në Tiranë dhe Vlorë – në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Dy vjet më vonë, në vitin 1914, ishte një nga katër adjutantët e Princ Wiedit. Ai ndoqi Wiedin në Vjenë, ku jetoi deri në vitin 1920. Atje, me mbështetjen dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të gjeneralmajorit austriak Ignaz Trollmann, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Mulleti ndoqi studime shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës, së bashku me armikun e ardhshëm Ahmet Zogu, dhe të tjerë. U zgjodh si anëtar i delegacionit shqiptar me 36 veta, që u takua me arkidukën Franz Ferdinand të Austrisë, duke e përgëzuar për ngritjen e tij në pushtet.
Në vitin 1920, Mulleti mori pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga ai Kongres fillimisht u pengua të hynte në Durrës, i cili fillimisht ishte destinacion për ushtrimin e përkohshëm të funksioneve të tij, pasi Kongresi kishte zgjedhur Tiranën si kryeqytet të ri.
Shumë patriotë shqiptarë asokohe hapën me dëshirë shtëpitë e tyre, duke i vënë në dispozicion të Qeverisë së re të krijuar në Tiranë. Shtëpia e Qazim Mulletit u bë Ministria e parë e Bujqësisë
E mbrojti në vazhdimësi idenë që Tirana (de jure, u bë në vitin 1925) të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, duke qenë një alternativë më e mirë se qyteti antik i Durrësit. Në shtator të vitit 1920 emërohet komandant i një force vullnetare kundër ushtrive serbe. Nga 25 prilli deri më 3 maj 1921, mori pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i shoqërisë së Tiranës “Vllaznia-Zgjimi” së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliun dhe Musa Maçin si përfaqësues të Shoqërisë tjetër “Lidhja Kombëtare” dhe të shoqërisë së Avni Rustemit, “Bashkimi”.
Intelektuali erudit i shquar poliglot, Qazim Mulleti, ka qenë prefekt në qarkun e Dibrës, gjatë qeverisjes së Sulejman Delvinës dhe imzot Fan S. Nolit.
Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, u largua nga Shqipëria, ku fillimisht u zhvendos në Zarë (Kroaci) dhe më vonë në Vjenë (Austri) ku qëndroi si emigrant politik deri në vitin 1931. Asokohe Mulleti ishte anëtar i “Bashkimit Kombëtar”, një bashkim i kundërshtarëve të Mbretit Zog në mëgrim, që u krijua në Vjenë (1925) me iniciativën e Ali Këlcyrës, Xhemal Bushatit, Sejfi Vllamasit etj.
Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, do të kishte një tjetër kohë të qëndrimit në mëgrim. Qazim Mulleti në zyrën e tij në Tiranë do të kthehej (në Shqipëri) vetëm pas mërgimit të Mbretit Zog dhe pushtimit italian të vendit më 7 prill të vitit 1939. U zgjodh kryetar i Bashkisë së kryeqytetit Tiranë (1939–1940). Disa objekte arkitekturore të njohura në Tiranë asokohe, u iniciuan ose iu dhanë jetë gjatë kohës që ai ishte në detyrë. Të tillë janë p.sh. Hotel “Dajti”, godina e sotme e Muzeut Kombëtar Arkeologjik, godina e Akademisë së Arteve, godina e Këshillit të Ministrave etj.
Në vitin 1941 u nominua Emisar Special për Çlirimin e Trojeve Shqiptare të Kosovës dhe të Dibrës. Në vitin 1942 u bë ushtrues detyre i prefektit të Tiranës.
Pozicionimi i tij politik gjatë kësaj kohe do të ishte i përzier. Mulleti do të kontribuonte në ndihmën e familjeve hebraike, duke u ofruar atyre dokumentacion shqiptar, duke shfrytëzuar autoritetin e parashikuar nga një marrëveshje midis Regjencës Shqiptare dhe Hermann Neubacherin. Do të ndihmonte edhe komunistët e qarkut të Tiranës, që të iknin nga persekutimi. Në të njëjtën kohë emri i tij figuron në disa urdhra ekzekutivë, për dëbimin ose burgosjen e elementëve të tjerë antifashistë dhe familjeve të tyre.
Diktatori komunist Enver Hoxha dhe regjimi komunist që pasoi deri në vitin 1991, do t’i drejtoheshin Qazim Mulletit si tradhtar, agjent, kriminel ose “prefekt gjakatar”.
Gjatë kohës që ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, u martua me Hajrie Kusin. Djali i tij Reshiti ishte fëmija i vetëm që doli nga martesa e tyre. Pjesa tjetër e familjes u zhvendos në Shqipëri dhe do të ribashkohet në vitin 1939.
Mulleti, me dhimbje në shpirt, do të largohej nga Shqipëria, përpara se lukunia e partizanëve komunistë të merrnin pushtetin me mashtrime dhe gjak, duke lënë pas gruan dhe djalin e tij për ta marrë një herë tjetër.
Gruaja dhe djali i tij Reshiti vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të punës së rëndë në Tepelenë, Savër, Gradisht, Porto Palermo etj. Hajria vdiq në vitin 1980, ndërsa ishte në kampin e përqendrimit në Savër (Lushnjë), mbasi vuante prej vitesh nga alzheimeri.
Qazim Mulleti vdiq më 28 gusht të vitit 1956, në Vicolo delle Grotte, Rocca di Papa, afër Romës në Itali.
Njeriu elitar shqiptar, Qazim Mulleti, do të paraqitej në komedi banale gjatë epokës komuniste, bazuar në një skenar të dhjetorit të vitit 1948 nga komunisti i thekur propagandistik, Besim Levonja (1922-1968). Personazhin e tij do ta sillte për publikun fillimisht aktorët komunistë Mihal Popi, e më pas Robert Ndrenika e të tjerë. Konkretisht, performanca e Mihal Popit do të mbahej mend si më e turpshmja shfaqje e cila do të vazhdonte për inerci edhe për 25 vjet të tjera.
Versioni më banal do të ishte “Prefekti” i vitit 1974, me regji të Pirro Manit dhe përshtatur për ekranin televiziv nga Vera Grabocka në vitin 1976. Robert Ndrenika do të merrte me dëshirë rolin, i cili do të mbetej në histori si simbol i turpit të trushpërlarjes shqiptare.
Personaliteti i intelektualit të shquar Qazim Mulletit, që kishte mbaruar studimet e larta me Medalje të Artë, do të përshkruhej me nuanca të thella të turqizimit, orientalizmit dhe “injorancës”, si dhe një person thellësisht i “korruptuar”, “hakmarrës”, “fodull” dhe “mosmirënjohës” përkrah të tjerëve. Për më tepër, që nga shfaqja e parë në vitin 1949, do të përdoreshin emrat dhe mbiemrat e vërtetë të tij dhe të familjarëve të tij, për ta fyer pa mëshirë psikologjikisht dhe moralisht edhe më shumë familjen elitare të intelektualit të shquar.
Për shumë dekada me radhë gjatë periudhës së zezë të komunizmit dhe në poskomunizëm, historikisht dihet se figura e Qazim Mulletit është përbaltur dhe luftuar politikisht nga historiografia mashtruese komuniste. Ai duhet të ristudiohet bazuar në dokumentacionin arkivor për te.
“Arti” pervers i socrealizmi sa më parë duhet t’i nënshtrohet një fshirjeje rrënjësore. Sot duhet të vendosen filtra të mëdha, për të ndalur me ligj nga Parlamenti i Shqipërisë propagandimin e neo-komunizmit.
Për këtë qëllim, shembulli më i mirë që njihet tashmë në të gjithë botën është Gjermania që për të pastruar shoqërinë e saj nga periudha e errët e nazizmit, ka hartuar ligje të denazifikimit, duke mundësuar krijimin e programeve të posaçme edukimi antinazist deri në ditët tona. Sot, fatmirësisht mund të thuhet se shteti më demokrat përparimtar në Evropë, Gjermania e bashkuar, me shumë sukses ia ka arritur qëllimit të bëj denazifikimin.
Gazetari dhe studiuesi me përvojë, Albert Vataj, mbetet unikal me një shkrim-studim shumë interesant vlerësues, të familjes së nacionalistit dhe intelektualit të shquar Qazim Mulletit.
Vataj bën një retrospektivë dhe më pas e futet në thellësi të biografisë apo pemës gjenealogjike të familjes së Mulletit. “Tironsa me të gjitha: të folme, shtëpi të vjetra, zakone dhe tapi. Tapitë u kanë mbetur si relike, zakonet dhe e folmja si traditë, ndërsa shtëpitë e vjetra si rrënoja. Qysh prej 13 vjetësh në kërkim të rrënjëve materiale (shtëpive dhe pronave të vjetra) pinjollët e sotëm të familjes Mulleti po i ndërtojnë themelet e tyre të reja në Tiranë duke varrosur të vjetrat nën pallate shumëkatëshe”, ka shkruar ai.
Nga Sulejman Mulleti tek Qazim Mulleti dhe i biri Reshit Mulleti, që vazhdon të jetojë në Tiranë, prej familjes Mulleti, trashëgimtarët nuk kanë qenë të shumtë, por kanë mbërritur deri në ditët tona.
Ndryshe nga Tafajt që kanë aktualisht në Tiranë 900 pinjollë, Mulletët kanë shumë më pak dhe vetëm tetë trashëgimtarë meshkuj. I gjen pothuajse të gjithë në Tiranën e vjetër, në rrugën “Qemal Stafa”. Ajo është mëhalla e tyre, askush nuk e vë në dyshim. Por, ndoshta edhe për pak kohë, derisa gjeneratat e reja të mos gjejnë më aty asnjë gjurmë të tyre veç ndonjë pllakate që e varur në një pallat të ri nuk thotë më asgjë. Kur lagjja nuk do të ketë më një personazh të gjallë si Reshit Mulleti (djali i Qazim Mulletit), që vjen vërdallë si dinozaur i lodhur në mëhallën e Mulletëve dhe nuk e qasin as në shtëpinë ku ka lindur i ati. Kur nostalgjikët do ta kenë vështirë të gjejnë në gjithë Tiranën një shtëpi të vjetër muze si ajo e Ali Mulletit, plot kontradikta: që ka mbajtur brenda Qazim Mulletin, por edhe Enver Hoxhën, që ka qenë konsullatë austriake po edhe Ministria e parë e Bujqësisë shqiptare, si edhe shtëpi e dhjetëra Mulletëve.
Ivzi Mulleti, 67-vjeçar, djali i Ali Mulletit – i cili nga ana tjetër ka qenë djalë xhaxhai me Qazim Mulletin – tregon historinë e kësaj shtëpie muze, e cila tanimë i ka ditët e numëruara, pasi çelësat e saj i janë dorëzuar tashmë ndërtuesve.
Reshit Qazim Mulleti, djali i i vetëm i Qazim Mulletit, kur pa se si ia nxinte historinë babait të tij, mbeti i shokuar psikologjikisht, mbasi ky ishte edhe qëllimi i regjimit komunist dhe dy bashkautorëve të libretit të komedisë përvese “Prefekti”. Po japim shkurt disa momente të kujtimeve e shkruar nga vetë Reshit Qazim Mulleti djali i perfektit Qazim Mulletit:
“Kur u shfaq për herë të parë komedia ‘Prefekti’ unë dhe nëna ime ishim në shtëpi. Po e dëgjonim në radio. Nëna ime u revoltua. Të nesërmen e premierës, kur dola nga shtëpia për të shkuar në shkollën ‘Qemal Stafa’, ku vazhdoja gjimnazin, të gjithë më shikonin të habitur e kuriozë. Kur vajta në shkollë të gjithë më rrethuan të habitur, sikur isha ndonjë personazh filmi.”
Për shkak të mbiemrit dhe atësisë, Reshit Mulleti u detyrua të ndërronte shumë shkolla, sepse nxënësit e rrihnin,
Ja si e tregon ai një episod:
“Kur thirri emrin tim Reshit Qazim Mulleti, mësuesja shtangu dhe pyeti: ‘Emër i vërtetë është ky’? Nxënësit e klasës iu përgjigjën në kor: ‘Po, po, ky është Shiti i komedisë ‘Prefekti’’. Mësuesja shtangu, u habit, iu duk çudi, më afroi pranë vetes, më foli me shumë dashuri, më qëndroi pranë dhe iu duk shumë padrejtësi se si mund të përdoreshin emra realë në një komedi?! Të nesërmen erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës. Aty na mbajtën pesë vjet deri në mbylljen e tij … Në atë kamp kam kaluar tmerre të vërteta, kushte të këqija dhe trajtim çnjerëzor. Në atë kamp kam varrosur me duart e mia më shumë se 300 vetë, ku 200 prej tyre kanë qenë fëmijë. Mbas 2-3 vjetësh, me urdhër të komandës i kemi zhvarrosur dhe rivarrosur në një vend tjetër … Nënën e kanë torturuar shumë, ndërsa mua më fusnin në fuçi me ujë të ftohtë, shpesh më futnin dhe kokën në ujë. Mbasi na grabitën çdo gjë, na dërguan përsëri në Tepelenë, më pas në Fier e Lushnje në kampet e internimit në Savër, Gradisht, Grabian. Çdo kamp të ri e kam inauguruar. Ishim të parët që dërgoheshim në kampin e ri të internimit”.
Kujtojmë se Qazim Mulleti i kishte shpëtuar jetën nga fashistët shkrimtarit të komedisë, i cili do ta shpërblente me atë farsë. Po mos ishte shkruar ajo komedi, Reshit Mulleti dhe Hajrie Kusi Mulleti s’do të kishin vuajtur kurrë aq shumë sa vuajtën. Ja një episod tjetër përshkruar nga vetë Reshiti:
“Morëm leje dhe dolëm në qytetin e Lushnjës. Në një moment më thotë nëna: ‘Shiti dikush po na thërret’! Më erdhi shumë keq, por u detyrova dhe i thashë: ‘Non’ nuk o tu na thirr kush, por nga altopalanti jepet komedia e po na qeshin, po na tallin, po na venë në lojë, po argëtohen’. Ajo mu përgjigj: ‘Na marrshin të keqen’! Dhe, unë i thoja vetes: ‘Na i morën të gjitha, na çvatën, por na dëmtuan dhe imazhin tonë të mirë, tani ishim vetëm personazhe groteske, butaforike’. U larguam nga qyteti, dorë për dore, nënë e bir. Ecnim në drejtim të kampit të internimit…”
Reshiti vuajti nga fëmijëria e deri në plakje. Hyri fëmijë në internim e doli plak. Nga idhnia nuk arriti kurrë të krijojë familje. Ja si e përshkruan dhimbjen e tij:
“A ka më fatkeq se unë? Gjithë jetën u talla, u përqesha, me emrin tim u abuzua. Cili djalë do të sillej ashtu me një baba aq të mirë, të mrekullueshëm si i imi, që ishte i kulturuar, që kishte dhënë ndihmesën për Shqipërinë, që kishte studiuar e mbaruar universitetet dhe e kaloi jetën në mërgim, larg atdheut.
E provoi jetën e emigrantit për herë të parë pas ikjes së princ Wied, pastaj pas dështimit të qeverisjes së Fan Nolit. Erdhi në Shqipëri në mesin e vitit 1939 dhe mua më gjeti tetë vjeç. U largua për herë të tretë nga Shqipëria në gusht 1944. Ishte hera e fundit. Nuk do të kthehej më as në mesin e familjes, as në atdhe. Nuk e pashë më kurrë…”
Teksti më poshtë është reagimi i Besforta Mulleti:
“Unë isha tetë vjeçe kur familja ime u rikthye në Tiranë. Deri atëherë ne kishim jetuar në Shkodër, ku familja e babait ishte vendosur, pas vdekjes së gjyshit dhe përfundimit të internimit në Kavajë, meqenëse nuk iu lejohej të ktheheshin në Tiranë, pasi ishin dëbuar. Unë isha një tironse, që flisja me dialekt shkodran e sa herë përmendja mbiemrin, dëgjoja fraza nga shokët e klasës: ‘Mulleti? Si Qazim Mulleti?’ të cilët vazhdonin me pas me batuta nga komedia.
Unë nuk e kam parë kurrë të ashtuquajturën komedi ‘Prefekti’. Besoj se nuk është e nevojshme t’ju them pse … por e mbaj mend shumë mirë zhgënjimin në fytyrën e babait tim, sa herë që ndërronte kanalet dhe ndonjë kanal lokal po shfaqte komedinë. Më 28 nëntor 2021, Teatri Kombëtar vendosi të rishfaqte njërën prej “kryeveprave” të komunizmit, komedinë me gënjeshtra. Kjo ka qenë gjithmonë një temë shumë e ndjeshme, për familjen dhe fisin tonë.
Ne, akoma luftojmë nëpër gjyqe, për të drejtën e pronës të grabitur nga komunistët. Ne, jemi nga ata familje që u shpronësuan, për të mirën e interesit publik nga Bashkia e Tiranës. Para pak vitesh për të ndërtuar një shesh rekreativ, të cilit minimalisht duhet t’i kishin vënë emrin ‘Qazim Mulleti’.
Të gjitha këto durohen, por të vazhdohet të përtallet mbiemri jonë, në vitin 2021, kjo është e tepërt.
Në një vend ku akoma debatohet për shkrimin e saktë të historisë, sidomos të asaj pas vitit 1944, të vendosesh të rishfaqesh Ditën e Pavarësisë, një ‘vepër’ që tall e denigron pa të drejtë një figurë, që e nderon ajo pjesë e Shqipërisë, që e njeh shumë mirë historinë dhe patriotët e vërtetë, është e turpshme dhe aspak njerëzore.
Artistët, kudo në botë, krahas artit e ndjejnë për detyrë edhe të lobojnë për kauza të rëndësishme e të edukojnë popullin. Në një vend si Shqipëria, ku strukturat përgjegjëse nuk funksionojnë, ky detyrim bëhet më i madh për artistët shqiptarë. Është detyrë e tyre dhe e shoqërisë civile të promovojnë vlera e figura, që kanë kontribuar pozitivisht për këtë vend. Nëse nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë të paktën të heshtin e të mos veni gishtin në plagë.
Doni të bëni art? Filloni shkruani kryevepra të reja, vini në skenë vepra të intelektualeve të dënuar, persekutuar, burgosur e pushkatuar nga regjimi komunist, përndryshe mbeteni vetëm ca artistë të rëndomtë, qe as teatrin tuaj nuk e mbrojtët dot”.
Rileximi i komedisë “Prefekti” i autorit Besim Levonja në skenën e Teatrit Kombëtar, u shoqërua me një lumë sharjesh dhe fyerjesh të drejta, për “aktorët” dhe “drejtuesit”. Me të drejtë publiku shqiptar është ndjerë i fyer dhe poshtëruar sot, sesi një tekst pervers propagandistik i periudhës së errët diktatoriale komuniste, i serviret sërish pa asnjë filter spektatorëve edhe në rrjetet sociale. Personaliteti i shquar Qazim Mulleti dhe personazhet e tjerë në komedi janë persona reale, të vënë në lojë me qëllim të pastër të denigrimit të tyre. Atëherë pse u përzgjodh ky tekst? Pse duhet ende të persekutohet publikisht familja e Qazim Mulletit nga një institucion shtetëror i tejpolitizuar me propagandë anti-humane neo-komuniste, që paguhet nga taksat e shqiptarëve – midis të cilëve shumë taksa janë paguar nga shtresa e përbuzur e të përndjekurve dhe të persektuarve politikë?
Ben Tafaj, drejtues i Shoqatës “Tirana” e sheh rikthimin e “Prefektit” si pjesë të padrejtësisë që vazhdon ndaj një pjese të qytetarëve të kryeqytetit. Ai thotë: “Pas 30 vitesh, tani u kujtuan të hedhin baltë, të ngrenë këtë humor të zi ndaj një personaliteti tiranas. Qazim Mulleti nuk është ai që shohim në estradë. Ka qenë një njeri me disa gjuhë të huaja … është një figurë shumë e gjerë. Si mund të kalohet me këtë komedi? Aq më tepër që arti dhe letërsia kur veprojnë mirë, patjetër bëhen shembuj frymëzimi për komunitete. Por, aty ku fusin pyka nxisin grindjen dhe përçarjen”. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
“Dhoma e gjumit” e van Goghut
Shqipja në rrezik: Fjalori i ka 46 mijë fjalë, 500 mijë të tjera janë futur pa u studiuar
ELLIOT SMITH
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë