LAJMI I FUNDIT:

Dallku thotë se u dëmtuan ndaj Dritës: VAR-i po funksionin sipas qejfit

Dallku thotë se u dëmtuan ndaj Dritës: VAR-i po funksionin sipas qejfit
(Foto: Facebook/KF Dukagjini (Klinë) Nikollë Quni)

Dukagjini është mposhtur me rezultat të thellë 4-0 në udhëtim te Drita në kuadër të xhiros së 16-të në BKT Superligën e Kosovës.

Golat për vendasit i shënuan Arbnor Muja me dy, Ilir Blakçori dhe sulmuesi Ardit Tahiri.


Pas ndeshjes është deklaruar trajneri i skuadrës nga Klina, Armend Dallku, i cili shprehet i pakënaqur me vendimet e gjyqtarëve në këtë ndeshje dhe me funksionimin e sistemit VAR.

“Në vend se ne të luajmë me një lojtar më shumë, vjen momenti që ne të luajmë me një lojtar më pak. Ishte kartoni i dytë për kundërshtarin, kurse gjyqtarët as nuk marrin guxim ta shikojnë VAR-in. Në momentin e parë neve na ndëshkojnë”, ka thënë strategu i Dukagjnit pas ndeshjes për ArtSport.

Drita fiton me rezultat bindës ndaj Dukagjinit
Lexo po ashtu Drita fiton me rezultat bindës ndaj Dukagjinit

“Kjo organizatë që i dërgon gjyqtarët këtu duhen të jenë më kredibil. Kemi gjashtë kartonë të kuq, kemi gjashtë penallti kundër dhe asnjë penallti për Dukagjinin. Jemi larg ekipi më i dëmtuar në të gjitha sferat sa i përket lojës së futbollit. Nuk po kërkojmë asgjë me na fal, vetëm korrektësi”.

“Sa i përket ndeshjes kur ishte rezultati 2-0 neve na interesoj me i ndërrua lojtarët, i futëm 5 futbollistë tjetër sepse nuk kishim çka me marrë nga kjo ndeshje duke e parë edhe fushën e renduar.”

“Por, problemi është tek dëshpërimi sepse pas pjesës së parë të gjithë thonë se nuk po kemi për çfarë me luajt, është e vështirë kundër këtyre njerëzve. Sistemi VAR po funksion sipas qejfit”, përfundoi Dallku.

Pas javës së 16-të, Drita është në vendin e tretë me 28 pikë, dy më pak se lideri Ballkani, gjersa Dukagjini është në të nëntin me 16 sosh. /Telegrafi/