LAJMI I FUNDIT:

Paralele mes irlandezëve nën sundimin britanik dhe shqiptarëve nën sundimin otoman

Paralele mes irlandezëve nën sundimin britanik dhe shqiptarëve nën sundimin otoman
Road sign direction on desert.

Nga: Daut Dauti

Pothuaj të gjitha kombet janë pavarësuar me ndihmën e shteteve tjera. Ta zëmë, ShBA-ja kurrë nuk do të pavarësoheshin pa ndihmën e Francës. Por, edhe kur u pavarësuan, askush nuk guxonte ta njihte këtë shtet të ri. Shteti i parë që e njohu ishte Maroko dhe të gjithë u habitën nga guximi që tregoi Sulltan Muhamedi III, i cili ua hapi portet detare amerikanëve për tregti. Për këtë arsye, që nga atëherë ShBA-ja ka respekt të veçantë për Marokun.

Një vit më vonë (1778) pavarësinë e ShBA-sh e njohu edhe Franca. Por, shtetet tjera e njohën ShBA-në tek pas vitit 1783 kur në Paris u nënshkrua marrëveshja në mes të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe me të cilën edhe zyrtarisht përfundoi lufta mes këtyre dy vendeve. Me këtë rast Britania e pranoi ekzistencën e shtetit të pavarur amerikan për çka pasuan njohjet tjera.


Historia e luftës së irlandezëve për pavarësi është e ngjashme me atë të shqiptarëve. Historia për këto dy vende ka qenë e pamëshirshme. Irlanda është pavarësuar nga Perandoria Britanike më 1922, apo 10 vjet më vonë se Shqipëria nga Perandoria Otomane. Pavarësimi i këtyre dy kombeve ka qenë i vonshëm për arsye se nuk kishin ndihmë nga jashtë sikur që patën shtetet tjera, siç ishin ShBA-ja, Greqia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi etj. Kush do të guxonte ta ndihmonte luftën e irlandezëve për pavarësi, vend ky që ishte në derë të Britanisë? Megjithatë, më në fund Irlanda dhe Shqipëria ishin të vetmet vende evropiane që u pavarësuan pa ndihmën e askujt. Dhe, që të dyja dolën me probleme të shtrirjes etnike territoriale dhe të ndarë me kufij.

Irlanda ka rënë nën sundimin norman në shekullin XII dhe pastaj kaloi në atë britanik për shkak se kështu ndodhën ndryshimet e brendshme. Sundimi otoman në tokat shqiptare ka filluar në shekullin XIV, por pushtimi definitiv duhet të merret se ka ndodhur në shekullin XV.

Si ishte puna e gjuhës dhe e shkollave në Irlandë dhe Shqipëri nën sundimin e këtyre dy perandorive?

Irlandezët e kanë përdorur alfabetin e tyre shumë herët, por pas shekullit V kanë filluar të shkruajnë me alfabet latin. Megjithatë, gjuha irlandeze apo siç quhet ndryshe gaelike, gjatë sundimit britanik ka qenë e ndaluar. Nga viti 1831 irlandezët janë shkolluar në mënyrë masive, por në gjuhën angleze. Nga viti 1878 anglezët kanë lejuar që në disa shkolla të mësohet gjuha gaelike, por mësimi i lëndëve tjera ka qenë në anglisht. Pas vitit 1900 pjesërisht është lejuar mësimi në dy gjuhë, paralelisht. Pra, disa lëndë në gaelishte e disa në anglisht.

Por, kur u themelua shkolla në gjuhën gaelike apo në gjuhën amtare në këtë shtet?

Nuk është themeluar kurrë. Kur u pavarësua Irlanda, në mënyrë që të rritej patriotizmi, shteti i ri nxori ligje që gjuha e tyre gaelike të ishte zyrtare dhe shkollat të nisnin në këtë gjuhë. Por, tani më ishte tepër vonë dhe irlandezët më nuk e flitnin gjuhën e tyre, kështu që administrata shtetërore dhe shkollat vazhduan në anglisht. Dekadave të fundit është vërejtur një entuziazëm i të rinjve dhe është shtuar numri i nxënësve që vijojnë mësimet në këto shkolla. Statistikat tregojnë se sot mbi 30 për qind të irlandezëve e dinë gjuhën e tyre. Por, nga kjo përqindje vetëm tre për qind e flasin këtë gjuhë mes vete dhe në shtëpi. Më në fund duhet theksuar se Irlanda nuk ka asnjë universitet në gjuhën e saj. Pra, praktikisht kjo gjuhë nuk ekziston.

Pyetja e radhës mund të jetë kjo: Si ka kaloi popullsia irlandeze gjatë sundimit britanik?

Në vitin 1841 Irlanda i kishte 8. 5 milionë banorë kurse sot, pas 180 viteve, ky numër është më pak se pesë milionë. Pra, numri i popullsisë gjatë kësaj periudhe gati është përgjysmuar e nuk është rritur, siç do të duhej ta arrinte shifrën së paku rreth 20 milionë. Kjo për arsye se nga mesi i shekullit XIX gati dy milionë irlandezë kanë vdekur nga uria dhe deri vonë, pas pavarësisë, rreth 10 milionë janë detyruar të shpërngulen për shkak të varfërisë.

Në anën tjetër të Evropës shqiptarët i kanë pasur disa libra të shkruara pas rënies nën sundimin otoman, por nuk kanë pasur alfabet para vitit 1908. Gjuha shqipe ka qenë e ndaluar edhe në rastin e shqiptarëve. Por, shqiptarët ia kanë dalë që sporadikisht dhe në mënyrë periodike të themelojnë një numër të vogël të shkollave në gjuhën e tyre kah fundi i shekullit XIX. Megjithatë, shqiptarët, për shkak të natyrës së sundimit otoman që ishte ndryshe nga ai britanik, ia dolën që të mos e harrojnë gjuhën amtare. Sot, numri i shkollave në shqip nuk mund të matet. Madje, edhe numri i universiteteve ka shkuar aq lart saqë rrallë kush e di shifrën e saktë. Popullsia shqiptare në Ballkan në fillim të vitit 1800 nuk duhet të ketë qenë me e madhe se një milionë kurse sot është së paku gjashtë milionë. Pra, është shumëfishuar dhe është rast i kundërt me Irlandën.

Si dolën këto dy vende nga sundimi i huaj kur u pavarësuan?

Që të dyja kanë qenë shtetet më të varfra të Evropës. Por, Irlanda ishte pjesë e shtetit më të zhvilluar industrial, më të pasur dhe më të fuqishëm në botë. Megjithatë, doli shumë e varfër ekonomikisht dhe më e varfër në trashëgimi kulturore dhe nacionale. Në këtë gjendje – të shtetit më të prapambetur në Evropën Perëndimore – Irlanda ka qenë deri vonë. Por, sot gjërat kanë ndryshuar. Gjatë dekadave të fundit Irlanda i ka lënë anash vajtimet për të kaluarën dhe i ka mobilizuar mundësitë për të përparuar dhe tashti bën pjesë në radhët e shteteve të zhvilluara dhe politikisht stabile. Por, shqiptarët ende vajtojnë dhe nuk kanë përparuar aspak sikurse Irlanda, edhe përkundër gjithë atyre ngjashmërive.

Tashti pyetja që shtrohet është: A dëshironi të kaloni në histori duke e humbur gjuhën (elementin kryesor kombëtar) e të mos keni as shkolla, por të jeni të zhvilluar sikur irlandezët numerikisht të zvogëluar, apo dëshironi që ta ruani gjuhën dhe të mburreni me traditat e lavdishme, numerikisht të zmadhuar si komb, por të jetoni në varfëri dhe pa stabilitet politik e të parëndësishëm sikur shqiptarët? Zgjidheni njërën mundësi? /Telegrafi/