LAJMI I FUNDIT:

Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria në arkivat gjermane

Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria në arkivat gjermane

Periudha e qeverisjes së Wied-it në Shqipëri, nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914, është një periudhë e ngjeshur me kontradikta politike dhe ushtarake, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike si dhe nga zgjedhja që iu diktua Shqipërisë, nëpërmjet vendosjes së një pushteti ksenokrat. Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha, gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kthyen Shqipërinë në një “kukull loje”. Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja në krye të shtetit shqiptar e një figure të panjohur gjermane, siç ishte Wilhelm zu Wied. Në këto gjashtë muaj mbretërim, dolën në pah si rivalitetet ndërmjet Fuqive të Mëdha, ashtu edhe problemet e brendshme që kishte Shqipëria në fillimet e saj si shtet i pavarur.

Marenglen Kasmi


Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve në Londër

Luftërat Ballkanike e detyruan Turqinë pas më se 500 vjetësh, të largohej nga Shqipëria. Grekët kishin pushtuar Shqipërinë Jugore, malazezët pjesën veriore të saj, së bashku me Shkodrën. Serbët kishin hyrë në thellësi të territorit shqiptar deri në detin Adriatik. Secili nga këto shtete shpresonte të përmbushte synimet e vjetra ndaj Shqipërisë. Por, në të njëjtën kohë, pushtimi i Shqipërisë ishte i një rëndësie të veçantë edhe për Italinë. Sundimi i Shqipërisë për Italinë do të thoshte zotërim i detit Adriatik. Për këtë arsye, fati i Shqipërisë ndiqej me jo pak interes në arenën politike evropiane. Edhe Austro-Hungaria, për të cilën një dalje e lirë në detin Adriatik konsiderohej e rëndësishme, ishte jo më pak e interesuar në këto zhvillime.

Këto përplasje interesash kërkonin zgjidhje, e në të njëjtën kohë, Fuqitë e Mëdha duhej të merrnin në konsideratë faktin që një përplasje e tillë interesash në këtë vend, edhe nëse nuk sigurohej ekzistenca shtetërore e Shqipërisë, mund të bëhej burim kontradiktash të vazhdueshme mes shteteve fqinje, gjë që mund të rrezikonte seriozisht paqen në Evropë. Si zgjidhja më e mirë për të shmangur këtë rrezik, u konsiderua njohja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i një principate shqiptare, nën drejtimin e një princi të huaj.

Turqia, tashmë e dobësuar, hoqi dorë nga Shqipëria, duke miratuar kështu formimin e një principate të pavarur shqiptare. Ajo ia la në dorë Fuqive të Mëdha rregullimin e kufijve territorialë të Shqipërisë dhe çështjeve të tjera që duhej të trajtoheshin për zgjidhjen e këtij problemi.

Nëpërmjet vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, më 29 qershor 1913, Shqipëria u shpall e pavarur dhe u njoh si e tillë nga Gjermania, Austro-Hungaria, Anglia, Rusia, Franca dhe Italia. Vendimet e konferencës mbi organizimin e ardhshëm të Shqipërisë ishin:

  • E garantuar nga Fuqitë e Mëdha, Shqipëria shpallet principatë autonome, sovrane dhe me të drejtë trashëguese. Princi do të zgjidhet nga Fuqitë e Mëdha.
  • Çdo lloj ndërhyrje e Turqisë ndaj Shqipërisë është e ndaluar.
  • Shqipëria është neutrale; neutraliteti i saj garantohet nga gjashtë Fuqitë e Mëdha.
  • Kontrolli i administratës civile dhe financave të Shqipërisë i besohet një komisioni ndërkombëtar. Komisioni përbëhet nga anëtarë të Fuqive të Mëdha dhe nga shqiptarë.
  • Të drejtat e komisionit zgjasin dhjetë vjet; nëse është e nevojshme afati mund të zgjatet.
  • Komisioni duhet të përgatisë një strukturë organizative të detajuar për gjithë degët e administratës në Shqipëri. Brenda gjashtë muajve, komisioni do t’i paraqesë Fuqive të Mëdha një raport për ecurinë e punës si edhe mbi vendimet në lidhje me organizimin e administratës dhe financave.
  • Princi do të zgjidhet brenda gjashtë muajve. Deri në zgjedhjen e tij dhe në formimin e qeverisë kombëtare përfundimtare, kontrolli i instancave vendore dhe xhandarmërisë i kalon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).
  • Siguria dhe rendi publik do të sigurohen nëpërmjet organizmit ndërkombëtar të xhandarmërisë. Ky organizim do t’i besohet oficerëve të huaj të cilët kanë komandën e përgjithshme mbi xhandarmërinë.
  • Këta oficerë do të merren nga ushtria suedeze ( më vonë u zëvendësuan me holandezë-M.K).
  • Misioni i oficerëve të huaj instruktorë nuk kufizon as unifikimin e shërbimit, as përdorimin e oficerëve vendas, nënoficerëve dhe xhandarëve.
  • Pagat e këtyre oficerëve do të sigurohen nga të ardhurat e vendit, me garancinë e Fuqive të Mëdha. Kandidatura për zgjedhjen e princit të ri duhet të përzgjidhet nga Fuqitë e Mëdha më të interesuara, Austro-Hungaria dhe Italia.

Me përzgjedhjen e kandidatit u ngarkuan Austro-Hungaria dhe Italia, të cilat më pas duhej të merrnin edhe miratimin e fuqive të tjera, pasi të kishin më parë dakord vetë për të. Zgjedhja e princit ishte e lidhur ngushtë me formën e re shtetërore që duhej të kishte Shqipëria.

Për krijimin e shtetit të ri shqiptar ishin të interesuara kryesisht shtetet e Aleancës Trefishe. Edhe për Gjermaninë, si pjesëtare e kësaj aleance, zgjidhja e problemit shqiptar ishte e rëndësishme, sepse për të Shqipëria konsiderohej si një “tertiumcomparationis” ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë.

Dërgimi i këtij sundimtari të huaj, i cili do të përfaqësonte politikën e Fuqive të Mëdha në Shqipëri u shoqërua me diskutime të shumta. Në të ranë në sy divergjencat dhe konfliktet e interesit ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Të diktuar nga koha e shkurtër e zgjedhjes së princit (brenda gjashtë muajve që nga marrja e vendimit), Austria dhe Italia vlerësuan Princin Wilhelm zu Wied si kandidatin më të përshtatshëm për marrjen e fronit shqiptar. Të gjashtë Fuqitë e Mëdha ranë dakord me këtë propozim.

Kush ishte Wilhelm zu Wied?

Wilhelm zu Wied lindi më 26 mars 1876 në Neuwied. Më 3 qershor 1897, në moshën 21 vjeçare, ai nisi karrierën ushtarake si nëntoger në Regjimentin e 3-të të Kalorësisë së Gardës Prusiane, në Potsdam. Ky regjiment ishte i njohur për numrin e tij të madh të oficerëve me origjinë nga familjet aristokrate gjermane. Madje edhe vetë perandori Wilhelm II kishte shërbyer në të.

Wied -i u përshtat shumë shpejt në jetën ushtarake. Ai gëzonte respektin e shokëve dhe vartësve të tij. Edhe në jetën civile, ai shfaqej i matur, i kujdesshëm dhe shquhej për drejtësinë e tij. Më 30 nëntor 1906 ai u martua me princeshën Sophievon Schönburg-Waldenburg. Martesa dhe detyrat e tij në regjiment nuk e penguan atë të përgatitej dhe të kalonte me sukses provimin e pranimit në Akademinë e Luftës. Më 19 dhjetor 1907, Wied-i mori gradën e togerit dhe më 20 mars 1911 gradën e kapitenit. Në Potsdam lindën edhe dy trashëgimtarët e familjes, Marie Eleonore dhe Carol Viktor.

Pas përfundimit me sukses së Akademisë së Luftës në Berlin, e cila zgjati tre vjet, Wied -i u kthye përsëri në regjimentin e tij. Pak kohë më vonë, pasi u gradua kapiten, ai u emërua në Shtabin e Përgjithshëm në Berlin. Pas disa vitesh shërbimi në Shtabin e Përgjithshëm, ai u kthye përsëri në Potsdam si “Rittmeister” (kapiten i kavalerisë) dhe u emërua komandanti i një skuadroni në të njëjtin regjiment që kishte qenë dikur. Propozimi për të marrë kurorën e Shqipërisë e gjeti Wied -in në këtë detyrë. Gjatë ceremonisë së largimit nga regjimenti, Wied -it iu dha grada “Major à la suite”.

Përzgjedhja e tij si sundimtar i Shqipërisë ishte bazuar mbi arsye të forta pragmatike. E para, kombi që ai përfaqësonte nuk shfaqte ndonjë interes të veçantë ndaj Shqipërisë dhe së dyti, ai ishte protestant dhe nuk i përkiste asnjërës prej përkatësive fetare në Shqipëri. Një arsye tjetër jo më pak e rëndësishme ishte që princ Wied-i ishte i varfër dhe si i tillë nuk mund të kishte shumë pretendime.

Politika gjermane nuk ishte dakord me ardhjen e Wied-it në Shqipëri. Madje Wilhelm ishte i mendimit se, në rastin e Shqipërisë, do të ishte më mirë zgjedhja e një princi mysliman, me një kuletë të mbushur plot dhe, siç ai do të shprehej,“ç’ka në Shqipëri ishte veçanërisht e nevojshme”. Po kaq pesimist ishte edhe vlerësimi që ai kishte për Wied-in: “Unë isha jo shumë i entuziazmuar kur mora vesh për përzgjedhjen e princit Wilhelm zu Wied . Unë e vlerësoja shumë atë si një natyrë fisnike, kalorësiake dhe me ndjeshmëri të hollë. Por, e quaja si të papërshtatshëm për atë post. Princi nuk e njihte shumë Ballkanin për të realizuar me sukses këtë detyrë kaq të vështirë. Nuk ishte aspak e këndshme për mua që atje (në Shqipëri-M.K) të turpërohej një princ gjerman”.

Shqipëria në prag të ardhjes së Wied-it

Në dhjetor të vitit 1913, dy oficerë, kapiteni austriak Ulmansky dhe ai gjerman Clanner, të urdhëruar nga Shtabi i Përgjithshëm austro-hungarez, kryen një vizitë disajavore në Shqipëri. Kapiten Ulmansky vizitoi qytetet e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës dhe Pogradecit, ndërkohë që kapiteni Clanner vizitoi jugun e Shqipërisë. Në fund të vizitës, Ulmansky hartoi një raport shumë të hollësishëm dhe profesional për situatën në Shqipëri.

Ulmansky e klasifikonte shoqërinë shqiptare në katër grupime kryesore dhe konkretisht në:

  • shtresën e kulturuar dhe të arsimuar elitare të vendit;
  • në bejlerët e fshatit;
  • në elementë të kulturuar që kishin jetuar në Evropë, por që ishin me prejardhje nga shtresat e ulëta të shoqërisë
  • dhe në pjesën tjetër të popullit, ç’ka përbënte edhe shumicën e tij dhe që ishte analfabete.

Cilat ishin tiparet e këtyre grupimeve, sipas kapiten Ulmansky-t?

Shtresa elitare e vendit; ishte në kontakt me kulturën evropiane ose që kishte shërbyer në aparatin shtetëror gjatë sundimit turk. Në këtë kategori kishte vetëm pak elementë të vlefshëm që mund t’i shërbenin Wied-it. Xhelozia e tyre ndaj njëri-tjetrit, ambiciet për pushtet, nder dhe para do t’i shkaktonin probleme të mëdha princit. Prandaj, ishte në interes të tij dhe të vendit, që së pari të kufizohej pushteti efektiv i këtyre elementëve. Shumica e kësaj shtrese kishte koncepte etnike shumë të ngatërruara. Madje, disa koncepte të tyre, mund të konsiderohen edhe si të pamoralshme. Gjithsesi, në këtë kategori kishte elementë të mirë dhe me vlera, të cilët mund të përdoreshin në pozicione drejtuese të administratës.

Bejlerët që jetojnë në fshat; pjesa më e madhe e tyre nuk mund të merrej në administratë sepse ishin analfabetë. Por, një pjesë e tyre që ishte e arsimuar, mund të krijonte një bazë të fuqishme mbështetëse për qeverinë e re. Në një farë mënyre ishte e nevojshme të ngarkoheshin me punë edhe të paarsimuarit e kësaj shtrese. Ndoshta, duke shfrytëzuar inteligjencën e tyre natyrore, si edhe dëshirën për të bashkëpunuar, mund të bëhej e mundur që, brenda një kohe të shkurtër, ata të ushtronin funksione administrative.

Elementët që rridhnin nga populli i thjeshtë, që kishin jetuar në Evropë dhe e njihnin kulturën evropiane. Ashtu si një pjesë e shtresës elitare të vendit, edhe nga kjo shtresë, gjatë jetës në Europë kishte shijuar kënaqësinë e rreme të kulturës evropiane dhe si pasojë kishte koncepte etnike të ngatërruara. Por, një pjesë e tyre zotëronte një arsimim të vërtetë dhe ata mund të përbënin një mbështetje shumë të fortë për qeverinë.

Pjesa më e madhe e popullit, gjendej në një prapambetje shekullore dhe ishte e nevojshme që me ta të ndiqej një edukim kulturor gradual. Nëse do të tentohej të përshpejtohej procesi i kulturimit të tyre-argumentonte më tej Ulmansky – mund të kishte pasoja fatale. Por, nëse do të ngrihej një regjim i bazuar në rregulla, i fuqishëm dhe i drejtë, atëherë zhvillimi kulturor në vetvete do të përshpejtohej dhe njerëzit, shumë shpejt, do të shndërroheshin në qytetarë të bindur dhe të nënshtruar. Por nëse fuqia shprehëse e pushtetit do të mungonte – ashtu si edhe ndodhi-atëherë ata nuk do të bindeshin më.

Veçantia e organizimit shtetëror në Shqipëri, në vitet 1913-1914, ishte i dukshëm. Në vend vepronin, paralelisht me njëra tjetrën, disa qeveri lokale. Në Shkodër drejtonte qeveria e detashmentit ndërkombëtar, nën komandën e kolonelit britanik Phillips.

Qeveria e Esat Pashës në Durrës mund të konsiderohej si e vetmja qeveri shqiptare, e cila ishte vërtet në gjendje të qeveriste. Nëpërmjet organeve përkatëse, Esat Pasha ishte në gjendje të mblidhte taksat, filloi të ndërtonte rrugë, krijoi një xhandarmëri të disiplinuar dhe emëroi në vendet më të rëndësishme nëpunës që ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij. “Në territorin e zotërimit të tij, të krijohej përshtypja e një sundimi ushtarak dhe kudo vihej re një farë rregulli i tillë”, theksonte Ulmansky. Marrëdhëniet e Esat Pashës me qeveritë e tjera nuk ishin aspak të mira. Po ashtu edhe popullsia vendase nuk ishte e kënaqur me qeverisjen e Esat Pashës si pasojë e dhunës qeverisëse që ai ushtronte ndaj tyre.

Qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë, në ndryshim nga qeveritë e tjera lokale shqiptare, ishte më e veçantë. Ajo konsiderohej si qeveria zyrtare e Shqipërisë dhe mbante lidhje diplomatike me qeveritë evropiane. Në të vërtetë, ndikimi i saj shtrihej vetëm në qytetin e Vlorës dhe në territoret e afërta të qytetit. Qeveria kishte xhandarmërinë e saj dhe, në ndryshim nga qeveritë e tjera lokale shqiptare, kishte krijuar edhe ushtrinë e saj. Krahasuar me qeveritë e tjera lokale, qeveria e Vlorës kishte të ardhurat më të mira, si pasojë e vjeljes së taksave portuale.

Megjithë veçantinë politike dhe mungesën e një qeverisjeje të centralizuar të vendit, çka shkaktonte probleme të shumta, në brendësi të vendit mbizotëronte një farë qetësie dhe rregulli dhe të huajt mund të udhëtonin pa probleme. Shërbimi postar si dhe ai telegrafik funksiononin në të gjithë vendin.

Riorganizimi i marrëdhënieve politike në prag të ardhjes së Wied-it

Në mendimin e Fuqive të Mëdha, por edhe atë të shumë intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë në zë të kohës, Shqipëria mund të arrinte të siguronte ekzistencën e saj vetëm nën sundimin e një përfaqësuesi të huaj. Riorganizimi i marrëdhënieve politike do të përbënte edhe detyrën më të vështirë që do të kishte Wied-i, sapo të kishte formuar qeverinë e tij. Ndër kryetarët e qeverive lokale që u përmenden më sipër, Ismail Qemali dhe Esat Pasha ishin më të rëndësishmit. Këta ishin gjithashtu të vetmit që mund të bënin rezistencë ndaj Wied-it. Ismail Qemali bënte pjesë tek patriotët e sipërpërmendur shqiptarë që, në situatën e vështirë që po kalonte vendi, e shikonte të ardhmen e Shqipërisë të siguruar vetëm nën tutelën e Fuqive të Mëdha dhe të një princi të huaj. Me Esat Pashën, puna qëndronte ndryshe. Ai e pranoi ardhjen e princ Wied-it, vetëm pas ndërhyrjes së Kontrollit Ndërkombëtar të Komisionit.

Si Ismail Qemali ashtu edhe Esat Pasha trembeshin se mos Wied-i zgjidhte njërin apo tjetrin për t’u mbështetur pas tij, ç’ka edhe e shprehnin hapur. Për të mos u bërë pré e këtyre armiqësive, Ulmansky, e këshillonte Wied-in të zgjidhte ndërmjet dy mundësive. E para, të gjithë kryetarët e qeverive aktuale t’i emëronte si drejtues të administratës lokale të zonave që ata kishin nën administrim deri në momentin e ardhjes së tij në Shqipëri dhe, me ndihmën e tyre, të krijonte qeverinë e re dhe e dyta që ishte dhe mundësia më e pranueshme për kushtet shqiptare, t’i emëronte këta persona në detyra të larta, por që të mos kishin ndikim mbi organizimin shtetëror. Kështu për shembull, Ismail Qemalin ta dërgonte si ambasador në Londër, ndërsa Esat Pashën ta titullonte komandant të oborrit të tij. Zgjidhja e Ulmansky-t ishte interesante, por gjithsesi shumë e varfër për shijet dhe ambiciet e Esat Pashës. Ngjarjet do të tregonin se ai nuk ishte i kënaqur me postin e ministrit dhe jo më të një komandanti oborri.

Organizimi ushtarak shqiptar në prag të ardhjes së Wied-it

Në prag të ardhjes së Wied-it në Shqipëri, siç u theksua edhe më sipër, vetëm qeveria e Vlorës kishte një forcë ushtarake, me një ministri lufte si edhe një shtab madhor që drejtonte ushtrinë, e cila gjithsesi ishte në fazën e saj të formatimit. Megjithatë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, kjo forcë ushtarake qëndronte nga pikëpamja organizative më pranë armës së xhandarmërisë sesa të një ushtrie. Ish oficeri i ushtrisë austro-hungareze, togeri Leon De Ghilardi, kishte ngritur në Vlorë një grup mitraljer, të përbërë nga mitralozë dhe një njësi këmbësorie, me rreth 300 burra.

Vlerësuar në përgjithësi, në Shqipërinë e kësaj kohe, organizimi ushtarak përbëhej nga xhandarmëritë e qeverive lokale, ish anëtarët e ushtrisë turke dhe popullsia e aftë për mobilizim. Sipas Ulmansky-t, numri i përgjithshëm i xhandarëve të gjithë qeverive lokale së bashku, ishte rreth 2000 burra. Mosha e tyre shkonte deri në 40 vjeç. Ata ishin të armatosur me mauzerë të prodhimit turk, shumica e të cilëve ishin ruajtur që nga koha e shërbimit në ushtrinë turke.

Por, ndërmjet tyre kishte diferenca shumë të mëdha në pikëpamje të stërvitjes, përgatitjes dhe perceptimit të tyre ndaj shërbimit. Për këtë arsye, kjo forcë xhandarmërie nuk mund të përdorej nga Wied-i si një forcë ushtarake e unifikuar. Në sytë e Ulmansky-t edhe oficerët shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë turke nuk duhej të merreshin në konsideratë nga Wied-i për krijimin e ushtrisë shqiptare. Ndër të tjera, ai raportonte se: “Numri i ish oficerëve turq në Shqipëri (nënkupton oficerët shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë turke-M.K) duket të jetë tepër i vogël. Secili prej tyre, me të cilin unë pata rastin të bisedoj, më krijoi përshtypjen më të keqe të mundshme dhe unë besoj që përfshirja e tyre në ushtrinë e ardhshme shqiptare duhet të evitohet me çdo kusht”.

Ky konstatim, sado i ashpër në dukje, mund të konsiderohet, në një farë mase, i drejtë, nëse kemi parasysh se pjesa më e madhe e oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë turke nuk kishin kryer detyra të rëndësishme. Madje, kjo gjë bëhej jo pa qëllim nga turqit, të cilët nuk u besonin ushtarëve shqiptarë dhe nuk i përfshinin ata në programet përgatitore e stërvitore, duke i lënë ata në prapavijë si roje, punëtorë, etj.

Gjashtë muaj mbretërim

Pasi Wied-i mori nga Fuqitë e Mëdha një paradhënie prej 10 milionë frangash, më 7 mars 1914, ai zbriti në Durrës, ku u prit me nderime të mëdha. Vetëm pas mbërritjes në Durrës, ai e kuptoi seriozitetin e situatës në të cilën gjendej. Fillimisht, ai duhej të zgjidhte tre detyra të rëndësishme, të cilat ishin organizimi i administratës, problemi i financave dhe çështja epirote.

Në postin e kryeministrit, ai zgjodhi shqiptarin 75-vjeçarTurhan Pasha, një ambasador dhe diplomat në pension i Perandorisë Osmane. Kjo kandidaturë iu propozua atij prej Italisë dhe Austro-Hungarisë. Pasi Turhan Pasha u sigurua për lidhjen e pensionit të tij, ai e pranoi detyrën e ofruar. Turhan Pasha ishte një politikan me përvojë por, siç do ta tregonte edhe koha, i papërshtatshëm për këtë detyrë. Ai nuk kishte jetuar në Shqipëri dhe nuk e njihte realitetin e politikës shqiptare. Në këtë situatë të vështirë dhe me probleme të shumta, përkrah Wied-it do të kishte qenë më i vlefshëm një person energjik dhe i vendosur sesa një politikan i tillë. Madje, ai nuk fliste e shkruante shqip.

Më tej, duhet të formoheshin ministritë dhe administrata e tyre. Por edhe krijimi i xhandarmërisë, centralizimi i financave si edhe njohja e vendit qëndronin në agjendën ditore të princit. Që në ditët e para të qëndrimit në Durrës, Wied-i duhet ta ketë kuptuar që ai nuk mund të sundonte dot gjatë në këtë vend.

Kushtet dhe situata në të cilën Fuqitë e Mëdha vendosën të krijojnë Shqipërinë ishin shumë më të pafavorshme sesa në vendet e tjera të Ballkanit. Zhvillimi i vonuar social-ekonomik i vendit, niveli i lartë i analfabetizmit, heterogjeniteti fetar, prania e elitës shqiptare të brumosur me mentalitet turk, mungesa e infrastrukturës dhe prapambetja e shoqërisë shqiptare si edhe konfliktet e armatosura me vendet fqinje e bënin të pamundur krijimin e kushteve normale nga qeveria e përkohshme.

Në pamje të parë, pasi mori këstin e parë të ndihmës nga Fuqitë e Mëdha, u krijua përshtypja se Wied-i mund të fillonte punën për organizimin e shtetit të tij. Por, nëse i referohemi shtypit italian të kohës, shikojmë se Wied-i, nga shuma që mori nga Fuqitë e Mëdha si paradhënie, rreth 800.000 i përdori menjëherë për të shlyer borxhet e tij të vjetra, rreth 1.5 milionë franga i harxhoi për ngritjen e oborrit të tij dhe me pjesën e parave që i teproi duhej të organizonte administratën e tij civile dhe ushtarake.

Krijimi i xhandarmërisë

Në këto kushte, një vështirësi të veçantë përbënte për Wied-in çështja e krijimit të xhandarmërisë dhe jo vetëm në këndvështrimin financiar. Problematik ishte gjithashtu edhe pozicioni dhe kompetencat e oficerëve holandezë. Fillimisht, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Londër ranë dakord që për krijimin e xhandarmërisë shqiptare duhej të punësoheshin oficerë suedezë, por pasi qeveria suedeze refuzoi ta merrte përsipër këtë detyrë, qeveria holandeze u shpreh e gatshme të dërgonte një mision ushtarak në Shqipëri, nën drejtimin e kolonelit e më vonë, gjeneralit De Veer. Sipas marrëveshjes, oficerët holandezë vareshin nga komandanti i tyre holandez, i cili kishte varësi direkte nga princi.

Sapo Esat Pasha u emërua ministër i Brendshëm, ose siç i pëlqente atij të thirrej, ministër i Luftës, ai u ngatërrua në punët e oficerëve holandezë dhe filloi t’iu jepte atyre urdhra. Në rregulloren që përcaktonte marrëdhëniet ligjore dhe shpërblimin e oficerëve dhe nënoficerëve holandezë në shërbim të xhandarmerisë shqiptare thuhej se komandanti holandez i xhandarmërisë varej drejtpërdrejt nga princi dhe Kontrolli Ndërkombëtar i Komisionit (KNK). Gjithsesi, kjo nuk ishte një varësi dyfishe, sepse kryesisht ai duhej të zbatonte urdhrat e princit. KNK-ja duhej vetëm të kontrollonte mënyrën e drejtimit të tij. (Neni 2, paragrafi 2) Në nenin 4 të kësaj rregulloreje parashikohej fillimisht një kontratë dyvjeçare me të drejtë shtyrjeje për një vit. Pas kalimit të kësaj kohe, oficeri ose nënoficeri kishte të drejtë të largohej ose të qëndronte përfundimisht në shërbim të Shqipërisë.

Oficerët holandezë e kundërshtuan këtë veprim dhe kjo gjë shkaktoi edhe përplasjen e parë ndërmjet De Veer-it dhe Esat Pashës, madje në prani të Wied-it. Për të shmangur përplasjet e paevitueshme, De Veer-i e ngriti komandën e tij në Vlorë, gjë që e vështirësonte shumë punën për ngritjen e xhandarmërisë shqiptare. Po ashtu edhe në Shkodër, oficerët holandezë nuk ishin të mirëpritur. Koloneli anglez Phillips mundohej të forconte pozitat e tij në qytet, sa më shumë të ishte e mundur dhe prania e holandezëve e bezdiste atë.

Këto kontradikta e çuan Wied-in në përfundimin që milicia duhej të ngrihej e veçuar nga xhandarmëria, madje me instruktorë të tjerë të huaj. Në këtë pikë Esat Pasha shikonte edhe shansin e tij. Ai filloi të rezervonte dhe ruante gjithçka të nevojshme për milicinë, gjë që e vinte xhandarmërinë para vështirësive të mëdha.

Pra, që në fillim të sundimit të tij, Wied -it, i duhej të ballafaqohej me probleme nga më të ndryshmet dhe më elementaret. Shqiptarët prisnin që Wied-i me anë të një shkopi magjik dhe me energji gjermane të bënte evropianizimin e vendit brenda një kohë të shkurtër. Që në javët e para ata do të kuptonin se, përveç faktit se në Durrës ishte shtuar një rezidencë Princërore, për ta nuk kishte ndryshuar ndonjë gjë e madhe.

Për të vënë në funksion të plotë makinën e tij shtetërore, Wied-i duhej të zgjidhte edhe dy probleme të tjera emergjente. Së pari ai duhej të zgjidhte sa më shpejt problemet në jug të vendit me Greqinë. Kjo gjë ishte e nevojshme, sepse sa më shpejt të zgjidhej kjo çështje, aq më shpejt mund të përqendrohej vëmendja në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Së dyti, duhej të përgatitej sa më shpejt Statuti, në mënyrë që regjimi i tij të vendosej mbi baza të shëndosha. Ky regjim duhej të mbështetej mbi një administratë të planëzuar.

Kryengritja kundër Wied-it

Nëse i referohemi burimeve arkivore dhe shtypit të huaj të kohës, në muajin maj 1914, në Shqipëri ekzistonin tre lëvizje kundër qeverisë së Wied-it. Përkrah lëvizjes antiqeveritare në Shqipërinë e Mesme u shfaqën edhe dy të tjera. Njëra nga këto lëvizje drejtohej nga njëfarë Arif Hikmeti. Ky ishte një shqiptar i lindur në Kumanovë, i cili kishte bërë karrierë si nëpunës në administratën turke. Si shumë të tjerë, edhe ai u kthye në Shqipëri, me shpresë se do të arrinte të siguronte ndonjë post në qeverinë e Wied-it. Arif Hikmeti, në ndryshim nga shumë kolegë të tjerë që nuk arritën të punësoheshin, nuk e kaloi kohën kot kafeneve e restoranteve të Durrësit, duke sharë qeverinë, por shkoi në brendësi të vendit për të propaganduar kundër Wied-it dhe pro ardhjes së një prej djemve të sulltan Abdyl Hamitit në vend të tij. Po ashtu Arif Hikmeti bashkëpunoi ngushtë me Ahmet Zogun, prijësin e myslimanëve matjanë.

Lëvizja tjetër kundër Wied-it ishte një lëvizje fshatare, e cila shtrihej në zonën e Durrësit dhe Tiranës. Fshatarët e këtyre zonave u mblodhën të armatosur në Shijak. Sipas ministrit gjerman në Durrës, kur ata pyeteshin se përse ishin mbledhur, përgjigjeshin se po bënin revolucion. Për arsyet e fillimit të këtij revolucioni, fshatarët kishin mendime të ndryshme. Një pjesë mendonin se revolucioni drejtohej kundër bejlerëve dhe agallarëve si edhe kundër politikës ekonomike të qeverisë e cila, nëpërmjet masave të saj, favorizonte pashallarët dhe jo popullsinë e varfër.

Me përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, në fund të muajit maj 1914, kryengritësit kërkuan të negocionin me përfaqësuesit evropianë të atashuar në Durrës si dhe Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. Në emër të kryengritësve foli shehu i Shijakut, Hamdi Rubjeka. Në emër të tyre, ai u ankua se “feja myslimane nuk respektohej ashtu si duhet, dhe si pasojë, kryengritësit duan të kthehen përsëri nën Turqinë”. Nëse kjo gjë nuk ishte e mundur, atëherë ata kërkonin që shtetet evropiane të kujdeseshin që feja myslimane të respektohej më shumë në Shqipëri.

Këto formulime të përgjithshme tregojnë se kryengritja nuk kishte thjesht një karakter fetar mysliman, por ushqehej politikisht nga prapavija e frontit. Për më tepër, nëse kemi parasysh nivelin arsimor të popullsisë shqiptare të kësaj kohe, nuk ishte e vështirë të bëje manipulimin e një shoqërie të përçarë fetare dhe analfabete. Është tepër e vështirë të besohet që fshatarët e Shqipërisë së Mesme kërkonin kthimin e tyre nën sundimin turk, për më tepër që ishin pikërisht ata që kishin vuajtur më shumë nën këtë sundim dhe që kishin luftuar për qindra vjet kundër Turqisë.

Fillimisht, në thelbin e saj, kryengritja e Shqipërisë së Mesme nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një kryengritje apo revoltë agrare kundër kastës feudale sunduese të vendit, si pasojë e mosmbajtjes së premtimeve që i kishte bërë kjo kastë (sidomos Esat Pasha) popullsisë fshatare për kryerjen e reformës agrare. Në një hap të dytë, kjo pakënaqësi u shfrytëzua politikisht nga gjithë armiqtë e Wied-it dhe të Shqipërisë.

Të parët që shpresonin të përfitonin nga kjo lëvizje ishin përkrahësit e xhonturqve. Duke shfrytëzuar besimin e thellë të fshatarësisë myslimane dhe duke propaganduar rrezikun që i kanosej fesë myslimane nga princi katolik, ata premtonin që Perandoria Osmane jo vetëm që do t’u dërgonte atyre një sundimtar mysliman, por do të plotësonte edhe të gjitha kërkesat e tyre.

Së dyti, Serbia, e cila nëpërmjet mbështetjes që i jepte lëvizjes kryengritëse të Arif Hikmetit në Dibër, arriti me forcën e parave të ndikonte edhe në revoltën e Shqipërisë së Mesme, duke i bashkuar këto dy rryma. Sipas Eqrem Bej Vlorës, Arif Hikmeti ishte përfaqësues i politikës së Turqve të Rinj në Shqipëri. Ai vinte nga radhët e Institutit gjuhësor “Aksaray Mahfili”, i cili kishte dashur të fuste alfabetin turk për shkrimin e gjuhës shqipe.

Së treti, edhe Italia ishte e interesuar në këtë kryengritje dhe shumë shpejt bëri për vete kokat drejtuese të revoltës, duke i shfrytëzuar ata për qëllimet e saj. Synimi kryesor i Italisë ishte krijimi i një protektorati italian në Shqipëri. Duke qenë se shumica e popullsisë shqiptare ishte myslimane, Italia synonte që, nëpërmjet krijimit të protektoratit, fillimisht në viset myslimane shqiptare, jo vetëm të balanconte ndikimin austriak te katolikët e veriut por, me kalimin e kohës, të zgjeronte kufijtë e këtij protektorati në gjithë territorin shqiptar. Esat Pasha konsiderohej nga Italia njeriu kyç që do të mundësonte arritjen e këtij synimi. Diplomati austriak Carl Buchberger, konstaton, me të drejtë, se zhvillimet në Shqipëri ishin pritur me një farë lehtësimi nga qeveria italiane. Pra, Fuqitë e Mëdha e kishin “shitur” tashmë Wied-in dhe përkeqësimi i situatës e përshpejtonte procesin e ndërkombëtarizimit të aparatit qeverisës shqiptar.

Së katërti, nëse marrim në konsideratë raportet sekrete të përfaqësuesit gjerman në Durrës, Lucius, arrijmë në përfundimin se edhe Greqia kishte dorë në organizimin e kësaj kryengritjeje. Ndër të tjera, ai raportonte në Berlin: “Nuk përbën më asnjë dyshim që kryengritja stimulohet dhe mbështetet, në plan të parë, nga Greqia. Pavarësisht faktit se tashmë grekët bashkëpunojnë hapur me epirotët, edhe këtu unë kam zbuluar fakte të pakundërshtueshme që ministri dhe peshkopi grek punojnë pa pushim që ky vend (Shqipëria-M.K.) të mos bjerë asnjëherë në qetësi. Për të arritur këtë qëllim, ata kanë hedhur në qarkullim shuma të mëdha parash (…).”

Në qendër të përplasjes së gjithë këtyre interesave qëndronte Wied-i. Ngjarjet e ndodhura, së fundmi, e kishin dëmtuar imazhin e tij, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Atij i mungonin trupa ushtarake për të luftuar kryengritjen brenda vendit si dhe në jug të Shqipërisë kundër andartëve grekë. Pavarësisht ndërhyrjes energjike të KNK-së, u arrit vetëm një armëpushim dyjavor, kohë në të cilën nuk mund të shpresohej në asgjë më shumë sesa që Wied-i të përgatitej për mbrojtjen e Durrësit. Ndërkohë, qeveria mori vendimin për të shtypur vendimin me forcën e armëve.

Planin për shtypjen e kryengritjes e hartoi nënkoloneli holandez Thomson. Sipas këtij plani, kryengritësit do të sulmoheshin, në të njëjtën kohë, nga tre drejtime. Në Durrës qeveria kishte rreth 1100 burra nën armë, Preng Bib Doda ndodhej në Lezhë me rreth 4000 burra dhe Azis Bej Vrioni kishte mobilizuar në jug të vendit rreth 1000 toskë. Edhe Ahmet Zogu kishte premtuar të ndihmonte me 2000 matjanët e tij.

Me siguri që plani i hartuar nga qeveria mori dhénë dhe në mënyrë të papritur, rreth 3000 forca kryengritëse të mirëorganizuara dhe të drejtuara nga oficerë turq, sulmuan Durrësin nga tre drejtime të ndryshme. Që në fillim të luftimeve, mbeti i vrarë nënkoloneli Thomson i cili luftonte në këmbë për t’u dhënë zemër trupave të tij.

Pas vdekjes së Thomson-it, vendin e tij e zuri majori Kroon i cili, deri në këtë kohë, ishte në Shkodër. Kroon mori menjëherë masa për organizimin e një kundërsulmi ndaj kryengritësve. Ashtu si kolegu i tij, edhe Kroon e drejtoi vetë kundërsulmin. Në krye të forcave qeveritare ai arriti deri në gjysmën e lartësisë së kodrave që mbaheshin nga kryengritësit. Si pasojë e zjarrit të dendur të kryengritësve, forcat qeveritare e ndërprenë kundërsulmin dhe duke mos iu bindur urdhrit të tij u tërhoqën.

Gjithsesi ky dështim nuk mund të konsiderohet si një mungesë karakteri dhe trimërie e malësorëve shqiptarë që luftonin për Wied-in. Gabimi ishte i oficerëve holandezë. Thuajse që të gjithë ata nuk arritën të njihnin mentalitetin shqiptar. Në vija të përgjithshme, holandezët notonin mes dy rrymash mendimi, përsa i përket perceptimit të tyre ndaj shqiptarëve. Njëra palë mendonte se në rastin e shqiptarëve, ata kishin të bënin me një popullsi të egër dhe të pacivilizuar, njësoj si në kolonitë holandeze. Ndërsa, pala tjetër shikonte te shqiptarët një popull të disiplinuar, ushtarak dhe të gatshëm për të luftuar. Në këtë grup bënin pjesë edhe Thomson-i dhe Kroon-i. Duke pasur këtë perceptim të gabuar, ata u ngarkuan malësorëve detyra, të cilat mund të realizoheshin nga një trupë ushtarake e mirëfilltë dhe e stërvitur dhe jo nga një grup malësorësh, të cilët njihnin si mënyrë luftimi vetëm organizimin e një prite në male dhe jo në fushë të hapur luftimi. Pra, ideja fillestare e Thomson-it për organizimin e një sulmi të përqendruar ishte po aq e gabuar ushtarakisht, sa edhe ajo e pasardhësit të tij majorit Kroon.

Pas shpërthimit të kryengritjes në Shqipërinë e Mesme, humbi ndjeshmëria e Evropës Perëndimore ndaj çështjes së Epirit. Në Gjirokastër vazhdonte të qeveriste Zografi. Ndërmjet krahinës autonome të vetëshpallur dhe territoreve që zotëroheshin prej xhandarmërisë ishte krijuar një zonë neutrale dhe priteshin vendimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Në zonën e Korçës, u shtuan sulmet e bandave greke. Në Shkodër, vazhdonte përplasja e myslimanëve dhe katolikëve, e italofilëve me filo-austriakët, e kundërshtarëve të kolonelit Philipps me përkrahësit e tij e kështu me radhë.

Përpjekjet e Wied-it për t’u rikthyer në Shqipëri

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, Wied-i, të cilit kjo ngjarje i erdhi për shtat dhe në një farë mënyre, e shpëtoi nga telashet, vendosi më 3 shtator 1914 të largohej nga Shqipëria. Ai nuk hoqi dorë nga froni, por deklaroi se do të largohej vetëm përkohësisht nga vendi.

Pas kthimit të tij në Gjermani, ai i kërkoi kajzerit që të rimerrej si oficer aktiv në ushtrinë perandorake gjermane. “Një princ gjerman që është i aftë për të luftuar, duhet të jetë pjesë e ushtrisë gjermane” do të shprehej Wilhelm II kur i paraqitën kërkesën e Wied-it.

Majori à la suite Wied, u dërgua si oficer shtabi në front, por pa marrë ndonjë post të caktuar, sepse me largimin nga ushtria ai ia kishte hequr vetes këtë të drejtë. Kajzeri e pranoi kërkesën e Wied-it për t’u rikthyer në ushtri, meqë me fillimin e luftës ishte shpallur mobilizimi i përgjithshëm, por nuk e riktheu atë si pjesë organike të ushtrisë. Për këtë arsye, Wied-i nuk përparoi më në gradë dhe në fund të luftës mbante përsëri të njëjtën gradë të majorit à la suite.

Ndoshta, ky ishte një dënim nga kajzeri për dështimin në Shqipëri dhe që nuk i dëgjoi këshillat e tij për të mos e pranuar fronin shqiptar. Edhe dërgimi i tij në front dhe jo diku tjetër, ku ishte i përshtatshëm shërbimi për një aristokrat të këtij niveli, do të thoshte që Gjermania nuk e njihte atë më si mbret të Shqipërisë.

Më 7 mars 1918, Wied-i iu drejtua me shkrim kajzerit, ku i lutej që ta lironte nga ushtria me qëllim që t’i përkushtohej plotësisht kthimit të tij në Shqipëri. Për ta bërë sa më bindëse kërkesën, ndër të tjera ai shkruante: “Unë i kam propozuar si Madhërisë suaj ashtu edhe qeverisë austro-hungareze që, nëpërmjet një thirrjeje drejtuar shqiptarëve për të rrokur armët kundër italianëve, jam në gjendje të ndihmoj frontin austro-hungarez në Shqipëri me një ushtri prej afro 50.000 burrash. (…) Bazuar në lajme, të sigurta për vërtetësinë e tyre, që vijnë nga Shqipëria, pjesa më e madhe e shqiptarëve vazhdon të jetë besnike ndaj meje dhe pret me padurim kthimin tim”.

Duke marrë shkas nga ngjarjet e brendshme në Shqipëri, qysh pas largimit të tij nga Shqipëria, Wied-i kishte filluar prej vitit 1915 të mendonte për një kthim të mundshëm në Shqipëri. Ndër të tjera, në veprën e tij përkujtimore kushtuar Shqipërisë, Wied-i shkruan: “[…] Udhëheqësit e dikurshëm të rebelëve më dërguan një telegram të përbashkët, në të cilin shkruanin se ishin të zhgënjyer nga Esati dhe duke më kërkuar falje kërkuan që të kthehem. […] Diku nga mesi i muajit shkurt 1915, qeveria provizore thirri një Kongres në Elbasan, me qëllim këshillimin dhe marrjen e masave për situatën aktuale që po kalonte vendi. Aty u mor ky vendim: “Duke pasur parasysh vështirësitë e mëdha që paraqiten për emërimin e një Princi nga familja perandorake otomane si Princ i Shqipërisë, Asambleja Kombëtare, duke marrë edhe miratimin e qeverisë otomane vendosi që të pranojë një Princ jo mysliman me kushtin që, Princi duhet të jetë pa diskutim gjerman. Ajo vendosi që, nëse Gjermania është dakord, ti lutet Princit Wilhelm (Wied-it –M.K) të pranojë edhe njëherë kurorën shqiptare”.

Më 24 shkurt 1915, pasi ishte ndërmarrë ofensiva e parë austro-hungareze ndaj Serbisë dhe me ndihmën e Gjermanisë po planëzohej një operacion i dytë, Wied-i i kishte kërkuar kajzerit që t’i jepte komandën e këtij operacioni. Fillimisht, ministria e Jashtme austro-hungareze e përshëndeti një nisëm të tillë. Qeveria gjermane njoftoi Wied-in se, në këtë rast, ajo do të miratonte çdo vendim që do të merrte qeveria austriake. Por, në fillim të marsit të vitit 1915, marrëdhëniet ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë u përkeqësuan së tepërmi, duke kaluar në konflikt të hapur. Si pasojë, nuk mund të ndërmerrej një ofensivë e dytë nga ushtria austro-hungareze kundër ushtrisë serbe. Kështu që kajzeri nuk e pa të arsyeshme ta komandonte Wied-in pranë ushtrisë austro-hungareze. Gjithsesi, pasi në një kohë më të vonë u planëzua një ofensivë e përbashkët gjermane dhe austro-hungareze, qeveria e Monarkisë së Danubit nuk e shikonte më të arsyeshme praninë e Wied-it në këtë operacion. Ajo tashmë zotëronte pjesën më të madhe të territorit shqiptar dhe nuk i duhej më Wied-i për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e saj në Shqipëri.

Duke mos hequr dorë nga kthimi i tij, në vitin 1920, Wied-i hyri në bisedime dhe me Serbinë. Ai arriti të merrte miratimin e saj për t’u kthyer në Shqipëri. Gjithsesi, në planin e tij të rikthimit, paraqiste një problem serioz mungesa e financave. Madje, ai u shpreh i gatshëm që të jepte hua (me koncension) pasuritë e nëntokës shqiptare, mjafton që të siguronte paratë që i nevojiteshin.

Përfundime

Periudha e qeverisjes së Wied-it në Shqipëri, nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914, është një periudhë e ngjeshur me kontradikta politike dhe ushtarake, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike dhe zgjedhja që iu diktua Shqipërisë, nëpërmjet vendosjes së një pushteti ksenokrat. Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kthyen Shqipërinë në një “kukull loje”. Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja e një figure të panjohur gjermane, siç ishte Wied-i. Në këto gjashtë muaj mbretërim, dolën në pah rivalitetet ndërmjet Austrisë dhe Italisë. Për të dyja palët, kontrolli i bregdetit shqiptar kishte një rëndësi strategjike. Edhe veprimtaria që ushtronte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) mund të konsiderohet si një pushtet paralel i Fuqive të Mëdha, përkrah sundimit të Wied-it.

Që në fillim të ardhjes së Wied-it, ra në sy mungesa e përvojës së tij shtet drejtuese dhe që edhe kabineti i tij ishte pa përvojë. Por arsyet e dështimit të Wied-it në Shqipëri janë më komplekse. Në vija të përgjithshme, këto arsye bazoheshin në neglizhencën dhe qëndrim e tij pasiv si edhe në paaftësinë e zyrtarëve shqiptarë për të drejtuar në pozicione kryesore dhe në rivalitetet e shumta. Siç u theksua më sipër, përsa i përket Wied-it, duhet të merret në konsideratë se ai ishte i pamësuar me një ambient të tillë dhe po ashtu ishte i përgatitur pak për këtë detyrë. Atij i mungonte edhe aftësia vendimmarrëse dhe guximi për të urdhëruar si edhe aftësia për të kontrolluar zbatimin e urdhrave të tij. Kjo është pak e çuditshme, sepse si oficer karriere prusian, të paktën procesi i vendimmarrjes dhe i kontrollit duhet të zotërohej prej tij, pavarësisht cilësisë së vendimeve. Si pasojë, vendimet që duheshin marrë në mënyrë të shpejtë zvarriteshin për ditë me radhë dhe shpesh ishte pikërisht vonesa kohore që bëhej shkak për dështimin e radhës. Paaftësia e administratës bazohej në mentalitetin turk të kryerjes së punës. Largimi i Esat Pashës nga kabineti i hapi rrugë edhe shqiptarëve të tjerë të përgatitur, si p.sh. Filip Nogës, nga i cili mund të priteshin punë cilësore dhe serioze. Pavarësisht aftësive dhe seriozitetit, shumica e kolegëve të tyre i përkisnin shkollës turke dhe me ta nuk mund të ngrihej një administratë e fortë perëndimore. Si pasojë, mbledhja i linte vendin mbledhjes, secili ministër bënte çdo gjë dhe asnjëri prej tyre nuk bënte diçka për të qenë.

Paaftësia e theksuar e ministrave dhe kontradiktat ndërmjet atyre myslimanë dhe katolikë mund të shmangeshin, duke krijuar një kabinet të vogël dhe të përbërë nga njerëz të aftë. Qendrën e rëndesës së këtyre ministrive duhej ta formonin departamentet, të cilat mundësisht duhej të drejtoheshin nga evropianë. Në fakt, kjo gjë ishte e parashikuar edhe në Statut, i cili duhej të hynte në fuqi sa më shpejt, në mënyrë që të fitohej më së fundmi një bazë e shkruar për të drejtuar shtetin. Rivaliteti ndërmjet Esat Pashës dhe holandezëve mori fund me dëbimin e Esat Pashë Toptanit nga Shqipëria. Edhe mosmarrëveshjet ndërmjet gjeneralit De Veer dhe kolonelit Thomson u shuan. Pra, tashmë holandezët nuk kishin më asnjë justifikim për të mbuluar dështimin e tyre.

Së fundmi, jo me më pak ndikim në këtë dështim ishte edhe rivaliteti ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë, apo kontradiktat e shfaqura ndërmjet shteteve anëtare të Aleancës Trefishe dhe atyre të Antantës. Mosmarrëveshjet e tyre shfaqeshin dukshëm dhe në mënyrë të pajustifikueshme në punën e KNK-së. Anëtarët e këtij komisioni nuk ndiheshin si përfaqësues të një komisioni ndërkombëtar, me një mandat nga Konferenca e Londrës, në të cilën gjithë shtetet pjesëmarrëse kishin rënë në konsensus për të ardhmen e Shqipërisë. Sidomos përfaqësuesi rus dhe ai francez ndiqnin një politikë speciale të qeverive të tyre.

Gabimi më i madh që bëri Wied-i ishte largësia që ai mbajti nga populli, i cili që në fillim shpresoi aq shumë prej tij. Rregullat, veset, mënyra e sjelljes së tij dhe organizimi i jetës në pallat ishte i përsosur si për ndonjë oborr të vjetër aristokrat në Evropë. Por, kjo mënyrë sjelljeje, tepër ceremoniale ndaj një populli analfabet dhe me një nivel të ulët kulturor, bëri që simpatia ndaj të tij të bjerë shumë shpejt. Me përjashtim të disa udhëtimeve të tij të shkurtra në Tiranë, Vlorë dhe Kavajë, ai thuajse nuk doli asnjëherë para popullit të tij. Shqiptarët si edhe osmanët ishin një popull që u bënte përshtypje shumë pamja e jashtme dhe kjo gjë iu mungoi atyre.

Pavarësisht përpjekjeve të Wied-it për t’u rikthyer, interesat e Fuqive të Mëdha kishin ndryshuar. Edhe përvoja gjashtëmujore e Wied-it në Shqipëri kishte treguar se problemi shqiptar nuk mund të zgjidhej në këtë mënyrë. Princ Wied-i ishte monarku i parë që humbi fronin, si pasojë e ndryshimeve që solli Lufta e Parë Botërore. Pas luftës, Wied-i jetoi fillimisht në Bavari dhe Shlesien, në Gjermani e më pas në një pronë të tij në Moldavinë rumune. Në vitin 1944, kur Ushtria e Kuqe hyri në Rumani, Wied-i, ndërkohë i mbetur i ve, së bashku me vajzën e tij, u strehua në pallatin veror të mbretit të Rumanisë në Karpate, ku edhe vdiq, tre javë para se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore. Varri i tij u zbulua në vitin 1991 në kishën luteriane të Bukureshtit, pas rënies së pushtetit komunist. Gjatë diktaturës komuniste, arkivoli i tij ishte fshehur nën një mbulesë prej druri.