LAJMI I FUNDIT:

AJO NUK E DI CILI JAM

AJO NUK E DI CILI JAM
Foto: Ilustrim

Rrëfenjë anonime
Në shqip nga: Bajram Karabolli

Në klinikën time erdhi një burrë i thyer në moshë për të mjekuar një plagë në dorë. Duke e parë se, herë pas here, shikonte orën, e pyeta se si e kishte hallin.

Më tha se duhej patjetër të shkonte në një rezidencë të moshuarish për të ngrënë mëngjesin me të shoqen. Më tregoi se ajo kishte kohë që jetonte atje, sepse vuante nga një Alzheimer mjaft i avancuar dhe se ai duhej t´i gjendej pranë çdo ditë.


Ndërsa mbarova së fashuari plagën, e pyeta nëse ajo alarmohej, po të vonohej.

– Jo – më tha. – Ajo nuk e di cili jam unë. Ka gati pesë vjet që nuk më njeh më.

Atëherë, i çuditur, e pyeta:

– Nëse ajo nuk ju njeh, ç´është nevoja të rrini me të?

Ai buzëqeshi dhe tha:

– Vërtet, ajo nuk e di cili jam unë, ama unë e di cila është ajo.

Ndërkohë që ai po dilte, unë, gati të përlotesha nga kjo histori, mendova: “Ja, kjo është dashuria që na duhet në jetë. Dashuria e vërtetë nuk është thjesht dashuria fizike apo romantike. Dashuria e vërtetë është kur e pranon tjetrin për çka është, për çka ka qenë, për çka do të jetë, por edhe për çka mund të mos jetë kurrë”.