LAJMI I FUNDIT:

Evropa jugore në “luftë” me zjarret

Evropa jugore në “luftë” me zjarret

Athina është e mbuluar me tym, në Turqi dhjetëra mijëra po evakuohen, zjarret e pyjeve po u marrin frymën mjaft pjesëve të Evropës jugore. Dhe situatës së tensionuar nuk po i duket fundi.

Zjarret në pyje nuk janë të rralla gjatë verës në jug të Turqisë: midis viteve 2009 dhe 2020, ka pasur pothuajse 30,000 zjarre, që shkatërruan pothuajse 100,000 hektarë sipërfaqe pyjore. Sa për krahasim: Berlini ka një sipërfaqe prej gati 80,000 hektarësh.

Por këtë vit zjarret kanë marrë përmasa të tilla saqë Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se ato janë “zjarret më të rënda në histori”. Edhe Enti Turk i Pyjeve (OGM) deklaroi se zjarre të tillë nuk ka pasur në 50, e ndoshta edhe 100 vitet e fundit.


Sipas ekspertëve me gjithë masat e pyllëzimit pemët duan 20 deri në 25 vjet që të arrijnë një lartësi prej rreth dhjetë metrash dhe duhen të paktën 50 vjet që në pyje të rikthehen gjitarët dhe zogjtë përsëri.

Greqi: Mobilizim i ushtrisë

Athina është e mbuluar nga tymi, por për fat zjarret në veri të kryeqytetit grek u vunë nën kontroll, sepse u qetësuan erërat. Në gadishullin grek të Peloponezit kanë shpërthyer shtatë zjarre rreth fshatit të lashtë ku u zhvilluan Lojërat e para Olimpike dhe ku ndizet gjithmonë flaka Olimpike para lojërave olimpike të radhës, raporton dw.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi angazhimin më të madh të ushtrisë për të ndjekur nga ajri situatën me dronë dhe për të zbuluar burime të reja zjarri në një fazë të hershme. Po ashtu ushtria do të mbështesë edhe brigadat e zjarrit me ekskavatorë dhe pajisje të tjera të rënda dhe do të transportojë me cisterna ujë në vatrat e zjarrit.

Gjendje alarmi në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut

Në 24 nga 28 rajone të Bullgarisë – përfshirë edhe kryeqytetin Sofje me rreth 1.5 milion banorë, është shpallur niveli i dytë më i lartë i alarmit “portokalli”.

Dy punonjës të ndërmarrjes së pyjeve u vranë dhe një tjetër u plagos gjatë përpjekes për të shuar zjarret në pyjet pranë kufirit me Greqinë. Dhjetra shtëpi janë djegur prej zjarreve. Ushtria po i mbështet zjarrfikësit me helikopterë, automjete dhe personel.

Si shumë vende në Evropën jugore edhe Bullgaria u godit kohët e fundit nga një valë nxehtësie me temperatura mbi 40 gradë. Edhe pse nxehtësia pritet të ulet pak gjatë fundjavës, meteorologët presin përsëri temperatura të reja maksimale. më pas.

Për shkak të zjarreve që po vazhdojnë Maqedonia e Veriutshpalli për 30 ditë gjendjen e jashtëzakonshme.