LAJMI I FUNDIT:

Bashkimi Evropian i shpall luftë pastrimit të parave

Bashkimi Evropian i shpall luftë pastrimit të parave

Çdo vit në ekonominë e rregullt futen shuma të mëdha parash me prejardhje të paligjshme ose nga kontrabanda.

Përmes një reforme gjithëpërfshirëse Bashkimi Evropian synon të luftojë më intensivisht pastrimin e parave.

“Rregullat tona kundër pastrimit të parave janë më të ashprat në botë. Por tani ato edhe duhet të zbatohen me konsekuencë”, thotë nënkryetari i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis.


Kjo ka munguar në vitet e fundit. Shumë shtete anëtare të BE-së nuk i zbatojnë në praktikë rregullat ose janë tepër të dobët në mbikëqyren dhe rishikimin e transaksioneve financiare të dyshimta.

Prandaj, Komisioni Evropian po propozon tani zyrtarisht atë që është përgatitur në Bruksel prej muajsh: që një autoritet i ri mbikëqyrës i BE të mbikëqyr vendet anëtare dhe të monitorojë dhe kontrollojë vetë institucionet e mëdha financiare ndërshtetërore, që paraqesin rreziqe.

Ky autoritet i fuqishëm i së ardhmes do të jetë në gjendje të funksionojë pas tre vjetësh dhe pas pesë vjetësh të ushtrojë efektin e tij të plotë. Në parim shtetet anëtare të BE e kanë miratuar krijimin e këtij autoriteti qendror mbikëqyrës, që ekziston ndërkohë edhe për bankat. Por nuk kanë rënë ende dakord se ku duhet ta ketë selinë.

Shifër e konsiderueshme nga paratë e pista

“Pastrimi i parave është një kërcënim i qartë për qytetarët, institucionet demokratike dhe sistemin financiar”, pohoi komisionarja e BE-së për Shërbimet Financiare, Mairead McGuiness, gjatë prezantimit të propozimeve të reja legjislative.

Rreth 1.5 për qind e produktit të brendshëm bruto në BE – që është 133 miliardë euro – del nga biznesi me para “të pista”.

“Dimensioni i problemit nuk mund të nënvlerësohet. Rrugët, që kriminelët mund të shfrytëzojnë, duhet të mbyllen”, kërkoi McGuiness.

Për ta arritur këtë, KE-ja dëshiron t’i bëjë më uniforme rregullat kundër pastrimit të parave në të gjithë Evropën. Në të gjitha vendet anëtare duhet të bëhet transparente, se kush zotëron në të vërtetë cilat kompani ose ofrues të shërbimeve financiare, apo kush zotëron pasuri të patundshme. Firmat anonime dhe personat bedel së shpejti nuk do të ekzistojnë më në BE. Listat e llogarive bankare dhe zotëruesve të tyre do të unifikohen në të gjithë BE-në.

Direktiva numër gjashtë

Me copëtimin e vazhdueshëm të pasurive në njësi më të vogla, me fragmentimin e konstruksionit të firmave dhe transaksioneve elektronike përmes shumë llogarive të huaja bankare, bëhet shumë e vështirë të ndiqen gjurmët e parave, që vijnë nga trafiku i drogës, prostitucioni ilegal, lojërat e paligjshme të fatit, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimet e ngjashme, deklaron Komisioni i BE-së.

Një direktivë e re kundër pastrimit të parave, tashmë me numrin gjashtë, ka për qëllim t’ia vështirësojë krimit të organizuar dhe financuesve të terrorizmit bizneset. Rregullat ashpërsohen sërish në krahasim me direktivën e pestë të aplikuar deri tani.

Në shënjestër do të jenë edhe kriptovalutat, si Bitcoin, të cilat BE i konsideron të përshtatshme për biznes anonim. Në të ardhmen ofruesit e tyre do të duhet të tregojnë zotëruesit e llogarive bankare.

Kufizim në vetëm 10 mijë euro parave në dorë

Shtetet anëtare debatojnë lidhur me propozimin e Dombrovskisit, që pagesat me para në dorë të kufizohen në maksimalisht 10 mijë euro. Paraja kesh është një portë e lehtë për pastrimin e parave. Paratë nga një tregtar droge futen në qarkullim përmes shitjeve të fryra të një picerie, që u përket kriminelëve. Pasuritë e paluajtshme paguhen me valixhe plot me para.

Në disa vende anëtare të BE pagesa me para ka një limit, për shembull në Greqi ai është vetëm 500 euro. Në vendet e tjera, si Gjermania apo Austria, nuk ka kurrfarë limiti. Rreth 70 për qind e të gjitha transaksioneve të pagesave të klientëve në BE bëhen me para në dorë.

Ministri austriak i Financave, Gernot Blümel e mbështet luftën kundër pastrimit të parave, por thotë se është iluzion të besosh se kriminelët përdorin vetëm para kesh.

“Ne po shohim që kriminelët ekonomikë po kalojnë gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale dhe këtu duhen bërë përpjekje më të mëdha në të ardhmen. Këtë e konsideroj më efektive sesa limitet maksimale arbitrare, që forcojnë prirjen e deritashme për heqjen e parasë kesh”, tha Blümel javën e kaluar në Vjenë.

Paraja në dorë duhet të ruhet si mjet pagese, për të cilën nuk nevojiten mjete ndihmëse teknike.

Dombrovskis shqetësohet kryesisht për reputacionin dhe stabilitetin e BE si qendër financiare.

“Çdo skandal pastrimi parash është i tepërt”, tha Dombrovskis.

Shtatorin e kaluar të ashtuquajturit “FinCen Files” e bënë të qartë se edhe bankat e mëdha evropiane minojnë rregullat e BE kundër pastrimit të parave.

Në vitin 2018 u zbulua se një bankë daneze kishte pastruar për vite me radhë para përmes një dege të vogël në Estoni – deri në 200 miliardë euro.

Skandali me Danske Bank ka qenë arsyeja e nismave të reja të Komisionit të BE kundër pastrimit të parave, të cilat tani duhet të miratohen nga Parlamenti i BE dhe 27 vendet anëtare. /Deutsche Welle/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg

Kontratat njëburimore, Bajrami i përgjigjet Muratit: Të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg

Ekonomi
“Urdhëro Hykmete, skena për ty” -  vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

“Urdhëro Hykmete, skena për ty” - vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Botë
Kalo në kategori