LAJMI I FUNDIT:

DW: Përplasje Kurti-Vuçiq para takimit në Bruksel

DW: Përplasje Kurti-Vuçiq para takimit në Bruksel

Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përplasi në distancë sërish Prishtinën dhe Beogradin, vetëm disa ditë para rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht takimit të parë të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013 nënshkruan marrëveshje të parimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vetëm disa orë pas takimit që zhvilloi në Prishtinë me dy diplomatët perëndimorë, Mathew Palmer dhe Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk mund të ketë asociacion një etnik në Kosovë dhe se është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik”.


Sipas Kurtit, për Asociacionin ekziston edhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, Kushtetuesja kishte gjetur se Marrëveshja për Asociacionin nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, prandaj nuk mund të zbatohet në Kosovë.

Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës nxiti menjëherë reagimin e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Kurti nuk ka pse të shkojë në Bruksel, po të mos flasë për Asociacionin e komunave serbe.

“Nëse Kurti thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvëndësndihmës sekretari amerikan i shtetit Mathew Palmer, gjatë së enjtes takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas vizitës që kishin në Kosovë. Palmer lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe deklaroi se “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet ashtu si merren vesh palët”.

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet të zhvillohet nga mesi i muajit qershor nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Për këtë takim Albin Kurti, tha se “takimi në Bruksel nuk është takim i vazhdimit të dialogut, por është takimi i parë që pritet me presidentin e Serbisë”.

“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, tha Kurti.

Bashkimi Evropian: Takimet si vazhdim i dialogut

Por, Bashkimi Evropian takimet e ardhshme Kosovë-Serbi në kuadër të dialogut i sheh si vazhdim të dialogut, e jo si ndonjë fillim të ri të tij. Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe vazhdon me takimin e nivelit të lartë së shpejti. Në kuadër të procesit që është në vazhdim e sipër, janë ndërruar qeveritë në të dyja anët, por përkushtimi ka mbetur. Të gjitha çështjet e diskutuara deri më tash dhe që do të diskutohen në të ardhmen në kuadër të dialogut, janë kyçe për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësi Peter Stano.

Sipas tij, Bashkimi Evropian pret nga të dyja palët që të vazhdojnë përkushtimin për angazhim në këtë dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme. E njëra nga marrëveshjet e mëparshme që kërkohet të zbatohet sidomos nga Serbia është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Analisti politik, Demush Shasha beson se ngritja e Asociacionit do të mbetet në tavolinë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shasha i tha më herët DW-së, se “kjo çështje nuk do të jetë marrëveshje e izoluar, por pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, ku Asociacioni do të jetë vetëm njëri element i marrëveshjes”.

“Konsideroj se qeveria e ardhshme duhet të shqyrtojë ngritjen e Asociacionit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në këtë drejtim, konsideroj se zgjidhja mund të gjendet në kuadër të kompetencave të Asociacionit, të cilat i ka paraparë edhe pakoja e Ahtisarit, siç janë çështjet e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit (neni 4 i pakos së Ahtisaarit), në harmoni me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Po ashtu, duhet shqyrtuar materializimi i bashkëpunimit të komunave me shumicë serbe me shtetin dhe institucionet e Serbisë, nën koordinimin e Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal (neni 10 i Pakos së Ahtisarit). Pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi është edhe dakordimi i transparencës së financimit të shtetit serb të komunave serbe në Kosovë (neni 11 i pakos së Ahtisarit). Prandaj, në kuadër të kompetencave të këtilla nuk shoh asnjë brengë në ngritje e Asociacionit”, thotë Shasha.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është seerbe, në Mitrovicën e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./dw/