LAJMI I FUNDIT:

Interi merr fitoren e shtatë radhazi, triumfon te Verona dhe bëhet lider i Serie A

Interi merr fitoren e shtatë radhazi, triumfon te Verona dhe bëhet lider i Serie A

Interi ka fituar në udhëtim te Hellas Verona me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Serie A.

Nerazzurrët kanë vazhduar serinë pozitive, duke arritur edhe fitoren e shtatë radhazi në kampionat dhe duke u bërë lider momentalisht në tabelë.


Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, por me Interin për një nuancë më i mirë.

Rasti më i mirë në këtë ndeshje ishte ai i Lautaro Martinez (37’), por goditja e tij u prit nga portieri vendas dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e hapur, pati më shumë raste nga të dyja skuadrat, por Interi shënoi dy gola, kundrejt një të Veronas.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 52-të dhe ishte Lautaro, i cili shënoi një gol të bukur për 0-1 pas asistimit të Achraf Hakimit.

Verona arriti të kthehet në lojë në minutën e 63-të me anë të Ivan Ilic që shënoi për 1-1 pas një gabimi trashanik të portierit Samir Handanovic, por festa e tyre zgjati vetëm deri në minutën e 69-të kur Milan Skriniar shënoi për 1-2.

Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe Interi në fund mori një fitore të madhe.

Pas kësaj fitore, Interi e sheh veten në pozitën e parë me 33 pikë apo dy më shumë se Milani i dyti që luan më vonë me Lazion, ndërsa Verona zë vendin e nëntë me 20 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët e presin në shtëpi Crotonen, ndërsa Verona udhëton te Spezia. /Telegrafi/