LAJMI I FUNDIT:

“Dekalogu” i Agron Shalës, pasuri e kulturës sonë…

“Dekalogu” i Agron Shalës, pasuri e kulturës sonë…

Parathënia e librit të Agron Shalës, “Dekalogu (nga Moisiu deri te Kieślowski)”, botim i Sh. B. “Armagedoni”

Regjisori polak Krzysztof Kieślowski (1941-1996) është një prej emrave më të shquar të kinematografisë botërore. Megjithatë, në mesin tonë artistik nuk del të jetë edhe aq i njohur. Në mesin e adhuruesve të filmit e të publikut të gjerë shqiptar, për Kieślowskin dihet edhe më pak. Prandaj, libri i Agron Shalës që keni në duar – Dekalogu (nga Moisiu deri te Kieślowski) – do të duhej ta ndryshonte këtë gjendje.

***


Kieślowski është ngjitur në nivelet më të larta të kinematografisë botërore, me dhjetë episodet e serisë Dekalogu, që janë analizuar në mënyrë të thellë e mjaft profesionale në këtë libër. Kur shikohet Dekalogu i Kieślowskit dhe kur lexohet libri i Shalës, kuptohet thënia se “thjeshtësia është madhështi”.

Në punën e Kieślowskit s’ka gjë të komplikuar, të pakuptueshme apo të pavend. Ai na flet për njeriun e rëndomtë, për hallet e natyrën e tij në një ambient dhe në një kohë të caktuar. Ambienti është një lagje me blloqe të banesave në Varshavë, pra në kryeqytetin e Polonisë, kurse koha kur është realizuar seria paraqet etapën e fundit të sistemit komunist në Evropë.

Vendi dhe koha shpërfaqin një dallim në mes të Lindjes komuniste dhe të Perëndimit kapitalist. Teksa nëpër komplekset e banesave kolektive, në Perëndim jetojnë kryesisht ata nga klasa punëtore apo shtresa e ulët e shoqërisë, në Lindje – si në rastin e Dekalogut të Kieślowskit – aty jetonin profesionistët apo shtresa e mesme (edhe pse, në komunizëm, klasat shoqërore nuk është dashur fare të ekzistonin).

Nga ky aspekt duhet t’i kërkojmë ne ngjashmëritë mes jetesës në Poloninë e dikurshme dhe asaj që kemi kaluar ne në sistemin komunist. Ngjashmëri ka, por dallimet janë më të mëdha. Jeta shoqërore-kulturore në Poloni ka qenë më e pasur sesa ajo e jona. Në fakt, në aspektin kulturor Polonia ka qëndruar më mirë se të gjitha vendet e tjera të ish-Bllokut lindor. Por, edhe në aspektin material, meqë industria e saj nuk ishte për t’u nënçmuar. Pastaj vjen në shprehje shpërndarja e të mirave materiale, që në Poloni ishte e rregulluar dhe e zbatuar më mirë se në shtetet e tjera simotra – për nga ideologjia dhe politika … Ndryshe, po sikur Polonia të mos kishte nivel të duhur kulturor, indu­strial dhe një të kaluar të begatshme, s’do ta nxirrte një regjisor si Kieślowski.

Kieślowski nuk e kishte të lehtë veprimtarinë gjatë komunizmit, por intelektualët e Polonisë gjithmonë e kanë gjetur një mënyrë për ta sfiduar sistemin e për të protestuar kundër rendit sundues shoqëror e politik. Kjo është për t’ua pasur lakmi. Ndaj, në këtë aspekt, nuk mund ta harrojmë faktin tjetër se ishin polakët ata që nëpërmjet lëvizjes Solidarność (Solidariteti) kanë nisur përmbysjen e komunizmit në vendin e tyre, që pastaj pati jehonë për ndryshime demokratike edhe në shtetet e tjera komuniste të Evropës lindore. Në këtë lëvizje ka kontribuar edhe Kieślowski.

***

Njeriu i Kieślowskit është human; ai shqetësohet nga mosrespektimi i normave njerëzore; ballafaqohet me problemet e përditshmërisë që ai synon t’i zgjidhë sipas parimeve që kërkojnë edhe sakrifica. Natyrisht, në çdo vepër ndikon karakteri personal i artistit. Kjo vërehet edhe në serinë që diskutohet në këtë libër. Për Kieślowskin mund të thuhet se ishte ateist dhe se në krejt veprat e tij kishte qëndrime neutrale. Megjithatë, veprimtaria e tij, sidomos me Dekalogun, nuk mund të interpretohet pa i marrë parasysh edhe kontekstet politike dhe religjioze. Në fakt, i tërë Dekalogu është përbrenda kornizës politike dhe religjioze. Kjo është mohuar nga Kieślowski, por e vërteta është se politika e impononte mënyrën e jetesës së personazheve të tij. Në rastin konkret, te politika janë edhe arsyet se pse njerëzit janë vendosur të jetojnë nëpër banesa masive kolektive; politika është arsyeja se pse këta njerëz nuk komunikojnë sa duhet mes vete apo pse komunikojnë në mënyrën siç paraqitet te Dekalogu.

Problemet e këtyre personazheve janë universale meqë hasen nëpër vendet e tjera. Pra, tejkalohet koha dhe hapësira e realizimit që u cek më lart. Por, a janë universale edhe mënyrat se si njerëzit e vendeve të tjera i zgjidhin këto probleme?

Kjo na kthen te parimi i religjionit të cilit Agron Shala i kushton kujdesin e duhur. Në fakt, nuk ka si të jetë ndryshe, meqë me Dekalog nënkuptohen Dhjetë Urdhrat nga Dhiata e Vjetër – pra nga libri i shenjtë i judaizmit. Siç dihet dhe siç shohim në këtë libër, këto urdhra paraqiten në formë tjetër edhe në Dhiatën e Re (libri i shenjtë i të krishterëve), si dhe në Kuran (librin e shenjtë të myslimanëve). Pra, kemi të bëjmë me një kulturë universale, ku këto urdhra e paraqesin bazën e moralit të civilizimit edhe të ditëve të sotme. Prandaj, pavarësisht prej bindjeve personale, Kieślowski s’ka qenë i krisur për ta mohuar rëndësinë e religjionit, të cilin komunizmi e luftonte me propaganda shurdhu­ese dhe me metoda të ashpra. Kështu, interpretimi i Urdhrave biblike nga ana e tij mund të merret si kun­dërshtim i komunizmit. Duke e zbatuar – mbase si në heshtje – edhe kundërshtimin dialektik, Kieślowski na bën, po ashtu me dije, se komunizmi ishte amoral.

***

Janë të shumta simbolikat religjioze që ka zbatuar Kieślowski te Dekalogu. P. sh., ndërtesat e zgjedhura për xhirime, sipas disa kritikëve, ngjajnë me Tabelat e Dhjetë Urdhrave që Moisiu i merr nga Zoti. Prania e Papa Gjon Palit II, nëpër fotografi të skenave të disa prej episodeve, është një tjetër simbolikë që ka luajtur rol në mobilizimin e vetëdijes polake kundër sistemit që e cilësonte si hegjemoni ruse. Simbolikat janë kudo të pranishme, por ngjarjet që trajton Dekalo­gu kanë të bëjnë me atë se çfarë mund të ndodhë nëse njerëzit i shkelin Dhjetë Urdhrat? Cilat janë pastaj pasojat për njerëzit e shoqërive moderne shekullare?

Bota ka ecur para, por morali i bazuar te religjioni zë prore vend brenda nesh – në vetëdijen e ndërdijen tonë. Kjo është vula e zhvillimit tonë njerëzor. Dhe, kjo është arsyeja se pse Agron Shala, që nga fillimi i librit të tij, i kushton rëndësi të madhe shpjegimit të religjionit dhe të ndërlidhjes së tij me këto aspekte. Aspekti religjioz vërehet edhe në shoshitjen e dhjetë episodeve të Dekalogut, si dhe te reagimet e pasojat që shkeljet e urdhrave përkatëse mund të kenë në jetën e individëve.

***

Vërtet është mbresëlënës shpjegimi që ky libër ia bën Dekalogut, si dhe Dekalogut. Agron Shala, me njohuritë e tij të mëdha për Kieślowskin, si dhe për veprën e tij, e ka krijuar një argument kritik dhe e ka zbatuar atë në një shtrirje të duhur strukturore të librit, duke e kaluar lëndën nëpër filtrat e nevojshëm artistikë, historikë, psiko-socialë e filozofikë. Ky libër na mëson për Kieślowskin, për krijimtarinë e tij, për kinematografinë polake dhe atë botërore, e për shumë gjëra të tjera. Pra,  paraqet një pasuri të kulturës sonë, për shkak se është kulturë kur dimë për të tjerët. Është kulturë kur e vlerësojmë dhe e respektojmë punën dhe kulturën e të tjerëve, sidomos nëse është madhështore sikurse ajo e Kieślowskit.