LAJMI I FUNDIT:

Ben Emmerson, avokati i Veselit në Hagë

Ben Emmerson, avokati i Veselit në Hagë

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është deklaruar i pafajshëm në seancën e parë gjyqësore që është duke u zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë, ku si përfaqësues ligjor i tij është avokati britanik Ben Emmerson.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Veseli, në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Specialja.

Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, i cili do të jetë përfaqësuesi ligjor në Gjykatën Speciale, i Veselit është i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri.


Nuk është hera e parë që Emmerson përfaqëson një udhëheqës të luftës së UÇK-së, pasi ai e ka mbrojtur edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund u lirua nga çdo akuzë për krime gjatë luftës.

Ai është cilësuar si njëri nga avokatët më të mirë që ka Britania e Madhe, gjë që e ka deklaruar ish-kryeministrja britanike, Theresa May.

Aktualisht, Ben Emmerson është edhe avokat i Mbretëreshës në Angli.