LAJMI I FUNDIT:

“Ndryshimi pozitiv” i Thaçit karshi BE-së

“Ndryshimi pozitiv” i Thaçit karshi BE-së

Ndryshimi i qëndrimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, karshi dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është një zhvillim pozitiv, thonë analistët politikë, Agon Maliqi dhe Fisnik Halimi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi që ka zhvilluar të hënën, më 5 tetor në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu “nuk ka alternativë” dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare”.

“Lajçak e ka mbështetjen time në këtë proces”, shkroi Thaçi në Twitter.


Por, pak muaj me herët, vet presidenti Thaçi kishte deklaruar se ai nuk do të bashkëpunojë me Lajçakun për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqen nga Lajçaku”, pati deklaruar Thaçi menjëherë pas zgjedhjes së Lajçakut në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak mori postin e ri në fillim të muajit prill.

Thaçi po ashtu ka deklaruar se “misioni i Lajçakut është i paracaktuar të dështojë”, për shkak të angazhimit të tij, si ish-ministër i Jashtëm sllovak, “për ta ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”.

Megjithatë, në muajin qershor, Thaçi dhe Lajçak janë takuar në Prishtinë. Para këtij takimi, Thaçi kishte shprehur skepticizmin e tij për të.

Në konferencën e përbashkët për media me përfaqësuesin e BE-së, Thaçi pati thënë se procesi i “dialogut duhet të rinisë me liberalizimin e vizave dhe të përfundojë me njohje reciproke”.

Presidenti i Kosovës poashtu në vazhdimësi ka insistuar që Shtetet e Bashkuara duhet ta ketë rolin udhëheqës për arritjen e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti politik, Agon Maliqi, shpreh mendimin se ndryshimi i qëndrimeve të presidentit Thaçi karshi Bashkimit Evropian, është një zhvillim pozitiv, pasi që sipas tij, qasja konfliktuoze nuk i shkon në favor Kosovës.

“Kjo mund të jetë e çuditshme, por mund të jetë një tregues i ndonjë zhvillimi për të cilin ne ende nuk kemi njohuri publike. Nëse zoti Thaçi ka ndryshuar qëndrim, është e mundur se ka edhe ndonjë ndryshim nga perspektiva e BE-së, rreth çështjeve të caktuar, siç mund të jetë Asociacionit (i komunave me shumicë serbe) apo çështja e njohjes reciproke (me Serbinë)”, tha Maliqi.

Maliqi mendon se pas ndryshimit të qëndrimeve mund të ketë eventualisht ndonjë komunikim në rrafshin diplomatik ndërmjet Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Përndryshe, nëse është thjesht ndryshim pozicioni ‘sot je i mirë nesër je i keq’, ndërkohë nga BE-ja nuk ka ndonjë ndryshim, atëherë me të vërtet do të ishte ndryshim qesharak”, tha Maliqi.

Edhe analisti tjetër politik, Fisnik Halimi, tha se ‘nëse presidenti Thaçi ka ndryshuar vërtetë qëndrimet në këtë pikë, ai i ka bërë një shërbim të mirë Kosovës’.

“Ai i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm Kosovës, duke korrigjuar një gabim të tij që ka qenë po aq i jashtëzakonshëm sa ky korrigjim. Është e vërtet që Kosova nuk mundet të ecë tutje pa marrëdhënie të shkëlqyera me BE-në. Është po ashtu e vërtetë që çdo marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë duhet të verifikohet edhe në Bashkimin Evropian. Dhe është po aq e vërtet se pa rolin kyç të SHBA-së, konflikti Kosovës- Serbi, nuk do të mund të zgjidhet asnjëherë”, tha Halimi.

Ndryshe, Halimi thekson se në Kosovë e gjithë klasa politike mund të kritikohet e akuzohet për mosmbajtje të qëndrimeve e ndërrim të fjalëve. Ai madje thotë se ky avaz i klasës politike është shenjë që tregon se spektri politik në Kosovë ka nevojë të vetëdijesohet.

“Kjo është shenjë se politika në Kosovë nuk zhvillohet mbi parime, por zhvillohet mbi interesa të momentin. Ajo çka duhet të ndodhë është që Kosova ta ketë një klasë politike e cila mësohet që t’i qëndrojë parimeve deri në fund”, u shpreh Halimi.

BE-ja e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë qysh nga viti 2011.

Muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë intensifikuar përfshirjen e tyre në proces, gjë që ka rezultuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator, në Uashington./rel/Telegrafi/