LAJMI I FUNDIT:

Si u prek Shqipëria nga ‘Gripi Spanjoll’ në vitin 1918?

Si u prek Shqipëria nga ‘Gripi Spanjoll’ në vitin 1918?

Kur ka kaluar një shekull nga pandemia e ashtuquajtur “Gripi Spanjoll”, është e pamundur që të nxjerrësh konkluzione se cili ka qenë ndikimi në botë dhe në Shqipëri.

Shpërthimi i kësaj pandemie erdhi një një kohë lufte, ku lajmet dhe statistikat ishin të censuruara, e si rrjedhojë ndikimi i saj sot nxirret në mënyrë rrethanore dhe shpesh edhe me rezerva. Megjithatë, konsiderohet si një ndër epidemitë më vdekjeprurëse në histori.


Pandemia e gripit të vitit 1918 vlerësohet se shkaktoi nga 20 deri në 50 milionë viktima në mbarë botën.

Si e mori emrin “Gripi Spanjoll”?

Spanja ishte një nga vendet e pakta evropiane që qendroi neutral gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë vendet e tjera që ishin në luftë kontrollonin shtypin dhe censuronin lajmet në mënyrë që të ndalonin uljen e moralit të qytetarëve të tyre dhe të ushtarëve që ishin në luftë.

Duke qenë se shtetet e tjera kishin një errësirë totale në raportimin mediatik lidhur me ngjarjen dhe Spanja bënte raportime normale për infektimet dhe viktimat, u krijua ideja se Spanja ishte origjina e pandemisë. Ndërsa vetë spanjollët besonin se virusi u ishte transmetuar nga Franca, e madje vetë spanjollët e quanin “Gripi Francez”. Në rang botëror, keqkuptimi mbeti dhe u trashëgua për një shekull, edhe pse nuk u konfirmua kurrë se Spanja ishte burimi i pandemisë.

Si u prek Shqipëria nga “Gripi Spanjoll”?

Kur “Gripi Spanjoll” u përhap edhe në Shqipëri, vendi në atë periudhë administrohej nga ushtritë e huaja; ajo italiane, austro-hungareze dhe franceze.

Si rrjedhojë, edhe menaxhimi i saj nuk mund të thuhet se u bë në mënyrë të centralizuar. Në atë periudhë vendit i mungonte një sistem shëndetësor i mirëorganizuar, mjekët dhe spitalet për të përballuar një ngjarje shëndetësore të kësaj përmase.

Nga ana tjetër, nëse shfletojmë shtypin e atyre viteve, gazetat kryesore që publikoheshin nuk kanë të reflektuar në faqet e tyre raportime për atë që ka ndodhur në vitet e pandemisë. Në dokumentet e arkivave së shtetit mund të gjesh qarkore që iu drejtoheshin autoriteteve lokale për masat parandaluese që duheshin marrë “për të parandaluar Gripin e Spanjës”.

Vetëm pas viteve ’20-ta, në Shqipëri nis një periudhë stabiliteti ku shteti nis të organizohet në struktura përkatëse dhe nis të organizojë sistemin shëndetësor si dhe të mbajë statistika për llojet e sëmundjeve, pacientëve, mjekëve, etj.

Ndikimi që ka pasur kjo pandemi, përmendet në kujtimet e Hajredin Bej Cakranit ku trajtohet ndihma që kjo familja u dha refugjatëve që kishin ardhur në Shqipëri nga si rrjedhojë e djegies së fshatrave të tyre nga grekët.

Spitali i Shkodrës gjatë pandemisë “Gripi Spanjoll”

“Kur u kthyem në shtëpi, pamë muhaxhirët të cilët janë si rezultat i gripit spanjoll dhe nga fshatrat e djegura nga grekët, ku thuhet se 50-100 shpirtra vdesin çdo ditë, dhe ky nuk është një numër i vogël. Na kanë thënë që është grip dhe ky grip është shpërndarë në të gjithë Evropën, i cili po vret njerëz në masë të madhe. Refugjatët na kanë thënë, kanë ardhur nga Vlora dhe nga të dyja anët e Vjosës. Dhe këtë tragjedi donte vendi ynë tani. Thjeshtë këtë mund ta quash katastrofë”, shkruhet në kujtimet e Cakranit.

Por një dëshmi më të plotë të asaj që ka ndodhur në Shqipëri jep Petro Harizi në librin e tij të botuar në Boston në vitin 1919, me titull “Histori kronografike e qarkut të Korçës”.

Ai trajton aty shumë ngjarje, kryesisht periudhën kur Korça u shpall Krahinë Autonome nën administrimin francez. Në këtë periudhë, vjen edhe në Shqipëri edhe gripi spanjoll. Në rrëfimin e tij, Harizi e përshkruan ngjarjen si dramatike! Shifra e viktimave që ai jep për Korçën është e ngjashme me atë të Cakranit, rreth 40-50 viktima në ditë.

Por veçantia e rrëfimit të Harizit është se ai bën një përshkrim të detajuar të simptomave të sëmundjes, mënyrës sesi po kurohej ajo si dhe çfarë ndodhte nëpër familjet shqiptare që po e përballonin pas asistencë mjekësore këtë pandemi.

Harizi në rrëfimin e tij ndalet këtu, duke mos dhënë më shumë detaje në botimin e tij se si u menaxhua pandemia, apo se si u zhduk ajo në Shqipëri.

Megjithatë, ai evidenton se një ndër personat që humbi jetën ishte edhe një nga funksionarët e lartë të ushtrisë franceze që ndodhej në Korçë.

Të dhënat për ndikimin e gripit spanjoll në Shqipëri janë trashëguar në formën e tregimeve nga të moshuarit, mbi bazën e perceptimit të tyre, informacioneve të ndryshme që ata merrnin gojë me gojë apo që shihnin vetë. Por mungon një studim i plotë lidhur me ndikimin konkret që kjo epidemi ka pasur në Shqipëri. /Scan TV/

Në trend Lajme

Më shumë
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

Drejtësi
'Çmontohet' rrjeti i drogës në Spanjë, 14 të arrestuar përfshirë edhe shqiptarë që transportonin tonelata me kanabis në Evropë

'Çmontohet' rrjeti i drogës në Spanjë, 14 të arrestuar përfshirë edhe shqiptarë që transportonin tonelata me kanabis në Evropë

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Lajme
Kalo në kategori