LAJMI I FUNDIT:

LDK kërkon ndryshime në projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, thonë se i marrin me shqetësim deklaratat e BE-së dhe Ambasadës amerikane

LDK kërkon ndryshime në projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, thonë se i marrin me shqetësim deklaratat e BE-së dhe Ambasadës amerikane

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se disa nene të projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, lënë hapësirë për keqinterpretim. Sipas saj, këto mund të konsiderohen ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe atë të mendimit.

Gjatë diskutimit për këtë projektligj të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Bunjaku-Rexhepi tha se LDK kërkon ndryshime specifike të këtij projektligji.

“Ne si Grup Parlamentar i LDK-së kemi vërejtur disa çështje të cilat lënë hapësirë për keqinterpretim dhe mund të konsiderohen si ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe në lirinë e mendimit. Po ashtu detyrim për veprim për qytetarët në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e tyre. Siç është rasti me nenin 2, apo nenet tjera, janë probleme të theksuara dhe janë në limitin e kushtetutshmërisë. Ne kërkojmë të bëhet këto ndryshime specifike në këtë projektligj. Te neni 2 “obligimi i qytetarëve për të mbrojtur vlerat e UÇK-së”, duhet të riformulohet. Pasi që lë hapësirë për interpretime të shumëllojshme dhe kjo ndikon keq në lirinë e shprehjes dhe mendimit”, tha ajo.


Ajo tha se si Grup Parlamentar i shohin me shqetësim deklaratat e qytetarëve dhe përfaqësuesve të BE-së për projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të të UÇK-së.

“I marrim me shumë shqetësim, kujdes dhe përkushtim deklaratat e përfaqësuesve të BE-së dhe të ambasadorit amerikan, i cili ndër tjerash thotë “Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët”. Prandaj ne si Grup Parlamentar angazhohemi për riformulimin e disa prej neneve, dhe trajtimin e tyre me shumë kujdes. Sepse mbi të gjitha për neve prioritet mbetet ruajtja e demokracisë, lirisë së shprehjes. Vlera këto të proklamuara nga themeluesi i shtetit, nga presidenti Ibrahim Rugova”, ka shtuar ajo. /KP/