LAJMI I FUNDIT:

Hoti tha se ka koordinim me partnerët e koalicionit dhe opozitën për dialog, reagon Lëvizja Vetëvendosje

Hoti tha se ka koordinim me partnerët e koalicionit dhe opozitën për dialog, reagon Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se ka nisur dialogu për njohje reciproke dhe se ai është duke koordinuar agjendën shtetërore me bartësit e institucioneve, me partnerët e koalicionit dhe opozitën.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu ka thënë se nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve, prandaj sipas tij, kjo qeveri duhet të shkojë sa më parë, transmeton Telegrafi.


“Për cilën opozitë e ka fjalën z. Hoti? Lëvizja Vetëvendosje e konsideron këtë qeveri jolegjitime dhe jolegale, ashtu sikurse e konsideron edhe çdo përpjekje të saj për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë proces”, thuhet në reagimin e Kryeziut të bërë në Facebook.

Hoti: Sot në Bruksel fillon draftimin i marrëveshjes për njohje reciproke
Lexo po ashtu Hoti: Sot në Bruksel fillon draftimin i marrëveshjes për njohje reciproke

Për më shumë reagimi i plotë:

“Kjo qeveri, tashmë jo vetëm e kotë dhe e dëmshme, po del të jetë edhe deluzionale.

Z. Hoti, i shkëputur plotësisht nga realiteti dhe i zhytur në mohim të plotë, thotë se (1) Kosova ka një kryeministër, i cili për procesin e Dialogut Kosovë-Serbi, (2) është duke koordinuar agjendën shtetërore me bartësit e institucioneve, (3) me partnerët e koalicionit dhe (4) opozitën.

(1) Për cilin kryeministër e ka fjalën z. Hoti?

(2) Për cilën agjendë shtetërore e ka fjalën z. Hoti? Kosova po rifillon një proces tepër të rëndësishëm pa as edhe një agjendë të qartë e koordinim të brendshëm politik e ndërinstitucional. Kjo qeveri nuk ka një platformë për dialog të diskutuar e të mbështetur në kuvend, nuk ka parime të qarta dialoguese dhe as përgatitje, derisa i mungon edhe komunikimi më bazik me liderë institucionalë për tash e një muaj.

(3) Për cilët partnerë të koalicionit e ka fjalën z. Hoti? Ata të cilët gjatë ditës nuk përfillin ftesën për “forumin e liderëve”, në mungesë të të cilëve z. Hoti detyrohet ta riemërojë atë si “forum i partive politike”? Për të njëjtit partnerë të koalicionit të cilët në mbrëmje dalin dhe e kritikojnë publikisht qasjen e tij ndaj dialogut si dhe për mungesë te konsultimit dhe koordinimit me ta?

(4) Për cilën opozitë e ka fjalën z. Hoti? Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron këtë qeveri jolegjitime dhe jolegale, ashtu sikurse e konsideron edhe çdo përpjekje të saj për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë proces.

Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë, pa legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve. Prandaj, kjo qeveri duhet të shkojë sa më parë”.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Hoti ka thënë se “Kosova ka një kryeministër që po i ushtron autorizimet kushtetuese pa lejuar asnjë ndërhyrje në ato autorizime, por duke e koordinuar agjendën e shtetërore të Kosovës me bartësit e institucioneve, me partnerët e koalicionit dhe me opozitën, si dhe duke e mbajtur plotësisht të informuar publikun e gjerë”. /Telegrafi/