LAJMI I FUNDIT:

Përjashtimi nga “Historia e letërsisë”, si dënim për shkrimtarët “armiq”

Përjashtimi nga “Historia e letërsisë”, si dënim për shkrimtarët “armiq”
Fotokolazh: Gjergj Fishta, Ernest Koliqi dhe Faik Konica

Nga: Brunilda Prifti

Tekstet e historive të letërsisë shqipe janë pasqyra më e mirë e dënimit me përjashtim të një numri jo të paktë shkrimtarësh e poetësh, të shpallur si “armiq të popullit”, jo për shkak të veprës së tyre letrare, por për shkak të angazhimit të tyre politik. Ky përjashtim nga tekstet e historisë së letërsisë ka shërbyer si një dënim prapavajtës për një grup autorësh, vepra letrare e të cilëve është krijuar përpara vendosjes së regjimit komunist dhe kanonizimit të realizmit socialist në letërsi e arte. Raste tipike të këtij lloj dënimi i gjejmë në përjashtimin e veprës së Gjergj Fishtës, Faik Konicës e Ernest Koliqit, fshirja e të cilëve, ku plotësisht e ku cekur përciptazi, aq sa meritonin të lakoheshin armiqtë, solli dëm të tejskajshëm në hierarkinë letrare. Dy të parët nuk jetuan aq sa ta merrnin për së gjalli këtë dënim, ndërsa Koliqi e ka vuajtur shumë këtë ndërprerje komunikimi me lexuesin e tij shqiptar, që nga Roma, ku jetoi deri sa vdiq, me damkën e “fashistit” dhe “armikut të popullit”.

Për të kuptuar më mirë se si u trajtuan këto figura dhe vepra e tyre nga institucionet zyrtare studimore e akademike, të cilat me hir apo pahir u vunë në shërbim të propagandës së kohës, na vjen në ndihmë një qasje krahasimore mes tre tekstesh të “Historisë së letërsisë shqipe”, dy të botuara dhe prej nga gjeneruan të gjitha tekstet shkollore të letërsisë, ndërsa një i mbetur në tentativë, bocet, si një përpjekje për të “rehabilituar” emra si Fishta apo Konica.


Flasim konkretisht për tekstin “Historia e letërsisë shqipe 2” e vitit 1959, hartuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë; “Historia e letërsisë shqiptare: Që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, 1983; Historia e Letërsisë Shqipe e viteve 1912-1939, bocet i çuar për botim në vitin 1968, hartuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, që gjendet në Arkivin e Institutit të Letërsisë.

Historia e letërsisë shqipe në rrugëtimin e saj, fill pas ndryshimeve që pasuan në vitet ‘44-‘45 e deri në botimin e 1983-shit, nuk mundi dot t’i shkiste kufizimeve ideologjike, as kufirit të vënë: ‘me ne, ose kundër nesh’. Mjaft të kujtojmë deklaratën e Shefqet Musarajt gjatë fjalës në Konferencën e III-të të Lidhjes së Shkrimtarëve, në tetor 1949, për të kuptuar drejtimin që do të merrte letërsia, edhe pse sinjalet ishin dhënë së paku 3 vite më parë: “Po mundet që në mes t’onë të ketë shkrimtarë që të mos jenë për këtë udhë. Ne jemi të detyruar t’u shpjegojmë këtyre udhën e drejtë. Në qoftë se me gjithë përpjekjen tonë, s’do mund të kuptojnë ose do të bëjnë sikur s’kuptojnë… të jenë të sigurt se puna ose lufta jonë do t’i eliminojë”.

“Historia e letërsisë shqipe”, botuar në dy vëllime më 1959, paraprihet nga një botim i vitit 1955, pak më bujar me autorët, që më pas do të ndëshkoheshin. Shuteriqi, kryeredaktor i këtij botimi, edhe i të tjerëve që do të pasonin e ‘justifikon’ këtë me urdhrin me shkrim të vitit 1946 për heqjen nga teksti i letërsisë të disa shkrimtarëve, mes tyre Fishta, Konica, Koliqi etj. Për këtë kishte folur qartë Enver Hoxha, disa muaj para se të zhvillohej Konferenca III e Lidhjes, teksa urdhëronte prerë: “Të mos merremi me diskutime boshe për autorë reaksionarë si Fishta, Koliqi etj. …”

Prej kohës kur At Gjergj Fishta u shpall “reaksionar” në Konferencën e Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve, në vitin 1949, trajtimi i tij në tekstet e “Historisë së letërsisë shqipe” ka pësuar oscilacione. Herë qëndrimi ndaj tij është tepër i ashpër dhe përjashtues, herë më tolerant dhe me tendenca përfshirjeje. Nëse do të krahasojmë tri tekste, dy zyrtarë dhe një i mbetur në bocet, do të vëmë re pikërisht këtë dukuri. Në tekstin e vitit 1959, hartuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, qëndrimi përjashtues ndaj Fishtës nuk lë shteg për nënkuptime. Edhe pse ai renditet si një ndër emrat më të rëndësishëm të kohës së vet, vepra e tij nuk bëhet objekt studimi. Në tekstin, që nuk e pa dritën e botimit, të vitit 1968 shohim një tentativë të qartë për ta rehabilituar figurën e Fishtës. Ndonëse autorët nuk harrojnë t’i përshtaten ideologjisë së kohës, duke mos ia kursyer epitetin “reaksionar”, vepra e tij merret në analizë dhe vihen në dukje gjithë vlerat e tij në lëmë të krijimtarisë, publicistikës, përdorimit të gjuhës, referimit ndaj folklorit, etj. Qëndrimi më radikal për të është ai në tekstin e “Historisë së letërsisë” së vitit 1983, ku emri i Fishtës përmendet vetëm si kundërpeshë për të ngritur imazhin e një figure tjetër të kohës së tij.

Të kursyer ndaj Fishtës janë treguar autorët e “Historisë së letërsisë” së vitit 1959. Në këtë tekst emri i tij vetëm përmendet tek-tuk, si pjesë e zhvillimeve letrare të kohës. Emrit të Fishtës, tek përmendet në radhën e “personaliteteve të fuqishme letrare”, nuk i kursehet etiketimi si “reaksionar”, por në këtë tekst do lexojmë të njëjtat ngjyresa negative dhe denigruese, që do t’i gjejmë me shumicë në një tekst të gati 25 viteve më vonë. Në tekstin e ’59-ës, Fishta renditet ndër emrat më të rëndësishëm të kohës:

“Është koha kur në letërsinë shqipe po duken disa personalitete të fuqishme letrare që lozin, kush më shumë e kush më pak një rol të dukshëm gjatë rilindjes, që po e ushtrojnë veprimtarinë e tyre të gjerë edhe në kohën e pavarësisë si Konica, Sqiroi, Fishta, Noli”.

Pavarësisht se qëndrimi ndaj Fishtës ishte i qartë, si pjesë e klerit katolik, që përkrahu pushtimin fashist të Shqipërisë, nuk i mohohet kontributi në letërsi dhe publicistikën e viteve të fundit të shekullit të XIX dhe fillim të XX.

Gjithnjë në dyzimin mes trajtimit të figurës së Fishtës sipas ideologjisë së kohës apo si një figurë e rëndësishme në letrat shqipe, herë-herë aktiviteti i tij apo i të tjera figurave të “përjashtuara” nga letërsia shqipe, kufizohet vetëm në disa interesa të ngushta lëvrimi, duke vënë në dukje dhe qëndrimet e tyre politike: “Një tjetër shkrimtar, Fishta, lidhej edhe ai pas politikës austriake. Idetë e Rilindjes ndër këta shkrimtarë kufizoheshin më shumë te puna kulturore, botimi i librave, përpunimi i gjuhës, zhvillimi i letërsisë. Kur ishte fjala për zhvillimin shoqëror të vendit… Konica merrte shpesh anën e feudalëve dhe të parësisë, Fishta dhe Sqiroi himnizonin, njëri jetën patriarkale të malësive të prapambetura, tjetri dyert feudale më reaksionare, apo me fashizmin Italian”.

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

Fjala+
Politika dhe gjuha angleze

Politika dhe gjuha angleze

Analiza
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kalo në kategori