LAJMI I FUNDIT:

Serwer: Pres që Vuçiq të mos ndërhyjë në procesin që po zhvillohet për vrasjen e Ivanoviqit

Serwer: Pres që Vuçiq të mos ndërhyjë në procesin që po zhvillohet për vrasjen e Ivanoviqit

Eksperti amerikan për Ballkanin dhe profesori i Universitetit të Uashingtonit “John Hopkins”, Daniel Serwer ka komentuar sot aktakuzat e ngritura ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Serwer ka thënë se “si do të reagojë Serbia ndaj informatës për ngritjen e kallëzimin penal për vrasjen e Oliver Ivanoviqit mvaret nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq”.

Pasi Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave dhe është duke kërkuar tre persona në arrati, nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, erdhi reagimi se, sipas tij, bëhet fjalë për një proces të motivuar politikisht.


Sidoqoftë, momentin aktual Serwer e sheh si një mundësi për bashkëpunim midis dy palëve [Prishtinës dhe Beogradit].

“Unë pres që Aleksandar Vuçiq do të ankohet, por shpresoj që ai të mos ndërhyjë në mbarëvajtjen e procesit dhe se do të bashkëpunojë në gjetjen e tre personave të mbetur, për të cilët është lëshuar urdhër arrest. Dhe ta kuptojë [Vuçiq] se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për përmbylljen e kësaj çështjeje. Është në autoritetin e Kosovës të zbatojë ligjin në territorin e saj, kurse për Serbinë e njëjta vlen në territorin e saj”, tha Serwer për Zërit të Amerikës.

Më tej ai ka thënë se kjo çështje mund të shkojë në dy drejtime.

“Kjo varet nga vullneti politik i Beogradit, dhe deri diku nga Prishtina. Por unë mendoj se vendimin, nëse kjo mund të përdoret si një hap në drejtimin e duhur, duhet  kërkuar në Beograd. Nëse ka prova të forta kundër gjashtë të arrestuarve, ata duhet të gjykohen në Kosovë – Beogradi është pajtuar me Marrëveshjen politike të vitit 2013. Kjo nuk është një temë për të cilën mund të diskutohet – është një premtim që Beogradi duhet ta plotësojë”, tha Serwer, përcjell Telegrafi.

Eksperti amerikan për Ballkanin gjithashtu tërhoqi vërejtjen se të dy palët kanë bashkëpunuar në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, sepse, siç tha ai, është të vështirë të imagjinohet që arrestimet e të dyshuarve mund të ishin kryer pa rezistencë të konsiderueshme në veriun e Kosovës.

I pyetur nëse mund të pritet ndonjë hap përpara në bashkëpunim, duke pasur parasysh se, sipas deklarimeve të mëparshme të zyrtarëve të Kosovës, njëri nga të dyshuarit kryesorë në këtë rast është Milan Radojçiq, një zyrtar i lartë i Listës Serbe, Serweri tha se “duhet të presim që ta shohim këtë”.

“Unë mendoj se bashkëpunimi duhet të ekzistojë dhe ai tashmë ekziston. Do të shohim se sa larg mund të shkojë kjo në rastin e Radojçiq”, shtoi ai.

Ai tha se shpreson që, nëse do të kishte pasoja të aktakuzës së ngritur, ato do të jenë pozitive.

“Të dy palët do të bashkëpunojnë në përpjekjet e tyre për të dënuar vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Ka ardhur koha që drejtësia të shkojë në vend”, tha Serwer.

Prokuroria lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq
Lexo po ashtu Prokuroria lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave e N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B, lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Përpos aktakuzës, Prokuroria Speciale po ashtu ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Milan Radojçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, të cilët gjenden në arrati.

Lista Serbe ka reaguar sot pas ngritjes së aktakuzës ndaj gjashtë personave të dyshuar lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Aktakuza për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Lista Serbe: Tërheqje e vëmendjes nga Specialja
Lexo po ashtu Aktakuza për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Lista Serbe: Tërheqje e vëmendjes nga Specialja

Kjo parti, e cila ka mbështetjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, vlerëson se ngritja e këtyre aktakuzave me ‘qëllimin për të larguar vëmendjen e publikut në Prishtinë nga puna e Gjykatës Speciale’.

Oliver Ivanoviq ishte kryetar i Iniciativës qytetare serbe “Liria, Demokracia, Drejtësia”.

Ai u qëllua për vdekje pranë zyrës së tij në Mitrovicën e Veriut, në janar të vitit 2018.

Në gusht të këtij viti, ministri në detyrë i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, ka thënë se i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit është Millan Radoiçiq, nënkryetar i subjektit politik serb Lista Serbe. /Telegrafi/