LAJMI I FUNDIT:

Osmani përsërit sërish: Shtetin e kapur do t’ia kthej qytetarëve

Osmani përsërit sërish: Shtetin e kapur do t’ia kthej qytetarëve

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar edhe një herë sot se shtetin e kapur, siç u shpreh ajo nga partitë në pushtet, do t’ia kthejë qytetarëve.

Këtë mesazh ajo e dha nga objekti i Lidhjes së Prizrenit, ku pati një tubim me qytetarët e kësaj ane.

Osmani duke aluduar në partitë që kanë qeverisur në këto dy vjet, u shpreh se ata mbjellin frikë, ndërsa LDK ofron shpresë. Ndërkaq, për pretendimet për çkapjen e shtetit, ajo tha se ky mesazh buron nga thellësia e zemrës të qytetarëve.


“Mesazhi ynë nuk është retorikë, mesazhi ynë buron nga thellësia e zemrës të secilit qytetar, buron nga trishtimi i nënës, dëshpërimi i secilit të ri dhe ai mesazh është që shtetin e kapur nga partitë në pushtet t’ia kthejmë qytetarëve dhe pikë. T’ua kthejmë juve përfundimisht”, tha Osmani.

Ndërkaq, për deklaratat se ‘Vjosa nuk ka guxim’, ajo tha se guximin e saj e dëshmon deklarata se nuk ka qenie më të fortë se një nënë.

“Mbajeni mend një gjë, e në veçanti ju nëna, ju vajza, nuk ka qenie më të fortë se sa një nënë, nuk ka. Këtë e di secili që s’ka më të fortë se nënat”, tha ajo.

Kandidatja për kryeministre të Kosovës tha se partia e saj e ka guximin edhe dijen, teksa theksoi se miqtë ndërkombëtarë mund t’i mbajnë vetëm ata.

“Ne përballemi me mend, me dije. Ne e kemi qëndrueshmërinë se lufta jonë me Serbinë është fituar me mençuri dhe miqtë. E ata miq mund t’i mbajmë vetëm ne, e kemi dëshmuar në vitet e 90-ta dhe do të dëshmojmë sërish”, tha ajo.

Për të rinjtë që po ikin, ajo iu premtoi dinjitet në punë, teksa tha se ata nën mandatin e saj do të punojnë vetëm 8 orë punë dhe jo më shumë.

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni tha se populli është në kërkim të gjakut të Ibrahim Rugovës dhe sipas tij, Vjosa Osmani e ka gjakun e tillë.

“Gjakut të Ibrahim Rugovës, e cila është rritë në këtë familje, familjen e Kosovës, shqiptarëve, të LDK-së, Vjosa Osmani”, tha ai.

Ndryshe, menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës për kryeministre nga ana e LDK-së, Vjosa Osmani ka nisur përgatitjen për fushatë zgjedhore duke takuar qytetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj  për shkak të ftesës nga Specialja, do të mbahen më 6 tetor, derisa më 25 shtator do të fillojë fushata, e cila do të zgjasë dhjetë ditë./KP/