LAJMI I FUNDIT:

PSD vija të kuqe për koalicion parazgjedhor me PDK-në, e hapur për partitë e tjera

PSD vija të kuqe për koalicion parazgjedhor me PDK-në, e hapur për partitë e tjera

Partia Socialdemokrate është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme. Kjo parti është duke u përgatitur brenda strukturave për zgjedhje.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, në një deklaratë për Telegrafit ka thënë se janë të hapur për koalicione.


“Ne jemi organizuar. Strukturat, organet, të gjithë jemi duke u përgatitur për zgjedhje. Pra jemi gati për zgjedhje. Jemi të hapur të takohemi dhe të dakordohemi me partitë e tjera për bashkëpunime apo koalicione eventuale”, ka thënë ajo.

Mirëpo, jo të gjitha partitë do ta kenë mundësinë që të bëjnë koalicionë parazgjedhor me PSD-në, pasi që kjo parti ka vija të kuqe.

“Vijë të kuqe për koalicion parazgjedhor kemi me Partinë Demokratike të Kosovës. Madje këtë e kemi deklaruar edhe më herët. Ndërsa siç e thash edhe më parë për partitë tjera jemi të hapur, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje”, është shprehur ajo.

Zgjedhjet e parakohshme, do të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj ka dhënë dorëheqje pas ftesës që ka pranuar për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ai para mediave ka thënë se dorëheqje ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë.

“Sot informova Qeverinë do t’i informojë edhe institucionet tjera për dorëheqjen time të parevokueshme. Arsyeja është se kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, javën tjetër do të paraqitem në Gjykatën Speciale, dhe kam vlerësuar së nuk mund të paraqitem si kryeministër i Kosovës, por do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Haradinaj sot ka udhëtuar drejt Hagës./Telegrafi/