LAJMI I FUNDIT:

Këshilli i Prindërve në Prishtinë jep sqarime rreth pjesëmarrjes në garat e diturisë

Këshilli i Prindërve në Prishtinë jep sqarime rreth pjesëmarrjes në garat e diturisë

Këshilli i Prindërve i Prishtinës ka reaguar lidhur me planifikimin e mbajtjes së Garës së Diturisë për nxënësit e moshës 7 vjeç.

Në reagimin e tyre thuhet se ata janë kundër kësaj gare të planifikuar të mbahet më 11 maj 2019.

Këshilli i Prindërve të Prishtinës, edhe ditë më parë ka dalë me qëndrim se mbajtja e garave të diturisë, që është planifikuar të mbahen të shtunën në disa lëndë, është ngarkesë e paarsyeshme, me efekte negative për fëmijët dhe stres i tepërt që nuk justifikon mjetin e as qëllimin, raporton Koha Ditore.


Këto gara janë organizuar nga koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti.

Reagimi i plotë:

Sqarim shtesë për Garën e Diturisë

Këshilli i Prindërve i Prishtinës ka pranuar kërkesa dhe ankesa të shumta të prindërve që janë kundër Garës së Diturisë (në formë të testimit), e planifikuar të zhvillohet më 11 maj 2019.

Ndjehemi të obliguar të bëjmë një sqarim për të gjithë prindërit, i cili sqarim qartësisht ka munguar nga organizatori (Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport) por edhe nga drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit (me aq sa kemi informacion).

I sqarojmë të gjithë prindërit se pjesëmarrja e fëmijëve në këtë garë nuk është e obligueshme! Në të mund të marrin pjesë fëmijët me vetëdëshirë. Këshillojmë të gjithë prindërit, që në konsultim me fëmijët e tyre, të vendosin për pjesëmarrjen ose jo në garë.

Ne vazhdojmë t’i përmbahemi qëndrimit tonë se gara si e tillë (në ditë pushimi, me 120 minuta dhe katër lëndë për fëmijë prej 7-vjeç) nuk është aspak e arsyeshme dhe e pranueshme. /Telegrafi/