LAJMI I FUNDIT:

Opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë

Opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë

Lidhja Demokratike e Kosovës po synon të rrëzojë Qeverinë Haradinaj në mënyrën e njëjtë si e humbi mandatin Qeveria e Isa Mustafës më 10 maj të vitit të kaluar.

Mocioni i votëbesimit është mënyra që LDK ka zgjedhur t’i shprehë pakënaqësitë ndaj kabinetit qeveritar të drejtuar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në këtë pikë LDK ka mbështetjen edhe të ë partisë tjetër opozitare Lëvizjes Vetëvendosje.


Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu ka bërë të ditur se nuk janë larg mocionit të mosbesimit për rrëzim të Qeverisë me qëllim që vendin sa më shpejt ta dërgojnë drejt zgjedhjeve.

“Është një disponim i mirë i të gjitha organeve dhe mekanizmave të LDK-së që të punojmë bashkërisht drejt rrëzimit të kësaj Qeverie sa më shpejt që është e mundur. Ne do të punojmë sigurisht edhe me subjektet tjera politike në mënyrë që ta përgatisim edhe një mocion sa më shpejt edhe vendin ta qojmë kah zgjedhjet për arsye se ju e dini se qëndrimi i Lidhjes Demokratike konsistent gati prej fillimit të vitit është që vendi është në krizë edhe politike edhe institucionale”, ka thënë Veliu.

E derisa Veliu është treguar optimist se do gjejnë përkrahje për rrëzimin e Qeverisë aktuale edhe nga partitë brenda koalicionit qeverisës, një gjë të tillë e mohojnë zyrtarë të Nismës Socialdemokrate.

Shefi i GP të këtij subjekti, Bilall Sherifi përjashtoi një mundësi të tillë që deputetë të Nismës të votojnë mocionin e mosbesimit, veçanërisht pa marrë një kërkesë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, më pas është Kryesia ajo që e merr vendimin nëse duhet mbështetur mocionin ose jo.

“Ne nuk mund të jap qëndrime për çështje të cilat fliten në media pa një kërkesë zyrtare. Nuk kemi kërkesë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht nuk ka z. Limaj. Kur të vijë kërkesa zyrtare do të merr përgjigjen zyrtare. Unë personalisht nuk mendoj se është koha për zgjedhje të parakohshme. Nuk mendoj se duhet t’i ndërpritet mandati Qeverisë. Nëse Kryesia e partisë nesër do të mendonte ndryshe, natyrisht se unë do t’i bindesha vendimit të Kryesisë”, tha Sherifi.

Por dy partitë tjera opozitare Vetëvendosje dhe PSD nuk duket se janë të interesuara për mocionin e LDK-së.

Këto dy parti që deri dje kanë qenë bashkë gjuajknë akuza ndaj njëra-tjetrës se nuk janë të interesuara për ta rrëzuar Qeverinë.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë për KosovaPress se në këtë sfond politik, është vetëm Partia Socialdemokrate ajo e cila  e ka ‘përnime’. Sipas tij, tendencat e të tjerëve kanë karakter elektoral.

Madje ai pati një rekomandim se kujt duhet t’i shtrohet kjo pyetje.

“Mendoj se kjo pyetje duhet me iu bë subjekteve tjera opozitare. Ne jemi të vetmit që kemi vepruar në këtë drejtim. Ne i kemi dorëzu nënshkrimet, në fillim të korrikut. Do të thotë ne, nënshkrimet e PSD-së i kemi dhënë, tjerët nuk kanë dhënë nënshkrime. Kjo beteja mediale që bëhet për të treguar se PSD-ja nuk është për këtë, përveç se është një rrenë e shpifur, është një argument i kot. I vetmi subjekt i cili ka dorëzuar formalisht nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, është PSD-ja. As LDK-ja nuk e ka nënshkru, as VV-ja, askush tjetër nuk e ka nënshkru, e qe besa edhe Alternativa janë shprehur të gatshëm që ta nënshkruajnë… 8’49” Asnjë iniciativë të PSD-së nuk e kanë përkrahë, ndonëse iniciativat tona që të gjitha kanë qenë goditëse për Qeverinë dhe për Presidencën”, tha ai.

E këtyre akuzave të PSD-së i është përgjigjur Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja Albulena Haxhiu thotë se kanë kërkuar vazhdimisht bashkëpunim opozitar për rrëzimin e Qeverisë, porse ka shtuar se ishte pikërisht PSD-ja që e bllokoi bashkëpunimin, duke e legjimituar Qeverinë Haradinaj.

Sa i përket mocionit të votëbesimit për të rrëzuar Qeverinë, ajo thotë se janë në bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ky është një bashkëpunim i përbashkët ndërmjet Vetëvendosjes dhe grupit parlamentar të LDK-së. Mirëpo deri tek rrëzimi i Qeverisë, natyrisht se duhet të ndërmerren mekanizma të tjerë brenda Kuvendit. Dhe një ndër mekanizmat e përbashkët ka qenë edhe pamundësimi i kuorumit brenda Kuvendit. Mirëpo, që këtij vendimi opozitar nuk i është bashkuar edhe një grup tjetër siç është PSD-ja. Ata shkonin aty për t’ia bërë kuorumin Qeverisë Haradinaj dhe natyrisht që Qeveria me votat e tyre i kalonin projektligjet. Mendoj se duhet të ketë një kombinim përbrenda Kuvendit dhe jashtë Kuvendit për kërkesën për rrëzimin e Qeverisë. Unë jam e bindur se Qeveria Haradinaj i ka ditët e shkurtra. Mirëpo se si do të vjen deri tek zgjedhjet mbetet të shihet për shkak të rrethanave në vend”, tha Haxhiu.

E këtë tentim të LDK-së, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi po e quan lojë të opozitës, pasi që është shprehur i bindur se as LDK, as VV dhe as PSD-ja nuk janë të interesuara që njëmend të shkojnë në zgjedhje.

Sipas tij, Qeveria është kah i kryen të gjitha punët e veta, dhe kjo qasje e opozitës vetëm sa e përçan këtë të fundit edhe më shumë.

“Konsideroj se është lojë e opozitës sepse janë shumë me diversitet për shkak se ne kemi të bëjmë me iniciativë me nënshkrime nga ana e PSD-së, e cila iu ka dërguar dy partive tjera opozitare. Në tjetrën anë kemi kërkesë për mocion nga LDK, që është e njëjta çështje dhe po ashtu protestën e Vetëvendosjes, që në fakt që të tria bëjnë lojë në mes vete… 2’25” Atë ditë që t’i kenë votat, le t’i qesin. Është opsion i mundshëm i opozitës gjithmonë. Por unë si po e shoh është lojë sepse as ata nuk janë për zgjedhje  për shkak se kanë probleme edhe brenda substancës së tyre. Ata duhet njëherë t’i forcojnë partitë e tyre, pastaj të mundohen të rrëzojnë Qeverinë”, thotë  Isufi.

Të gjitha partitë opozitare në Kuvend gjithsej i kanë 57 vota. Ndërsa opozitës i nevojiten 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë. /Telegrafi/