LAJMI I FUNDIT:

Sa është i mundur kompromisi Kosovë-Serbi për marrëveshjen finale?

Sa është i mundur kompromisi Kosovë-Serbi për marrëveshjen finale?

Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përcaktuar si pikë të rendit të ditës platformën e qeverisë së Kosovës, e cila e parasheh fundin e dialogut me Serbinë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

E përmes një marrëveshje finale me Serbinë, që është normalizimi i plotë i raporteve, Kosova synon të sigurojë heqjen e pengesave të krijuara për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat tjera ndërkombëtare.

Për të hyrë në këtë fazë finale të dialogut dhe për ta arritur këtë marrëveshje me Serbinë, në Kosovë po kërkohet një “Grup Uniteti”, ku do të përfshihej edhe opozita. Grupi do të kryesohej nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.


Mirëpo akoma pa u diskutuar në Kuvend, kjo platformë u kundërshtua nga partitë politike opozitare, shkruan Deutsche Welle.

Është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) partia më e madhe opozitare që nëpërmjet një deklarate për medie, tha se “Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz, me pretendime jokushtetuese dhe si të tillë nuk do ta votojë”.

“LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës. LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Edhe partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosja është shprehur kundër platformës së qeverisë për bisedime me Serbinë, ku fazën finale do ta udhëhiqte Presidenti Hashim Thaçi. E ky i fundit, po ashtu edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, janë pajtuar që duhet hyrë në fazën finale të dialogut me gjasë me një “kompromis” me Serbinë, por nuk jepen detaje se për çfarë “kompromisi” është fjala.

Kryeministri i Ramush Haradinaj, tha se Kosova do të pranojë pajtimin me shtetin e Serbisë në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, por sipas tij, Kosova nuk i harron krimet e bëra nga Serbia.

“Njohja e Kosovës nga Serbia, por, çka mund të japë Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, Kosova nuk ka çka jep tjetër. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalohet mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuale, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush mund të jap. Nuk po themi me harru, nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje të Kosovës nga Serbia. A është ky viti për këtë, nuk mund të ngutem të them se po, por për këtë ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-së”, tha kryeministri Ramush Haradinaj në një tubim të partisë së tij.

Haradinaj nuk ishte në gjendje të thotë nëse gjatë këtij viti do të ndodhë një marrëveshje pajtimi me Serbinë.

Ndërkohë, mediet në Serbi shkruajnë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tashmë e ka “refuzuar” një plan amerikan për Kosovën, duke e cilësuar atë si të padinjitetshëm.

Mirëpo ky plan nuk është konfirmuar nga Vuçiçi ndonëse vet Presidenti i Serbisë disa herë ka deklaruar se “propozimin e bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës tashmë e ka në tavolinë”.

Kosovës dhe Serbisë, në katër shtylla u është paraqitur marrëveshja historike:

  1. Asociacioni i Komunave serbe bëhet me kompetenca të gjëra dhe me kompetenca të shtuara në fushën e shëndetësisë, arsimit e kulturës.
  2. AKS do të jetë i lidhur ngushtë me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës që do të vinte nga radhët e komunitetit serb.
  3. Beogradi pritet t’i mundësojë Kosovës hyrjen në organizatat ndërkombëtare, para së gjitha në OKB.
  4. Nëse pala serbe pranon këtë pako, Serbisë do t’i mundësohej hyrja në BE, e SHBA-ja do t’i garantonte asaj përkrahje ekonomike e diplomatike në arenën ndërkombëtare”, shkruan e përditshmja serbe Vecernje Novosti.

Sa është i mundur kompromisi?

Por sa është i mundshëm në këto rrethana kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të arritur në një marrëveshje finale pajtimi? Blerim Burjani, analist politik i tha DW-së, se synimet e palëve tashmë dihen, Kosova synon vend në OKB dhe në fund njohje nga Serbia, ndërsa, kjo e fundit përmes Asociacionit të Komunave Serbe kërkon hise brenda territorit të Kosovës.

“Tash kompromisi është problematik për të dy palët. Kosova nuk mund të copëzohet dhe të jetë shtet jo funksional, edhe pse Serbia pretendon që asociacioni të jetë plotësisht i pavarur nga institucionet e Kosovës”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, Serbia ka për qëllim që ta copëzojë teritorialisht Kosovën nëpërmjet Asociacionit dhe kjo ndodh më vonë nëse pala kosovar e pranon me këto kushte “marrëveshjen historike me Serbinë”.

“Serbia e dëshiron një ndarje të butë, si një variant, ku serbët do të kenë trajtim si entitet juridik i veçantë, siç është përcaktuar edhe nga grupi i punës për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe. Në të vetë serbet caktojnë në mënyrë të pavarur vullnetin e tyre statusor pa ndikim nga Prishtina. Nga ana tjetër, Kosova ka kërkuar që këtë statut ta kontrollojë dhe mbikëqyrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, edhe ashtu Serbia ka avantazh në këtë temë si propozues, pastaj i mbetet Kosovës të deklarohet për këtë e që politikanët e Kosovës kësaj teme i ikin politikisht duke ia dërguar Gjykatës Kushtetuese për ta hequr qafe debatin për “tradhti” dhe gjëra tjera. Pra, kompromisi me Serbinë në këto rrethana duket i pamundshëm”, thotë Blerim Burjani.

Një analist tjetër nga Beogradi, Kryetari i Këshillit drejtues i Forumit për Marrëdhënie etnike Dushan Janjiq, ka vlerësuar se komunikimi i deritashëm i drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk duket se po jep rezultate.

“Vendet e QUINT-it, që janë (SHBA-së, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia) qartë nuk janë për lojën e gjatë politike. Ato qartazi kanë mendim dhe po i afrohen qëndrimit se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet, pa marrë parasysh nëse Serbia dhe Kosova shkojnë ose jo drejt Bashkimit Evropian”, citojnë mediet në Serbi, Dushan Janjiqin.

Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve. Nga ajo kohë u nënshkruan një sërë marrëveshjesh, por disa nga to akoma nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. Për fundin e këtij muaji është thënë se do të vazhdojë dialogu i nivelit të lartë politik, por akoma nuk është caktuar një datë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin Ruis de Gordehuela, tha sot se “BE është në kontakt të përhershëm me të dyja palët dhe do të vazhdojmë me bisedimet në Bruksel sa më parë që të jetë e mundur”. Por Gordehuela nuk saktësoi ndonjë datë. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Siguri
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Kronika e Zezë
Kalo në kategori