LAJMI I FUNDIT:

Rruga nacionale Kaçanik-Hani i Elezit në pritje të raportit të Bechtel & Enkas

Rruga nacionale Kaçanik-Hani i Elezit në pritje të raportit të Bechtel & Enkas

Ministria e Infrastrukturës kishte nxjerr një vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në rrugën nacionale Kaçanik-Hani i Elezit, deri në një afat të pacaktuar pasi kishe rreziqe nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha për Telegrafin se janë duke e pritur një raport nga kompania Bechtel & Enka për shpimet dhe matjet lidhur me rrëshqitjen e dheut.

“Aktualisht jemi duke e pritur raportin e Bechtel & Enkas për shpimet dhe matjet lidhur me rrëshqitjen e dheut. Pasi që të pranohet ky raport atëherë do të merren hapat konkret lidhur me rrugën. Për momentin si rrugë alternative është ajo në drejtim të pikës doganore të Glloboqicës”, tha për Telegrafin, Kadriu.


Zëdhënësja e Bechtel & Enka, Ela Ruçi, tha për Telegrafin se inxhinierët janë duke punuar në terren.

“Inxhinierët e Bechtel&Enkas janë duke punuar në terren dhe ne jemi duke bërë të pamundurën që ky aks të lëshohet në qarkullim”, tha për Telegrafin, Ruçi.

Ajo tregoi se është në interesin e qytetarëve që sa më parë të lëshohet në qarkullim kjo rrugë.

“Bechtel & Enka është duke i ndihmuar Qeverisë së Kosovës lidhur me matjet që lidhen më rrëshqitjen e dheut në këtë rrugë. Nuk ka kosto shtesë, kjo është sikurse edhe herëve të tjera që i kemi ndihmuar Qeverisë. Është në interesin e qytetarëve që sa më parë të lëshohet në qarkullim kjo rrugë”, tha Ruçi.

Ndalimi i qarkullimit në rrugën nacionale bllokon Kaçanikun
Lexo po ashtu Ndalimi i qarkullimit në rrugën nacionale bllokon Kaçanikun

Ndryshe, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka thënë se qytetarët e kanë shprehur shqetësimin e tyre me një protestë edhe pse kishin pasur premtime nga Ministria e Infrastrukturës se do të bëhet një zgjidhje me hapjen e një rruge alternative.

“Kaçaniku dhe disa komuna të vogla janë lënë anash. Ka qenë një shqetësim i qytetarëve pasi është mbyllur rruga pa ndonjë rrugë alternative. Të dielën me dy zyrtarë të ministrisë kemi ecur në këmbë nga ajo zonë dhe na është premtuar që shumë shpejt do të na bëhet zgjidhja, e deri tash asgjë nuk është bërë”, ka thënë Ilazi. /Telegrafi/