Një qytet i vogël i Shqipërisë, i hapi dyert për një vepër të madhe skulpturore. Në Librazhd dy koka shpërfaqin dhembjen dhe të vërtetën e një kohe të ligë – fatin e poetëve nën diktaturë. Vepra me vlera të mëdha artistike, “Dy poetët martirë”, është punuar nga profesori dhe mjeshtri i skulpturës, Sadik Spahija.
Komunizmi imponoi edhe rrjedhat artistike. Nga viti 1945 e deri në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar, realizmi socialist (socrealizmi) idealizonte komunizmin, emancipimin e proletariatit, heronjtë e luftës dhe të klasës punëtore. Shteti i parë komunist që hoqi dorë nga kjo doktrinë, më 1952, ishte Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Pra, socrealizmi, për dallim nga Shqipëria, nuk zbatohej në Kosovën dikur si pjesë e kësaj Federate jugosllave.
Por, mbas luftës së fundit të shqiptarëve të Kosovës, më 1999, këtë vend e vërshuan përmendoret e punuara pa shije, keq, dhe në stilin socrealist që nuk përkojnë fare me të trendet e sotme. Në shumë raste nuk janë respektuar as rregullat e anatomisë së trupit të njeriut, siç është ndër të tjera rasti me statujën e Bill Clintonit në Prishtinë apo atë të Adem Jasharit në Malishevë.
Për dallim nga ky realitet sa diletant aq edhe qesharak, vepra “Dy poetët martirë” shpërfaq estetikën dhe modernen: dy koka të dy emrave me vlerë në letrat shqipe, të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Ata u ndanë nga jeta me dhunë më 17 korrik 1977, kur pushkatohen nën akuzat për sabotim ekonomik, përmbysje të pushtetit popullor dhe për agjitacion e propagandë.
Sadik Spahija, që konsiderohet si një nga skulptorët më të mëdhenj bashkëkohor shqiptar, shmang patetizmin në veprën e tij. Ai krijon kokat e prera si monument. Sepse, në fakt ishte koka e poetëve, talenti dhe dija që nuk i donte regjimi. Këto koka që rrethohen nga uji, shpërfaqin edhe shterpësinë shpirtërore të një sistemi, që ekzekuton pa mëshirë dhe që poezinë, pra të bukurën, e përdor si akuzë. Blloshmi kishte shkruar poezinë “Saharaja”. Sipas regjimit komunist, me këtë poezi ai paraqiste Shqipërinë si shkretëtirë, bosh, pa miq e pa shokë.
Sadik Spahija u lind më 1959 Shkodër. Më 1983 diplomon në Tiranë, për Skulpturë. Në vitet 1983-1989 jep mësim në Liceun Artistik “Prenk Jakova” të Shkodrës, ndërkaq nga viti 1989 emërohet profesor në Akademinë e Arteve të Tiranës. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita individuale dhe kolektive, si në vend ashtu edhe në botë. Është fitues edhe i shumë çmimeve të rëndësishme. Veprat e tij shihen në Shkodër (Monumenti “2 prilli”), në Peshkopi (shtatorja e Skënderbeut, monumenti “Të persekutuarit politikë”, bustet e Elez Isufit, Dom Nikollë Kaçorrit dhe Haxhi Vehbi Dibrës), në Tushemisht të Pogradecit (Teta Olga), në Lezhë (shtatorja e Ndre Mjedës), në Tuz të Malit të Zi (shtatorja e Nënës Tereze), dhe në disa basorelieve të Tiranës…
Një vepër e tij gjendet edhe në Zym të Hasit. Fjala është për shtatoren e Shtjefën Gjeçovit. Për këtë vepër që gjendet në Kosovën e sotme “socrealiste”, shumë njohës të artit thonë: “Në një qosh të shtetit më të ri të Evropës, është vënë skulptura më e mirë e Kosovës së pasluftës”.
Spahija është kritik ndaj zhvillimeve artistike, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë. Thotë, si me ironi, se “Saharaja” e Blloshmit sot pasqyrohet më shumë në shterpësinë kreative të shqiptarëve. Sipas tij, as Shqipëria e as Kosova nuk po dëshmojnë se kanë sens për veprat e artit në hapësira publike, ndaj kemi shumë pak vepra që jetojnë gjatë dhe që mbesin si vlerë edhe në të ardhmen. Për këtë kritikon edhe konkurset për veprat e artit dhe komisionet pa integritet.
“Nuk vihet skulptura dosido. Veprat e artit formësojnë brezat që vijnë. Këtë duhet ta dijë Shqipëria dhe Kosova”, thotë Spahija.
Sipas tij, vepra e artit në hapësirat publike është nevojë e një kohe e jo vetëm produkt i kërkimit të artistit.
“Njerëzit që zotërojnë hapësirat publike në pikëpamje administrative – bashkia apo shteti – kanë autoritet dhe mundësi të ndërtojnë organizma profesionalë me shumë akterë, që nga formimi i komisioneve gjithëpërfshirëse publike me profesionistë të shumë fushave – duke filluar nga antropologjia, historia, sociologjia, psikologjia e deri te urbanisti e arkitekti – të cilët me platforma dhe vendimmarrje identifikojnë nevojat e duhura. Këtu duhet të përfshihet edhe bashkëbisedimi me komunitetin ku vendoset vepra, sepse që në start i jepet asaj ndërlidhja që duhet të ketë me shoqërinë, me kohën, me personazhin apo ngjarjen së cilës i dedikohet. Në këtë mënyrë, artisti që realizon veprën hyn në marrëdhënie dhe ndërton një dialog vital që i jep veprës atë që është e domosdoshme: bashkëkohësinë dhe jetëgjatësinë”, shprehet Spahija, duke shtuar se këta faktorë nuk veprojnë në shoqërinë shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. “Për më keq, ka përherë ndërhyrje politike, ndërhyrje këto që krijojnë nguti në realizimin e veprave e që i përshtaten veç politikave të përkohshme”!
Kur është fjala te skulpturat e pasluftës në Kosovë, profesori Spahija thotë se shumica dërrmuese janë realizime amatore, që shpërfaqin anën më të dobët të socrealizmit të Shqipërisë. Për këtë prapë faj ka vendimmarrja nga e cila përfitojnë diletantët:
“Socrealizmi shqiptar u shfaq në mënyrën më të shëmtuar në Kosovë. Skulpturat u bënë si depo armatimesh e jo si kushtime të vërteta të idealeve të luftës. Për dallim nga Shqipëria që dikur kishte vepra profesionale socrealiste, në Kosovë kanë realizuar vepra pjesa më e dobët e skulpturës shqiptare. Ata që donin të përjetësonin idealet, njerëzit e luftës, vendosnin se si duhet të jetë vepra. Dhe, gjenin lehtë njerëz që ishin të gatshëm në mënyrë servile t’ju përshtateshin kërkesave të tyre. Kështu, shumica dërrmuese e skulpturave në Kosovë nuk janë bartëse të vlerave të luftës. Ne në to shohim njerëz të armatosur, por jo ata luftëtarë të rinj e as zemrën e një populli që donte lirinë. Pra, te to nuk identifikohet forca shpirtërore që mundi Goliatin, por një shpërfytyrim realiteti – një ushtri që ta krijon përshtypjen që ishte e armatosur deri në dhëmbë, ndaj dhe e pati të lehtë luftën dhe fitoren ndaj Serbisë”!
Spahija vitin e kaluar hapi ekspozitën ”Vox Machina” – art i krijuar nga mbetjet industriale të komunizmit. Teksa në Kosovë skulptura anon në mënyrën më të keqe kah trendët e kaluar, objektet e destinuara të shkojnë për skrap Spahija i transformoi në art: u dha zë duke i shndërruar në instrumente muzikore.
“Megjithëse çdo objekt ka karakteristika të qarta skulpturore, ato mund të kuptohen vetëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin”, ka thënë kuratori Edi Muka për këtë mega-ekspozitë në të cilën kontribuuan edhe artistë të imazhit, lëvizjes e tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci dhe Rosella Pellicciotti.
Ekspozita e tillë unike që kërkon vite për t’u realizuar, flet për mënyrën sesi ne e konceptojmë dhe ndërtojmë jetën, sesi sillemi karshi njëri-tjetrit e sesi reagojmë ndaj mjedisit që na rrethon. Në aspektin e artit, këto instrumente në realitetin shqiptar mund të simbolizojnë më shumë zhurmën se harmoninë, më shumë gënjeshtrën e jo të vërtetën.
Por, e vërteta është ajo që intrigon Spahinë. Ndaj, me “Dy poetët martirë” ndër të tjera shpërfaq edhe vrasjen e fjalës së lirë.
“Fatkeqësisht, ne ende nuk jemi çliruar nga kjo dhunë politike, nga shtrembërimi i realitetit”, thotë ai.
Spahija shton se politika, ekonomia apo sektorë tjerë të dështuar – qoftë në Kosovë apo në Shqipëri – përpiqen të mos i krijojnë mundësi artit shqiptar të finalizojë përpjekjet drejtë hapësirave evropiane.
Megjithatë, artisti që ka ekspozuar në shumë qendra evropiane, nuk dyshon në potencialin e shqiptarëve për të krijuar. Por, për këtë duhet angazhim kolektiv, për të mirën e përgjithshme.
“Historia e artit është historia e popujve të fuqishëm. E mira është që edhe popujt e vegjël e duan artin dhe që edhe nga ta dalin artistë me vlerë. Por, fatkeqësia e tyre, si në rastin e shqiptarëve, është se lindin në kohë të gabuar – ku sundojnë njerëzit e gabuar”., thotë Spahija. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=Fv-FqIRpAXg
https://www.youtube.com/watch?v=b1IUzhsv6qs
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje