LAJMI I FUNDIT:

Shënimet e kronistëve dhe historianëve osmanë, për Skënderbeun dhe familjen Kastrioti

Shënimet e kronistëve dhe historianëve osmanë, për Skënderbeun dhe familjen Kastrioti

Ilmi Veliu

Veprat e kronistëve dhe historianëve të hershëm osmanë, ndonse janë shkruar nga autorë që në shumicën e tyre ishin historiografë zyrtarë e që mbanin një pozitë armiqësore ndaj shqiptarëve, jemi të detyruar të pranojmë se në shumë drejtime ata na japin të dhëna me një vlerë shumë të madhe sa i përket Skënderbeut, Kastriotëve dhe origjinës së tyre shqiptare, të cilat të dhëna nuk i hasim në burimet e autorëve tjerë joosmanë. Autorët e këtyre veprave, mgjithëse nga një anë vënë në dukje sulltanët dhe komandantët turq si figura që kanë luajtur rolin vendimtarë në zhvillimin e ngjarjeve, nga ana tjetër duke shkruar në bazë të kujtimeve të veta ose të tregimeve të atyre që i kanë jetuar ngjarjet, zgjerojnë rrethin shoqërorë të pjesëmarrësve në këto ngjarje dhe japin njoftime shumë të sakta edhe për heroin kombëtar të shqiptarëve-Skënderbeun po edhe për masat popullore shqiptare.

1. Oruç Bin Adil


Është autor i njërës nga historitë më të vjetra të shtetit osman “Tevari el Osman” (Historitë osmane). Dorëshkrimet e Oruçit, të gjetura në Oksford dhe në Kembrixh, janë botuar nga Franc Babinger, “Die Fruhosmanicshen Jaherbucher des Urudsch”, Hanover 1925. E para është një histori në formë të përmbledhur (Icmai tarihi) kurse e dyta është e hollësishme (Mufassal tarihi).

Uruç bin Adil kur shkruan për betejat e shumta kundër Skënderbeut, në faqe 96 të veprës së tij nuk e përmend Rumelinë, si që quhej pjesa evropiane e Perandorisë Osmane, por potencon shumë qartë se sulltani shkoi të luftonte kundër Iskendert që kishte ngritur krye në tokat shqiptare, ose vendin e shqiptarëve (Arnavud ilinden) dhe jo në Greqi, Maqedoni ose në Serbi.

Në faqe 115, tokat shqiptare Oruçi i përmend edhe si Vilajeti i Shqiptarëve (Arnavud vilajetine). Ai thotë se “Ali Beu, i biri i Evrenoz Beut mblodhi ushtrinë dhe akinxhinjtë e Rumelisë dhe hyri në vilajetin e shqiptarëve, për tëluftuar kundër Iskenderit…”!

Në faqe 121 thotë se “Sulltan Murati II dërgoi akinxhinjtë kundër vilajetit të shqiptarëve për të pushtuar kështjellën e Sfetigradit. Sundimtari shqiptar Iskenderin nuk e gjetën…”. Në origjinal është “Arnavud begi Iskender” ku potencohet shumë qartë se Iskenderi ishte sundimtari i shqiptarëve dhe jo i serbëve, bullgarëve, grekëve, boshnjakëve, hungarezëve, popuj të cilët po ashtu ishin në luftë me sulltanin në kohën e Skënderbeut.

Në faqe 123 Oruçi potencon se “Sulltan Murati II zbriti në vilajetin e Juvanit (Gjon Kastriotit), e plaçkiti dhe sulmoi Krujën (Akçe Hisar), por nuk mundi ta pushtonte atë”. Nga kjo kuptojmë se përveç “Juvan Ili” (tokës së Gjonit ose vilajetit të Gjonit) ka pasur edhe principata tjera shqiptare e që përmenden si Vilajeti i Shqiptarëve (arnavud vilajeti).

2. Kronikat anonime osmane

Është fjala për veprën me titull “Tevarih El Osmaan” e cila përmbledh një numër të shumtë kronikash anonime të shkruara në fund të shekullit XV dhe fillimi i shekullit XVI. Këto kronika janë analizuar dhe botuar nga Franc Giese, me titull: “Die altosmanischen anonymen Chroniken”, 1922, Bruksel. Në faqe 65 të kësaj vepre përmendet principata e Gjon Kastriotit si tokë shqiptare ku thuhet se: “Sulltan Murati II… bëri një luftë të shenjtë dhe të madhe ku sulmoi tokat dhe kështjellat e Gjonit (Endene Juvaan Ilerin ve kahlerin fetëhun Etedin)”.

Në vazhdim në faqe 66 thuhet se Ali Beu, djali i Evrenoz Beut sulmoi dhe grabiti Vilajetin e shqiptarëve. Edhe kronikat anonime osmane, Skënderbeun e quajnë si sundimtar shqiptar. Ja se çka thonë kronikat në faqe 70: “Sulltan Murat Hani kreu një fushatë kundër tokave të Juvanit (Gjonit) dhe vilajeteve tjera të shqiptarëve. Ai pushtoi kështjellën e Sfetigradit. Pushtoi pastaj edhe dy kështjella tjera. Sundimtari shqiptar – Iskenderi nuk u pa se ku ishte”.

Kronikat kur flasin për sulmet e viteve 1450, 1466, 1467 dhe rrethimet e Krujës, janë shumë decide dhe të qarta se lufta është bërë kundër shqiptarëve të udhëhequr nga sundimtari i tyre shqiptar – Iskenderi.

Në faqe 125 thuhet se “shqiptarët në tokat e tyre kishin ngritur kulla në vendet e thepisura dhe në majat e maleve. Rrugët ishin aq të pakalueshme sa edhe sorrat nuk mund të fluturonin mbi to. Bile edhe djalli me shkop nuk do të mund të hynte në tokat e tyre”. Qëllimi im është që të hedh poshtë pohimet e disa historianëve sllavomaqedonë, serbë e grekë, se Skënderbeu ishte me origjinë sllave. Autorët që unë i kam analizuar e potencojnë origjinën e tij dhe se ai ishte komandant shqiptar dhe mbret i Shqipërisë

3. Ashik Pasha Zade

Është një nga kronistët e hershëm osman i cili jetoi gjatë shekullit XV. Veprën e tij e ka botuar Ali Beg, me titull “Ashik Pashazade tarihil Osman”, Istambull 1332 hixhri. Për këtë kronist ka shkruar edhe Sami Frashëri në Kamusul al-lam, vl, IV.

Në faqen 63 të veprës së tij, Pasha Zade thotë se njeriu që e vrau Sulltan Muratin – I – quhej Milush Kuble ose Bilush Kuble, e jo Milosh Obiliq si që e kanë emëruar serbët dhe nuk e cek përkatësinë kombëtare, por thotë se ishte një i pa fe nga tabori kundërshtar i osmanëve.

Në faqe 124-125 thotë se “Isa Beu hyri në vendet e padepërtueshme të shqiptarëve dhe prej andej bënte sulme. Ndërkaq ata ia bllokuan rrugët. Një arnaut i pa fe me emrin Iskender që ishte i biri i sundimtarit shqiptar, që kishte qenë içogllan i sulltanit dhe tash kishte ngritur krye kundër tij, dhe ua kishte bllokuar rrugën akinxhijëve”.

Pra, Ashik Pasha Zade jo që e dokumenton në kronikën e tij se Iskenderi ishte shqiptar, por ai informon se ai ishte i biri i një sundimtari të shqiptarëve. A ka argumente më të forta historike se sa këto të dhëna që na jep Pasha Zade e që Petar Poposki dhe disa autorë tjerë serbë që shkruajnë për përkatësinë kombëtare të Skënderbeut, nuk i kanë lexuar ose nuk dëshirojnë t’i lexojnë dhe të binden se ai ishte shqiptarë dhe bir shqiptari. Argumentet janë edhe më të forta kur kihet parasysh se këto fjalë i thotë një autor osman dhe nuk i thotë nga dashuria që ka pasur ndaj Skënderbeut por nga urrejtja.

4. Mehmet Neshri

Ka qenë një poet shumë i njohur i kohës së Sulltan Selimit I. Vepra e tij e shkruar në vargje titullohet “Cihan Numaa” (Treguesi i Botës), analizuar dhe botuar nga Franc Taechner, me titull “ Die altosmanischen Hroniken des Mevlana Mehmet Neschri”, Lajpcig 1951.

Në faqe 71 të veprës së tij, Mehmet Neshri tregon për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës. Ai thotë se: “Llazarit i shkuan në ndihmë hungarezët, vllahët, çekët, shqiptarët dhe bullgarët”.

Në faqe 79 ndër ta ishte një i pa fe me emrin Jorgji (Gjergji i II Ballsha) i cili kishte 90 mijë ushtarë. Kur Llazari tha që turqit të sulmoheshin natën, ai tha: “O zotëri, më mirë t’i sulmojmë në mëngjes dhe të gjithë t’i kapim të gjallë”. Ushtria e Llazarit kishte pirë aq shumë raki sa që të gjithë ishin të dehur kur hynë në luftë.

Shumica e dijetarëve mendojnë se këtu është fjala për Gjergjin e II-të Balsha, kurse Johan Von Hammer mendon se është fjala për gjyshin e Skënderbeut ose babanë e Gjonit sipas të cilit emrin e ka pasur Gjergj Kastrioti dhe jo Pal Kastrioti siç e përmendin disa autorë, dhe se emri Gjergj që e ka pasur Skënderbeu ka qenë emri i gjyshit të tij.

Në kapitullin e veprës së Neshriut, “Lufta me shqiptarët” (Gazaul arnevud), në faqe 201 thuhet se Iskenderi, sundimtari shqiptar (Iskender arnavud begi oglu idi) e tradhtoi padishahun. “Pastaj truri i tij i brumosur me djallëzi e bëri atë që të jepej pas ngatërresave. Ai si hakmarrje, shkoi dhe grabiti shumë bagëti të osmanëve në malet e Tetovës (Kallkandelen). Kur sulltani iu drejtua vendit të shqiptarëve, Iskenderi u arratis nga Durrësi në drejtim të frëngut (Italisë)”. Është fjala kur Skënderbeu shkoi në Itali për të kërkuar ndihmë dhe disa burime osmane atë e paraqesin si ikje të tij që të shpëtonte kokën. Më duhet të potencoi edhe njëherë thënien e Neshriut “Iskender arnavud begi” – Skënderi, begu shqiptar.

5. Dursun Beg

Ka jetuar gjatë sundimit të Mehmetit të II-të. Vepra e tij titullohet “Tarihi ebul Feth” (Historia e Babait të pushtimeve) e botuar nga Mehmet Arif, Stamboll, 1914.

Në faqe 123, ai thotë: “…Nga një anë tjetër, popullsia mosmirënjohëse shqiptare u hodh vende-vende në kryengritje dhe guxoi të hynte në luftë, e udhëhequr nga kryeneçi Iskender”. Pastaj vazhdon duke thënë se shqiptarët gjithmonë janë shkelmuar prej patkonjve të kuajve të kalorësisë perandorake.

Në faqe 132, thuhet se “mbasi sulltani u hakmor kundër frengjëve dhe hungarezëve, u preokupua të zhdukte nga rrënjët shqiptarët mosmirënjohës të udhëhequr nga arnauti Iskender… Por, ata zunë shtigjet e maleve dhe të luginave të rrezikshme. Ngaqë ishin tepër të këqij, rezistuan me kokëfortësi dhe me tërbim të madh…”!

Në faqe 135: “Ata që e kanë parë vendin e shqiptarëve e kanë ndjerë fortë ashpërsinë e ati vendi… Ndërsa për ata që nuk e kanë parë, mjafton që të dinë se në atë vend plotë rebelë, me shtigje të fshehta dhe gryka hyrjeje e daljeje të vështira për tu kaluar, nuk ka mundur të depërtojë siç që thonë as Aleksandri i Madh”.

Faqe 136: “Arnauti, Iskender tradhtari i cili qysh si fëmijë ishte rritur në pallatin mbretëror, iku dhe pëlqeu rrugën e kryengritësit. Ai shkoi dhe u tha shqiptarëve, ‘unë jam djali i sundimtarit tuaj’”!

Pra, ky është edhe një kundërargument për ata që thonë se Skënderbeu ishte me origjinë sllave. Kjo që përmendëm është e shkruar nga penda e kundërshtarit të Skënderbeut dhe ai nuk thotë serbi, bullgari, sllavomaqedoni, por thotë “Arnauti, Iskender tradhtari”. Dhe, emri arnaut përdorej nga turqit vetëm për shqiptarët, e që rrjedh nga emri arbër. Pra, grekët nga Arbër – Arvanitis, serbët nga Arbër – Arbanas dhe osmanët nga Arbër – Arnavut.

6. Idris Bitlisi

Në vitin 1501 emigroi nga Persia dhe u punësua në oborrin osman ku ndenjti gjatë gjithë jetës. Vepra e tij titullohet “Hesht Bihisht” (Tetë parajsat) dhe është e shkruar në persisht. Për këtë autor kanë shkruar Hoxha Sadedini, në veprën e tij “Tacut tevarih”; Sami Frashëri, në veprën e tij “ Kamusul Al-lam dhe Katip Qelebi në “Keshfys-zunun”…

Idris Bitlisi në fillim përmend tokat e Karl Topisë. Pastaj kur përmend sundimtarin e serbëve, Llazarin, në faqe 188 të veprës së tij përmend edhe sundimtarin e Shkodrës shqiptare, Jorgji (Gjergji i II-të Ballsha) i cili në një rast thotë se “Jorgji i kishte vrarë komandantit osman, Lala Shahinit, 10-15 mijë ushtarë”.

Në vazhdim autori në mënyrë të drejtpërdrejtë thotë se “shqiptari Iskender, i cili qe ngarkuar me detyra nga sulltani, ishte një nga më të besuarit e më të shquarit, ndër personat e zgjedhur, që mbaheshin në shërbim të sulltanit. Do të thotë se ka qenë e njohur se Iskenderi ka qenë shqiptarë edhe në kohën kur ai ishte në oborrin e sulltanit, para se të kthehej në Krujë dhe qëndronte në krye të shqiptarëve… Kurse ata shqiptarët si shpendët grabitës, domosdo jenë nga natyra trima e guximtarë sa s’ka se ku të vejë më”.

Faqe 127: “Një nga shërbëtorët e sulltanit, arnauti Iskender, që kish qenë rritur që fëmijë me të mirat e Padishahut që kish gëzuar gjithmonë kujdesin, shpirtmadhësinë dhe ledhatimin e pakufizuar, i shtyrë nga lakmia që të bëhet mbret i Shqipërisë, bashkë më një grup intrigantësh u larguan nga selia e lumturisë”. Siç shihet këtu autori na jep të dhëna direkte se vetë Iskenderi ka pretenduar se ka origjinën nga ajo tokë shqiptare dhe se ati i ka takuar që të kthehej atje e të bëhej mbret dhe udhëheqës i tyre.

7. Kemal Pasha Zade

Ka qenë i biri një komandanti të njohur të sulltanit, Sulejman Celebi, i cili komandant ka marrë pjesë në pushtimin e Kostandinopojës. Edhe vepra e tij titullohet “Tevarih el Osman” (Historitë osmane) Për këtë autor shkruan edhe Sami Frasheri në Kamusul Al-lam, vl.V.

Në faqe 279, autori thotë: “Në vendin e shqiptarëve doli në skenë një njeri prej një fisi të vjetër mbretëror, një ngatërrestarë e turbullues i njohur me emrin, i biri i Juvanit, emri i të cilit ishte Iskender”.

Faqe 280: “Tradhtia e tij kriminale u ba e famshme kudo dhe të gjithë ne e thirrnim me emrin tradhtari arnaut Iskenderi. Ai shkoi dhe me lehtësi hyri në vilajetin e të atit të tij, i cili në vendin e shqiptarëve njihet me emrin nahija e ashpër e tokave të Juvanit. Populli i atij vendi e pranoi dhe iu nënshtrua, duke thënë së ky është djali i sundimtarit tonë. Në këtë mënyrë pushtoi vendin e sipërpërmendur dhe u bë mbret i shqiptarëve”.

8. Hoxha Sadedin

Është një nga historianët më të dëgjuar osmanë i cili ka marrë pjesë edhe në punët shtetërore. Vepra e tij titullohet “Tacut-tevarih” (Kurora e historive) dhe më së shumti përmendet si Hoca Tevarihi. Ajo që neve na lë përshtypje është shkrimi i tij për Skenderbeun në faqe 351, ku thotë: “Sundimtari shqiptar kishte një djalë të pashëm që quhej Iskender, figura trupore e të cilit të frymëzonte dashurinë, ndërsa fytyra e tij tërheqëse ishte shprehëse e bukurisë dhe e hirësisë së tij. Ai e dërgoi Iskenderin në kryeqytet për të konfirmuar nënshtrimin e tij ndaj sulltanit”!

Është shumë interesant dhe rast shumë i rrallë që dikush nga autorët osmanë ta përshkruaj në këtë mënyrë pamjen fizike dhe bukurinë e Skënderbeut. Jo se ky autorë ka pasur ndonjë simpati, por ai e ka thënë të vërtetën, pra ashtu si që është dukur Skënderbeu.

9. Ali Mustafa bin Ahmed

Ka shërbyer si sekretar i këshillit (Divan Katibi). Vepra e tij historike titullohet “Kunhul Ahbar” (Bërthama e lajmeve). Aty thuhet se Skënderbeu ishte me origjinë shqiptare. N faqe 76 kur flet për Hamza Kastriotin thotë: “Hamza beu ishte i nipi i Iskenderit të shqiptarëve”! Pra, ai vërteton se Iskenderi ishte i shqiptarëve dhe jo i ndonjë kombi tjetër siç pretendojnë disa nga të ashtuquajtur historianë serbë ose sllavomaqedonë. Në vazhdim si tregon se “nga prijësit e vjetër kokëfortë e inatçi, me trupa divash, që ishin grumbulluar në disa kodra e vende të çuditshme, të padepërtueshme”.

Në faqe 124 , e përsërit edhe njëherë se Iskenderi ishte shqiptar: “Një njeri i pavlerë nga fisi shqiptar (arnaut) i quajtur me emrin tradhtari Iskender, i cili pasi u rrit dhe edukua në oborrin e sulltanit, doli jashtë dh mori rrugë të shtrembët. Ky djalë që ushqeu tradhtinë dhe intrigën ishte i biri i njërit prej banditëve të famshëm të asaj popullsie të keqe”. Këtu e ka fjalën se ai ishte i biri i sundimtarit të më hershëm të shqiptarëve, Gjon Kastriotit, ku autorët osmanë e shënojnë si Juvan Kastrioti, ose principatën e Kastriotëve si “Juvan Ili” – që do të thotë toka e Gjonit.

10. Solkzade

Është njëri nga historianët osmanë të shekullit XVII. Vepra e tij titullohet si “Fihrist Shahan”, por sot më së shumti njihet si “Tarihi Sollakzade” (Historia e Sollkazades) Ai në faqe 43 përmend pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës, por në faqe 168 përshkruan edhe pamjen fizike të Skënderbeut ku thotë: “Pamja fizike e këtij njeriu të bukur të çlodhte sytë, kurse fytyra e tij tërheqëse të jepte një kënaqësi të madhe”. Pastaj vazhdon ndryshe: “Ai soj i keq dhe fatzi i harroi mirësitë e padishahut dhe i ktheu shpinën atij. Kur ky lajm mor vesh nga mbreti, ai dërgoi ushtri kundër tij dhe vendit të shqiptarëve, nën komandën e Isa Beut. Kryengritësi i lartëpërmendur nuk u kap dot dhe një kohë të gjatë u fsheh nëpër male të egra të Shqipërisë”.

11. Mynexhimbash

Është historian i shekullit XVII. Vepra e tij titullohet “Sahaful ahbar”, e botuar nga Nedim Ahmet, me titull “Mynexhimbashi Sahaful ahbar”, Stamboll 1285 h. Në faqe 352 autori i përsërit të dhënat që i përmendëm edhe tek autorët tjerë më lartë. Me siguri se ai gjatë shkrimit të historisë së tij është mbështetur tek këta autorë. Ai përsërit se Iskenderi ishte i biri i Juvanit, sundimtarit shqiptar dhe se ishte rritur në oborrin e sulltanit. Kishte qenë i emëruar nga sulltani si zëvendës i të atit në tokat shqiptare. Pastaj e tradhtoi sulltanin dhe iku në Shqipëri dhe ngriti krye kundër sulltanit.

Pra, autorët sllavë që kanë shkruar bashkë me disa gazetarë shqipfolës, që edhe sot shkruajnë se Skenderbeu ishte me origjine sllave duhet ta kuptojnë se ai i hoqi nga krahu të gjitha gradat osmane dhe iku e shkoi në Shqipëri, ose shkoi dhe u ba mbret i Shqipërisë dhe i shqiptarëve e nuk thonë se iku dhe shkoi në Serbi, Greqi ose Bullgari që të bëhet mbret i tyre. Pra, është e natyrshme që secili kthehet për të luftuar dhe për t’i dal zot tokës që e ka lindur dhe as-sesi në tokë të huaj. Vetë autorët osmanë e vërtetojnë se ai ishte nga gjaku i shqiptarëve dhe ishte i gatshëm ta derdhte atë gjak për tokën shqiptare.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori